E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokratët nuk tërhiqen nga ligji për hapjen e dosjeve



Eljona Ballhysa
Demokratët janë të vendosur për të miratuar ligjin për hapjen e dosjeve. Pavarësisht qëndrimit kundër të opozitës dhe faktorit ndërkombëtar në Tiranë, PD-ja nuk ka ndryshuar qëndrim për tërheqjen e draftit për spiunët. Zëdhënësi i selisë blu ka zbardhur dje, gjatë një deklarate për shtyp, qëndrimin e kryeministrit Berisha dhe të Grupit Parlamentar të PD-së. Deklarata e Bogdanit tregon qartë se kanë dështuar dhe negociatat e ambasadorit amerikan Xhon Uidhers me kryeparlamentaren Topalli. Edhe burime nga Kuvendi kanë konfirmuar se përgjigjja e Topallit ka qenë kundër kërkesës së ndërkombëtarëve për të shtyrë miratimin e projektligjit. Pavarësisht qëndrimit të PD-së, pasojat për miratimin e projektligjit duket se do të ndihen jo vetëm në skenën e politikës shqiptare, por dhe në planin ndërkombëtar, duke pasur parasysh qëndrimin kundërshtues të të gjitha ambasadave të huaja në Shqipëri.
Deklarata
Gjatë deklaratës Bogdani ka sqaruar se ligji i paraqitur në Kuvend nga PD-ja është kopje e zbutur e ligjit të vitit 1995, i cili ka qenë varianti identik i ligjit çek të vitit 1991. Sipas tij, ky projekt është në përputhje me Kushtetutën. “Ligji çek i vitit 1991 është vlerësuar kushtetues nga Gjykata e Çekosllovakisë dhe pas shpërbërjes në Çeki dhe Sllovaki, është gjykuar përsëri nga Gjykata Çeke dhe është gjetur kushtetues. Ndërsa ligji shqiptar i vitit 1995 është gjykuar nga Gjykata Kushtetuese në fund të janarit 1996 dhe është gjetur kushtetues”, - është shprehur Bogdani duke rrëzuar në këtë mënyrë pretendimet e opozitës dhe të faktorit ndërkombëtar në Tiranë, të cilët e konsiderojnë antikushtetues draftin e PD-së. Po kështu ai e ka cilësuar trillim të PS-së deklaratën se ligji çek nuk merret me gjykatësit dhe prokurorët, duke bërë të ditur se në pikën 4 të nenit 1 në ligjin çek thuhet: “Parashikohet certifikimi i pastërtisë për pozicionet e gjykatësve, ndihmësgjykatësve, prokurorëve, oficerëve të Policisë Gjyqësore, noterëve publikë dhe arbitrazhit shtetëror”. Po kështu, Bogdani, në emër të PD-së, ka sjellë në vëmendjen e opozitës faktin se sipas tij, Gjykata e Strasburgut nuk e ka rrëzuar në asnjë rast ligjin e lustracionit. “Në asnjë rast Gjykata e Strasburgut nuk ka hedhur poshtë asnjë ligj të lustracionit. Ndërsa Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës kërkon që të gjykohen dhe të dënohen gjykatësit, prokurorët dhe punonjësit e policisë sekrete, të cilët kanë kryer vepra penale, edhe pse në kohën e kryerjes mund të mos kenë qenë vepra penale për ligjet e vendit”, - është shprehur Bogdani. Në përfundim ai ka përsëritur kërkesën e PD-së, drejtuar kryetarit të PS-së, që të kërkojë falje publike për krimet e të atit dhe dajës së tij. “Partia Demokratike i bën thirrje z. Rama të kërkojë të falur publike për firmat që ka vendosur i ati i tij në varjen dhe ekzekutimin e njerëzve të pafajshëm në funksionin e anëtarit të Presidiumit famëkeq të Kuvendit Popullor”, - është shprehur Bogdani.
Negociatat
Vetëm një ditë më parë, ambasadori amerikan Xhon Uidhers, zhvilloi një takim pa praninë e mediave me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Megjithëse nuk u dha asnjë sqarim zyrtar, burimet bënë të ditur se qëllimi i takimit ishte kërkesa e ambasadorit për të shtyrë votimin e projektligjit të PD-së për hapjen e dosjeve. Duket qartë se negociata e Uidhersit ka dështuar. Pritet që demokratët të miratojnë të vetëm gjatë seancës së të hënës draftin për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist.

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›