Qeveria, taksa automjeteve edhe për ambalazhet plastike të lëngjeve
Nëse sapo ke mbërritur në Shqipëri, pas një udhëtimi jashtë shtetit me makinën tënde, duhet të paguash taksë mjedisi për çdo bidon me ujë apo pije freskuese që mund të gjendet në automjetin tënd. Absurdi më i fundit i Taksave është sanksionuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave për taksat kombëtare, konkretisht në kapitullin e taksave për mjedisin. Taksa për mjedisin do të jetë e trefishtë dhe do të përbëhet nga taksa e importimit të mjeteve të përdorura, nga taksa e karbonit për benzinën, benzolin dhe gazoilin si dhe nga taksa për ambalazhet plastike të lëngjeve (bidonw, shishe plastike e kuti të plastifikuara të të gjitha formave e përmasave), të mbushura, të prodhuara në vend dhe të importuara për produktet: ujë, pije freskuese, lëngje frutash e perimesh, qumësht dhe nënproduktet e tij, vajra ushqimorw, vajra lubrifikantë dhe detergjente. Në udhëzimin e Këshillit të Ministrave përcaktohet gjithashtu edhe mënyra e pagesës për taksën vjetore për qarkullimin rrugor të mjeteve. Sipas udhëzimit, taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve i nënshtrohen të gjitha mjetet e klasifikuara sipas shtojcës numër 1 të ligjit, që janë të regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Kjo taksë arkëtohet nga qendrat e kontrollit teknik të drejtorive rajonale të shërbimeve të transportit rrugor. Pagesa e taksës bëhet në çdo kohë, por gjithnjë para kryerjes së kontrollit teknik të mjeteve. Vlera e taksës është vjetore, pavarësisht nga momenti në të cilin ajo paguhet. Edhe mjetet e reja, pavarësisht nga momenti i targimit të tyre, paguajnë vlerën e plotë të taksës. Pagesa e kësaj takse shoqërohet me faturë, me pullën e taksës si dhe biletën me numër serial, në të cilën përveç të dhënave të mjetit, shënohet edhe vlera e taksës së paguar. Zotëruesi i mjetit e vendos pullën e taksës në xhamin e përparmë të mjetit për të lehtësuar ushtrimin e kontrollit vizual nga organet e Ministrisë së Brendshme dhe Policia Tatimore. Këto dokumente prodhohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit, këto dokumente duhet të përmbajnë elemente të sigurisë së lartë për të shmangur falsifikimin e tyre.
8 Tetor 2008