E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: “Vota e emigrantëve, një e drejtë që duhet të bëhet realitet”



Partia Demokristiane e Shqipërisë ka vlerësuar të drejtën e votës dhe përfaqësimit politik të shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Gjatë një konference për shtyp, sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Kolë Tonaj, theksoi domosdoshmërinë e sanksionimit në Kodin e ri Zgjedhor të së drejtës së emigrantëve për të votuar. “Këtë gjë na e kanë kërkuar edhe degët tona në SHBA e në vende të tjera”, - është shprehur Tonaj, i cili theksoi se ka ardhur koha të mundësohet votimi për shqiptarët jashtë atdheut, të cilët llogariten në shifrat mbi një milion, të cilët deri tani nuk kanë pasur mundësi të vendosin për fatet e vendit. “Kjo në kohë zhvillimesh të rëndësishme politike si dhe në një kohë kur influenca që ata mund të kenë mbi politikën shqiptare do të ishte shumë cilësore për shkak të botëkuptimit modern të tyre. Është momenti i duhur për ta adresuar këtë çështje në kuadrin e bërjes së Kodit të ri Zgjedhor. Kjo duhet të realizohet paralel me përgatitjen e infrastrukturës për administrimin e zgjedhjeve, regjistrimin e votuesve, si dhe detajet e votimit që mund të jenë me postë, me ngritjen e qendrave të votimit në vendet përkatëse, kostot e së cilave mund të merren përsipër nga shteti. Po kështu, kjo edhe me ndihmën e konsullatave, apo bashkive në vendet e huaja, pas identifikimit të vendeve ku ka një numër të madh emigrantësh shqiptarë”, - është shprehur përfaqësuesi i PDK-së.

8 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›