Vota e emigrantëve, Komisioni është parimisht dakord
Eljona Ballhysa
Komisioni Parlamentar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor ka mbështetur dje platformën e “G99”-s për sanksionimin në këtë kod të së drejtës së emigrantëve për të marrë pjesë në proceset zgjedhore në Shqipëri. Gjatë një mbledhjeje maratonë prej gati 3 orësh, e zhvilluar pa praninë e mediave, politikanët e dy kampeve politike kanë rënë dakord me versionin e propozuar nga grupimi “G99” për votimin nëpërmjet postës të emigrantëve të ligjshëm shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Ky proces, sipas projektuesit Erion Veliaj, ka një kosto prej 20 milionë eurosh, ndërkohë që sipas tij emigrantët i sjellin vendit 1 miliard euro në vit, fitime. Por megjithëse procedura është mbështetur nga Komisioni, nuk jepet ende garanci nëse do të respektohet për zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit të ardhshëm.
Projekti
“I kemi dorëzuar me sukses Komisionit zgjedhor platformën e detajuar se si mund të votojnë emigrantët. Sistemi që kemi propozuar është i saktë, transparent dhe parashikon formën e votimit me postë. Barra e identifikimit në këtë rast u bie qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut, pasi janë ata të parët që duhet të shprehin interesin e tyre, të regjistrohen, të japin mjetet e tyre të identifikimit dhe adresën. Më pas do të jetë një institucion shtesë, i quajtur Komisioni Qendror për Votimin nga Jashtë, i cili do t’u çojë emigrantëve fletët e votimit me një postë rekomande të një kompanie të njohur, e cila kryen votimin në distancë rekomande dhe verifikimin e identifikimit të personit”, - ka sqaruar Veliaj mënyrën e votimit të emigrantëve. Duke vënë në dukje sinjalet pozitive të dy bashkëkryetarëve të Komisionit zgjedhor, Ilir Rusmali dhe Fatmir Xhafaj, për këtë proces, Veliaj tha se ky proces bëhet i mundur me një fond prej rreth 20 milionë eurosh. Në një kohë që sipas tij, emigrantët i sjellin Shqipërisë një fitim prej 1 miliard eurosh në vit. Megjithatë, ai u shpreh i vetëdijshëm se kjo dispozitë ka shumë gjasa që të mos realizohet në procesin e ardhshëm zgjedhor. “Futja në Kodin Zgjedhor minimalisht e dekreton këtë proces, minimalisht e bën një proces të ligjshëm. Ka shumë ligje në Shqipëri që sot nuk zbatohen, nuk do të doja që ky të ishte një i tillë. Por në qoftë se do të kishte një çështje teknike, siç do të ishin kartat e identitetit, apo mosaprovimi i fondit prej 20 milionë eurosh, të paktën nuk do të zbatohet për këtë proces zgjedhor, por do të zbatohet në procesin e ardhshëm”, - është shprehur Veliaj.
Propozimet
Në mbledhjen e djeshme të Komisionit janë bërë propozime të ndryshme dhe nga përfaqësues të shoqatave të tjera të shoqërisë civile. Përfaqësuesit e Institutit për Zgjedhje Demokratike propozuan sanksionimin e korrektimit kombëtar të votës së shqiptarëve, në mënyrë që çdo votë e zgjedhësve të shkojë për partinë që ai e jep atë. Ky propozim është mbështetur nga përfaqësuesit e partive të vogla në Komision, por ende nuk ka një vendim për këtë. Po kështu, gjatë mbledhjes së djeshme është diskutuar dhe rreth mundësimit të së drejtës së votës për invalidët apo personat me aftësi të kufizuara, ku Shoqata e Invalidëve ka paraqitur propozimin e saj, i cili është mirëpritur nga anëtarët e Komisionit. Propozime mbi reformën zgjedhore dhe Kodin e ri Zgjedhor kanë paraqitur dje edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Ndër të tjera, përfaqësuesja e KSHH-së ka ngritur edhe shqetësimin për mungesën e transparencës në hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, pasi mbledhjet zhvillohen me dyer të mbyllura dhe larg syve të medias, shqetësim ky që është mirëpritur edhe nga deputeti i LSI-së në Komision, Spartak Braho. Një tjetër propozim i KSHH-së ka qenë ai që komisionet e zonave zgjedhore të përbëhen nga teknicienë dhe të depolitizohen. Thuajse për të gjitha propozimet është gjetur mirëkuptimi i anëtarëve të Komisionit të posaçëm Parlamentar, pasi asnjë prej tyre nuk është hedhur poshtë, por nëse këto propozime do të pranohet apo jo, kjo mbetet për t’u parë.
8 Tetor 2008