PS: Në Kuvend për të diskutuar për dosjet, por votojmë vetëm për Kodin
Selia rozë harton strategji të re për ligjet e rëndësishme. Dade: “Deklaratat e ndërkombëtarëve, leksion demokracie për Berishën”
Shaban Sulçe
Partia Socialiste ka hartuar një strategji të re për të përballuar me sukses situatën e fundit konfliktuale, që ka lindur për miratimin ose jo të disa ligjeve të rëndësishme në Kuvend. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, i cili gjatë kësaj jave bojkotoi Kuvendin, mund të rikthehet sërish aty, por vetëm duke diskutuar dhe debatuar për ligjin e dosjeve. Në të njëjtën kohë, deputetët e Partisë Socialiste, edhe pse do të jenë prezentë në Kuvend, nuk do të pranojnë të votojnë asnjë ligj deri në votimin e ligjit për Kodin e ri Zgjedhor. Strategjia e re e selisë rozë është bërë dje e ditur nga deputetja dhe njëkohësisht sekretarja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Arta Dade. Gjatë një prononcimi mediatik, Dade komentoi edhe deklaratat dhe shqetësimet e shprehura nga faktori ndërkombëtar në lidhje me projektligjin për dosjet, të propozuar nga Partia Demokratike. Dade tha se këto deklarata tregojnë se projektligji antikushtetues i maxhorancës ka sjellë shqetësimet jo vetëm të opozitës, por edhe të faktorit ndërkombëtar. Sipas Dades, këto deklarata i dhanë një leksion demokracie kryeministrit Berisha.
Dosjet
Partia Socialiste e kundërshtoi ashpër projektligjin e maxhorancës për dosjet. Kreu i PS-së, Edi Rama, kërkoi nga deputetët e maxhorancës që të mos nxitoheshin për ta votuar këtë projektligj, i cili binte ndesh me Kushtetutën dhe me të drejtat e njeriut. Pas tërheqjes së maxhorancës për të votuar këtë projektligj, Rama deklaroi se Partia Socialiste është e gatshme për të negociuar dhe biseduar me të gjithë faktorët, për të hartuar një ligj me standarde europiane për çështjet e hapjes së dosjeve. “Duke falënderuar qeverinë e SHBA-ve dhe OSBE-në për ndihmën e paçmuar që ofruan edhe në këtë rast, përsëris se duam hapjen e dosjeve, e të gjitha dosjeve. Përsëris se jemi gati të ulemi në tryezë, me të gjitha palët e interesuara e me ekspertët ndërkombëtarë, për të kryer me dinjitet e seriozitet një proces të hapur e koherent dhe për të votuar, me të gjithë bashkë, një ligj të standardeve europiane, që garanton realisht shlyerjen e një detyrimi të madh shoqëror jo vetëm ndaj së shkuarës, po edhe ndaj së ardhmes, jo vetëm ndaj të përndjekurve të së djeshmes, po edhe ndaj qytetarëve të së nesërmes”, - deklaroi Rama tri ditë më parë.
Kodi
Ditën e enjte, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste braktisi sallën e Kuvendit, duke bërë të ditur se bojkoti do të vazhdonte deri në futjen për votim të Kodit të ri Zgjedhor. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, e ka akuzuar kryeministrin Berisha për bllokim të reformës zgjedhore me qëllim krijimin e diversionit midis partive të kampit të majtë. Leskaj
kritikoi vonesat në futjen për miratim në kalendarin e punës së Kuvendit të Kodit Zgjedhor. “Keni bllokuar komisionin për Kodin me urdhër të kryeministrit, i cili përpiqet ta mbajë peng për arsye të veta private, për motive për të cilat po godet edhe sistemin e drejtësisë. Në vend që Komisioni i Kodit Zgjedhor të marrë në shqyrtim dekretin e presidentit dhe të propozojë zgjidhjen juridike që tashmë e ka gjetur, bllokoni në mënyrë të njëanshme komisionin duke vonuar procesin jashtë çdo logjike juridike. Ky është një ligj i hartuar me konsensus, i miratuar me një shumicë të cilësuar si asnjëherë tjetër dhe që qëndron në krye të çdo reforme në vend. Nëse është i interesuar për reforma, kryeministri të zhbllokojë komisionin, të mos bëjë diversion e dyfytyrësi”, - është shprehur Leskaj.
Baraj: “Berisha të ketë turp”
Kreu i PS-së së Tiranës, Besnik Baraj, ka reaguar pas deklaratave të zëdhënësit të PD-së, Gerti Bogdani. Baraj tha se Bogdani duhet të hyjë në listën e librit “Gines” për sasinë e budallallëqeve të thëna për vitin 2008. Kreu i PS-së së Tiranës tha se kryeministri Berisha duhet të ketë turp për qëndrimet që po mban për ligjin e dosjeve. “Gerti Bogdani duhet të hyjë në librin ‘Gines’ jo vetëm se njësia bashkiake që drejton ka mbledhur vetëm 5.6% të taksave lokale këtë vit, por edhe sepse ka thënë numrin më të madh të budallallëqeve në botë për vitin 2008. Sipas tij, opozita gënjen, qeveria e SHBA-ve gënjen, OSBE-ja gënjen, Këshilli i Europës gënjen! Turp i madh për Saliun”, - tha Baraj.
21 Dhjetor 2008