E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: PD-ja të bashkëpunojë me ne për reformën zgjedhore



Partia Demokristiane i bën thirrje Partisë Demokratike që të marrë në konsideratë kërkesat e saj për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Ndue Shpani, gjatë një deklarate për shtyp ka kërkuar dje që PD-ja të reflektojë në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. “Në kushtet kur Kodi i ri Zgjedhor po rimerret në shqyrtim, ne ftojmë Partinë Demokratike të reflektojë me përgjegjësi dhe të dëshmojë angazhimin dhe seriozitetin e saj në rishqyrtimin e atyre neneve të Kodit Zgjedhor që vënë në pikëpyetje standardet europiane të zgjedhjeve dhe të mos mbetet peng i aventurizmit politik të partive të majta, të cilat krizën e vet po përpiqen ta shndërrojnë në një krizë të zgjedhjeve. Demokristianët, duke vlerësuar me përgjegjësi ecurinë e reformës zgjedhore, kundërshtuan një ligj zgjedhor të deformuar, që përjashton nga procesi i administrimit të votës PDK-në. Tani që ligji është në rishqyrtim është momenti që të rivendosim me PD-në urat e bashkëpunimit serioz dhe të sinqertë jo vetëm për të garantuar një ligj zgjedhor të standardit europian, por edhe për të garantuar fitoren e zgjedhjeve nga koalicioni i forcave të djathta në 2009-n”, - është shprehur Shpani.

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›