NGJARJA MAKABRE, Shkodër, djeg veten me benzinë dhe vdes në spital nga plagët
Një situatë shokuese është krijuar dje në Urgjencën e Spitalit të Shkodrës ndërsa është paraqitur në gjendje të rëndë, me djegie të gradës 3.4, 40-vjeçari Agim Muçollari, lindur në Korçë dhe banues në Shkodër, i cili më pas ka humbur jetën. Burimet policore konfirmojnë se nga marrja në pyetje e të afërmve të të ndjerit rezulton se Agim Muçollari ka pasur shenja depresioni për t’i dhënë fund jetës edhe para një jave me vetëhelmim. Djegiet janë shkaktuar me benzinë, pra rezulton që vetë viktima ka djegur veten me benzinë, por ai vetë e ka mohuar këtë në çastet e fundit të jetës. Muçollari është paraqitur në një gjendje tejet të rëndë ndërsa gjatë dialogut të shkurtër që ka pasur me mjekët pak çaste para se të humbte jetën ai nuk ka pranuar se ishte vetëdjegur, por në mënyrë të çuditshme nuk pranonte as që e kishin djegur. Dukej qartë se viktima ishte në një gjendje tejet depresive dhe të rënduar përpara se të humbte jetën.
Vetëvrasja
Vetëvrasjet në Shqipëri thuajse janë kthyer në “modë”, por duket se tashmë janë ashpërsuar dhe janë kthyer në skena nga më makabret. Plot 331 shqiptarë kanë vrarë veten dy vitet e fundit. Më shumë se 150 të tjerë kanë tentuar në mënyra të ndryshme t‘i japin fund jetës, por nuk ia kanë arritur. Shifra e llahtarshme është zyrtare. Drejtoritë e policive në të gjitha qarqet kanë regjistruar këtë numër vetëvrasjesh gjatë vitit 2008 dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2009, por numri real i vetëvrasjeve ka gjasa të jetë më i lartë. Nga një krahasim i shifrave zyrtare të nxjerra prej Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës, me numrin e vetëvrasjeve të raportuara në media rezulton se Policia nuk ka regjistruar në statistika dy nga pesë rastet e vetëvrasjes. Gjithsesi, pa e përfillur gabimin statistikor, numri 331 i viktimave të vetvetes është i frikshëm. Sipas statistikave, të paktën 60 për qind e viktimave të vetëvrasjes janë femra dhe më shumë se gjysma e tyre nën 30 vjeç. Forma më e përhapur e vetëvrasjes është vetëhelmimi, që është përdorur nga rreth 70 për qind e femrave. Në vend të dytë vijnë vetëvarjet, pastaj armët e zjarrit, ndërsa më të pakta në numër janë hedhjet nga lartësitë (të përdorura përsëri në shumicë nga femrat) dhe vetëvrasjet me armë të ftohta, të përdorura nga meshkujt. Policia është e thatë në përcaktimin e shkaqeve të vetëvrasjeve, duke i klasifikuar pjesën dërrmuese të tyre si “vetëvrasje për shkak të depresionit”. Ajo që bie në sy nga statistikat është edhe shpërndarja gjeografike e vetëvrasjeve.
Harta
Kështu, qarqet Fier, Korçë dhe Tiranë kanë numrin më të madh të vetëvrasjeve, me diferencë të dukshme nga qarqet e tjera. Qarku i Fierit, ku bëjnë pjesë rrethet Fier, Lushnjë dhe Mallakastër renditet prej vitesh në krye të listës së zonave me numër të madh vetëvrasjesh. Gjatë vitit 2008, numri i vdekjeve të tilla është shtuar me 30 raste, ose me rreth 24 për qind krahasuar me vitin 2007. Krahas vetëvrasjes klasike me lëndë toksike, në Qarkun e Fierit viti 2008 ka shtuar edhe rastet e vetësakrifikimit me mënyra të tjera si vetëvarja, apo edhe përdorimi i armëve të ftohta dhe armëve të zjarrit si pistoletë, por edhe hedhja nga lartësia e mbytja në ujërat e lumenjve. Statistikat tregojnë se përveç viktimave që janë shtuar nga vetëvrasjet, edhe tentativat kanë pësuar një rritje në numër. Ndërsa numri i vetëvrasjeve në Fier për këtë vit është 147, numri i tentativave për të vrarë vetën është rreth 50. Femrat regjistrojnë numrin më të lartë të vetëvrasjeve, ndërsa meshkujt kryesisht të moshës mbi 40 vjeç janë më të paktë. Sipas statistikave të spitalit të Fierit, personat e seksit mashkull kanë përdorur metoda më të ashpra për t‘u vetëvrarë. Meshkujt kanë përdorur kryesisht mbytjen në ujërat e lumenjve, apo vetëvrasje me armë të ftohta. Të gjitha viktimat e vetëvrasjeve kanë qenë në gjendje ekonomike jo të mirë dhe vetëm në dy raste i vetëvrari ka qenë në kushte të mira ekonomike, por ka vuajtur nga depresioni nervor.
Vetëplagoset me pistoletë roja i parkimit të automjeteve
Një roje parkimi automjetesh është gjetur i plagosur rëndë teksa po kryente shërbimin dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Elbasanit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se dje rreth orës 10:30, ka mbërritur një telefonatë në sallën operative të policisë se në ambientet e një parkimi automjetesh, konkretisht në dhomën e rojës, e cila ndodhet në lagjen “Partizani”, është vetëplagosur në kokë me armë zjarri pistoletë tip “TT” shtetasi Arlis Etmont Ullorja, 20 vjeç, lindur e banues po në lagjen “Partizani”. Forcat e policisë shkuan menjëherë në vendngjarje, ku nga veprimet e para procedurale u gjend dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit, e tipit pistoletë “TT”. Zëdhënësja e Policisë, Valbona Begu, thotë se i dëmtuari aktualisht ndodhet ne Spitalin kirurgjik Elbasan në gjendje të rëndë shëndetësore. Ajo shton se po punohet për zbardhjen e mëtejshme dhe motivin e saktë të ngjarjes.
Vlorë
Grabitja e bankës, policia: 30 mijë euro për personin që identifikon autorët
Policia ka kërkuar ndihmën e komunitetit për të zbuluar identitetin e tre personave që grabitën mesditën e së hënës filialin e një banke në Vlorë. Por sigurisht që ndihmësi do të shpërblehet dhe për këtë policia ka menduar një shumë prej 30 mijë eurosh për personin që do të çojë policinë në zbulimin e identitetit të tre grabitësve. Shpërblimin për informatorin policia e ka bërë të ditur ditën e sotme duke deklaruar se do të ruajë anonimatin ndërsa do t’i japë 30 mijë euro personit që do të ndihmojë në gjetjen e autorëve të grabitjes së bankës. Ngjarja ndodhi dje kur persona të maskuar, të armatosur, kishin “shënjuar” filialin e një banke në qytetin e Vlorës për të vjedhur një shumë parash të cilën e realizuan duke shpëtuar më pas paq. Ata fillimisht dhunuan rojën e bankës dhe më pas nën kërcënimin e armës mundën të bindin arkëtaren tu mbushte çantën me para dhe të largoheshin me shpejtësi duke sfiduar policinë, e cila mbërriti në vendngjarje, por veç dëshmive të punonjësve nuk mundi të siguronte asnjë të dhënë të rëndësishme për të identifikuar autorët. Kështu, policia ftoi komunitetin të jepte kontributin për të çuar grabitësit në qeli duke ofruar për ndihmësin dhe një shumë parash prej 30 mijë eurosh.
Arrestohet një 33-vjeçare, shiste celularë pranë Burgut 313 në Tiranë
Forcat blu të Komisariatit të Policisë Nr.3 në kryeqytet kanë vënë në pranga një 33-vjeçare, e cila dyshohet se tregtonte celularë për të burgosurit e Burgut 313. E arrestuara quhet Flora Dajçi, lindur në Shkodër dhe banuese në Tiranë. Ndalimi i saj u bë gjatë orëve të natës, pas kapjes në flagrancë nga shërbimet e policisë së Burgut Nr. 313. Gjatë kontrollit të frigoriferit që kishte futur në burg iu gjetën 25 copë celular të tipave të ndryshëm, 25 copë karikues telefoni, 5 spina karikuesish, një kufje me fisha USB, një çelës anglez. Sendet e mësipërme iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, të cilat do t’i kalojnë prokurorisë për veprën penale të “dhënies ndihmë të burgosurve”, parashikuar nga Neni 324/1 i Kodit Penal.
Seks në parkun e qytetit me 71-vjeçarin për 200 lekë
Ajo është 39 vjeçe, por në këmbim të përfitimit material duket se asgjë duket se nuk e ka penguar të kryejë marrëdhënie seksuale në mes të qytetit me një 71-vjeçar. Forcat e policisë së Elbasanit kanë arrestuar në flagrancë një 39-vjeçare, e cila ushtronte prostitucion të paligjshëm në mjediset publike të këtij qyteti. Lajmi konfirmohet nga burimet policore, sipas të cilave, e ndaluara quhet Mimoza Myrtaza, 39 vjeçe, lindur e banuese në Elbasan, e dënuar edhe më parë për veprën penale të “vjedhjes”. Arrestimi i saj u bë pasi ajo është kapur në flagrancë duke ushtruar prostitucion kundrejt pagesës 200 lekë në mjediset e parkut “Rinia” të Elbasanit me 71-vjeçarin Mustafa Paeshti, edhe ky lindur dhe banues në Elbasan. Po punohet për dokumentimin e plotë të veprës penale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prostitucioni”, e cila parashikohet nga Neni 113 i Kodit Penal.
14 Tetor 2009