Gjinushi: “Mafia kryeministrore degradoi Kuvendin”
Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, tha se PSD-ja e kishte paralajmëruar prej kohësh rikthimin e kryeministrit Berisha te krimi e korrupsioni, te kriza dhe te politikat sllavo-mafioze që dogjën e shkatërruan Shqipërinë. “Berisha, si bashkëpunëtor i zellshëm i Milosheviçit e i Arkanit, nuk mund të ketë bashkëpunëtorë të rinj vetëm njerëz të tipit Fazlliç”, - tha Gjinushi, i cili komentoi edhe deklaratat shantazhuese të kryeministrit Berisha ndaj deputetëve të opozitës në Kuvend. Kryetari i PSD-së tha se reagimi i Berishës tregoi degradimin e plotë të sallës së Kuvendit, në të cilin mafia kryeministrore bën shantazh dhe presion ndaj deputetëve e mbarë opinionit publik.
“Kjo dhunë psikologjike e tipit mafioz, e denjë për një pronar moteli me menaxhere Jozefinën, është pjesë e dhunës dhe presionit që po bëhet prej 4 vjetësh ndaj gjithë institucioneve të vendit, Presidentit, Gjyqësorit, Prokurorisë dhe Kuvendit”, - tha Gjinushi. Kryetari i PSD-së theksoi se vendi i Berishës duhet të jetë në Gjykatën e Hagës. “Ne si grup socialdemokrat nuk mund të pranojmë kërcënimin e një kryebanditit që kërkon të sjellë si dëshmitarë të akuzuarit për krime në sallën e Kuvendit dhe ndërkohë zhduk dëshmitarë të krimeve të tij si Remzi Hoxha e Kosta Trebicka?! Ai mos të sjellë Fazlliçin në Kuvend, por të shkojë bashkë me të në Hagë sipas kërkesës së Milosheviçit dhe amanetit të tij”, - vijoi Gjinushi. Kryetari i PSD-së tha se përpara kësaj krize të thellë të shoqëruar me skandale, krime dhe korrupsion, e vetmja zgjidhje mbetet largimi i kryeministrit Sali Berisha dhe vendosjen e tij përpara bankës së të akuzuarve.
8 Tetor 2008