E Diel, 1 Nëntor 2026

Demokristianët: Coli po përdoret nga policia për të fshehur vrasësit e Kekës



Partia Demokristiane denoncoi dje Policinë e Shtetit që, sipas saj, po përpiqet të implikojë në veprimtari kriminale Aleksandër Kekën, ish-kryetar i degës së PDK-së në Malësinë e Madhe, i cili u vra në një atentat me eksploziv më 18 qershor 2009, në aksin rrugor Koplik-Shkodër. “Deklaratat e djeshme në seancën gjyqësore të të ‘penduarit’ kriminel dhe të përdorurit nga Policia e Shtetit, Adratik Coli, ku i ndjeri akuzohet si korrier droge i bandës së Durrësit, janë një përpjekje e turpshme e Policisë së Shtetit për të penguar zbardhjen e vrasjes dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të krimit të shëmtuar që i mori jetën kryetarit të PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleksandër Keka. I ‘penduari’ i policisë, Adriatik Coli, asnjëherë gjatë dëshmive të tij të mëparshme gjatë dy viteve, në cilësinë e të penduarit, nuk e kishte përmendur emrin e Aleksandër Kekës. Deklaratat e djeshme na bindin se ‘i penduari’ është përdorur nga Policia e Shtetit për të njollosur figurën e të ndjerit Aleksandër Keka pas vdekjes, ashtu sikurse është vepruar nga policia edhe në ditën e vrasjes”, - bëri të ditur dje Partia Demokristiane me anë të një deklaratë për shtyp.
Denoncimi
Sipas saj, DPK-ja posedon informacione të vazhdueshme që Policia e Shtetit është përpjekur me të gjitha format dhe mënyrat për ta përfshirë emrin e Aleksandër Kekës në ngjarje kriminale të ndodhura gjatë viteve të fundit. “I ndjeri Aleksandër Keka, baba i tre fëmijëve, prind dhe qytetar i respektuar, kryetar i Partisë Demokristiane per Malësinë e Madhe, kërkon që Policia e Shtetit të tërhiqet nga deklaratat politike për të njollosur figurën e Kekës dhe të zbardhnin vrasjen. Nëse Policia e Shtetit vazhdon të manipulojë opinionin publik me dëshmitë e kriminelëve që duan t’i shpëtojnë Drejtësisë, nesër çdonjëri nga ne mund të bëhet objekt i sulmeve dhe akuzave nga më absurdet”, - shkruhet në deklaratë. Partia Demokristiane u bëri thirrje institucioneve të Sigurisë Kombëtare, Prokurorisë së Përgjithshme, Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Inteligjent, të zbardhin ngjarjen dhe të venë para përgjegjësisë ligjore kriminelët që i morën jetën të ndjerit Aleksandër Keka.
Policia
”Partia Demokristiane denoncon përpjekjet e Policisë së Shtetit për implikimin në veprimtari kriminale të të ndjerit Aleksandër Keka, ish-kryetar i degës së PDK-së në Malësinë e Madhe, vrarë në atentat me eksploziv më 18 qershor 2009, në aksin rrugor Koplik-Shkodër, në kulmin e fushatës elektorale. Deklaratat në seancën gjyqësore të të ‘penduarit’ kriminel dhe të përdorurit nga Policia e Shtetit, Adratik Coli, ku i ndjeri akuzohet si korrier droge i bandës së Durrësit, janë një përpjekje e turpshme e Policisë së Shtetit për të penguar zbardhjen e vrasjes dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të krimit të shëmtuar që i mori jetën kryetarit të PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleksandër Keka”, - shkruhet në deklaratën e demokristianëve. Sipas kësaj deklarate, i “penduari” i policisë, Adriatik Coli, asnjëherë gjatë dëshmive të tij të mëparshme gjatë dy viteve, në cilësinë e të penduarit, nuk e kishte përmendur emrin e Aleksandër Kekës. Në të njëjtën kohë, dje reaguan dhe familjarët e të ndjerit Keka. “Emrat që përmenden nga i penduari i bandës së Durrësit, sikur kanë qenë miq të djalit tonë dhe kanë qenë në shtëpinë tonë janë të pavërteta. Ata nuk kanë pasur asnjë lidhje dhe madje as njohje personale me të. Kërkojmë nga Policia e Shtetit që të zbardhet vrasja dhe autorët të dalin përpara Drejtësisë, dhe jo këto tendenca për të na rivrarë me këto shpifje dhe akuza të pabaza”, - u shprehën dje familjarët e Kekës.

Dëshmia e Colit, shtohen emrat e personazheve VIP

Prej dy vitesh, i penduari Adriatik Coli ka servirur kohë pas kohe emra të njohur të fushave të ndryshme në Shqipëri si aktorë të disa rrethanave dhe ngjarjeve kriminale të ndodhura në vend. Kur kanë kaluar disa muaj nga vrasja e kryetarit të PDK-së në Malësi të Madhe Aleks Keka dhe Prokuroria nuk ka ende të dhëna për autorët e këtij ekzekutimi, Adriatik Coli risjell emrin e tij për ngjarje të tjera të ndodhura vite më parë. Dëshmitari dhe bashkëpunëtori i Drejtësisë në procesin kundër bandës së Durrësit ka habitur trupën gjykuese, Prokurorinë, por edhe avokatët e të pandehurve, kur gjatë procesit me dyer të mbyllura ka folur edhe për Aleks Kekën. Sipas Colit, Keka është përdorur vite më parë nga banda e Durrësit si korrier i drogës në Mal të Zi. Emri i Aleks Kekës përmendet nga dëshmitari për herë të parë, ndërsa në dëshminë e dhënë para Prokurorisë ai nuk e thotë një fakt të tillë. Kjo gjë i ka revoltuar avokatët, të cilët i thanë gjykatës se dëshmitari duhet të mendohet sepse po thotë fakte për të cilat s’ka folur në dëshminë e pendesës. Por Coli ka vijuar edhe me detaje të reja duke lakuar emrin e një avokati të njohur dhe të birit, që sipas tij, kishin nxjerrë në pritë një nga viktimat e bandës së Durrësit. Sipas Colit, avokati me inicialet A. H. kishte njoftuar për vendndodhjen e shënjestrës së radhës. Aleks Keka vdiq në muajin qershor të këtij viti, kur makina e tij shpërtheu si pasojë e vendosjes të një sasie eksplozivi. Ai ishte kreu i PDK-së së Malësisë së Madhe. Ngjarja dukej si një atentat mafioz, i cili ende nuk është zbardhur. Minutat që pasuan shpërthimin kanë sjellë një përplasje të ashpër mes krerëve të PDK-së dhe Ministrisë së Brendshme pas një deklarate për shtyp nga ana e kësaj të fundit. Policia e quajti të ndjerin Keka person me precedentë penalë, ndërsa reagoi ashpër PDK-ja, e cila, nëpërmjet drejtuesve të saj, u shpreh se vrasja ka prapavijë politike dhe se “me deklaratat e papërgjegjshme të policisë, Aleks Keka është rivrarë”. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Grizhë, në aksin rrugor Koplik- Shkodër. Mjeti i tipit “Mitsubishi Pajero”, me targë SH 2125 E, është parë nga dëshmitarë të pranishëm se ka pasur një shpërthim në ecje dhe dalje të menjëhershme të mjetit nga rruga. Situata është komplikuar së tepërmi kur në më pak se dy orë pas ngjarjes Policia e Shtetit ka nxituar të përjashtojë çdo motiv politik, madje zëdhënësi i Policisë deklaroi se kreu i PDK-së në Malësinë e Madhe, Keka, ka pasur implikime në trafikun e armëve dhe të drogës.
Si u krye atentati me eksploziv ndaj Aleksandër Kekës
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 09:45 në Grizhë, në segmentin rrugor Shkodër – Han i Hotit, rreth 5 km larg qytetit të Koplikut dhe vetëm pak minuta pasi kryeministri Berisha, në qytetin e Shkodrës, rreth 20 km larg vendit të ngjarjes, priste shiritin e përurimit të rikonstruksionit të këtij aksi rrugor. Në momentin e atentatit me lëndë plasëse, Keka, një ndër biznesmenët më të njohur në Malësi të Madhe, udhëtonte i vetëm në mjetin tip “Mitsubishi Pajero” me targa “SH 2125 E”, ngjyrë të gjelbër. Sipas deklarimeve të dëshmitarëve okularë, mjeti i cili udhëtonte nga Kopliku në drejtim të Shkodrës është parë të shpërthente dhe të dilte jashtë rrugës në të djathtë të saj, andej dhe nga lëvizte, rreth 70 m pasi kalon urën në fshatin Grizhë. Mjeti i dalë menjëherë jashtë rruge si rezultat i shpërthimit është spostuar disa metra dhe ka marrë zjarr, ndërsa Aleksandër Keka ka rënë pa jetë ngjitur me asfaltin e rrugës. Një shitës ambulant rrobash dhe dy kalimtarë të rastësishëm kanë dhënë alarmin dhe aty ka mbërritur zjarrfikësja që ka shuar mjetin që kishte marrë flakë dhe më pas ekspertët. Viktima mësohet se ka pësuar dëmtime të shumta nga barku e poshtë, të cilat i kanë sjellë dhe vdekjen, ndërsa pjesa tjetër e trupit ka pësuar pak djegie. Mësohet se lënda plasëse është vendosur në dyshemenë e mjetit tek vendi i shoferit, poshtë sediljes, pasi aty është konstatuar vrima që ka dalë dhe sipër mbi sedilje dhe forca e shpërthimit e ka nxjerrë jashtë trupin. Policia ka nxituar që të fshehë krimin duke deklaruar se automjeti ka shpërthyer pasi mund të ishte me gaz, por më pas kjo pistë ka rënë kur është vënë re se makina punonte me naftë. Më pas është deklaruar se ka pasur një atentat të organizuar me lëndë plasëse të telekomanduar
Policia ka bllokuar për rreth pesë orë aksin nacional Shkodër – Han i Hotit dhe vendin e ngjarjes, i cili është rrethuar në një sipërfaqe rreth 100 metër katror. Trupi i viktimës ka qëndruar i mbuluar në rrugë dhe pjesët e mjetit të shkatërruar plotësisht, të shpërndara ngado. Sipas dëshmitarëve okularë, fillimisht nuk është ditur sa persona kanë qenë në mjet dhe as kush ishte i vdekuri.
Është gjetur portofoli i Aleksandër Krekës në anën tjetër të rrugës dhe është bërë identifikimi, ndërsa nga pyetja e personave që kanë qenë të fundit me të, ka rezultuar se ai është nisur i vetëm drejt Shkodrës. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur krerët demokristianë Nard Ndoka, Frrok Gjini, Mark Krroqi, deputeti i PS-së Tom Doshi dhe të tjerë demokristianë shkodranë.

Rreth orës 15:00 viktima është dërguar në morg dhe rreth orës 17:30 është dërguar në shtëpinë e tij në Pjetërshan. Aleksandër Prekë Keka kishte që nga gushti i vitit 2007 që mbante postin e kryetarit të PDK-së në Malësi të Madhe dhe ishte i angazhuar në fushatën elektorale. Ai ishte anëtar i Këshillit të Komunës Kastrat dhe anëtar i Këshillit të Qarkut Shkodër, i martuar dhe me tre fëmijë, dy djem e një vajzë, përkatësisht 10, 7 dhe 3 vjeç.

14 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›