E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryesia e PS-së: Bojkotojmë zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit



Shaban Sulçe
Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit në shenjë proteste ndaj refuzimit të maxhorancës për të hetuar manipulimet e ndodhura në procesin zgjedhor të 28 qershorit. Vendimi është marrë me shumicë votash në mbledhjen e djeshme të Kryesisë, e cila është zhvilluar në orët e pasdites dhe pa praninë e medias. Vendimi për të bojkotuar zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit do t’i kalojë tashmë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila do ta shqyrtojë dhe miratojë atë.

Mbledhja
Edhe në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së PS-së nuk kanë munguar debatet dhe përplasjet e qëndrimeve në lidhje me pjesëmarrjen ose jo të socialistëve në zgjedhjet e 15 nëntorit. Ben Blushi, Andis Harasani dhe Arben Malaj, përfaqësues të Lëvizjes për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste, e kanë cilësuar shumë të gabuar vendimin për bojkotin e këtyre zgjedhjeve. Madje, pas mbledhjes, Blushi e ka kritikuar hapur bojkotin, duke thënë se Kryesia kishte marrë një vendim personal të Edi Ramës. “Ishim kundër bojkotit të zgjedhjeve, kërkuam të hynim, pasi është një mundësi për të treguar se socialistët dinë ta mbrojnë votën. Një parti që nuk hyn në zgjedhje i heq vetes mundësinë për të ekzistuar”, - tha Blushi.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili tha se për bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit Kryesia kishte marrë një vendim të natyrshëm. “Besoj që ka pasur një zëdhënie zyrtare lidhur me mbledhjen e sotme, një vendim që është një vijim krejt i natyrshëm, në një rrugë e cila është rruga e domosdoshmërisë jetike e të gjithë popullit opozitar për të mbrojtur lirinë dhe të drejtën e vet, për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur votën si një liri dhe e drejtë që nuk mund të tjetërsohet, nuk mund të shkelet, nuk mund të transferohet dhe nuk mund të deformohet. Dhe në këtë rrugë ne jemi shumë të vendosur, dhe ky është një proces që ka të bëjë me fatet e një demokracie të kapur peng dhe të futur në krizë në të gjitha funksionet jetike të saj dhe nuk ka të bëjë me asnjë lloj taktike apo çfarëdo qoftë tjetër që lidh interesat e PS-së, këto janë interesat e një vendi të tërë dhe të një populli të tërë, që në vitin 2009 nuk mund dot të merret peng në mes të Europës nga një pushtet familjar i ricikluar përmes grabitjes së votës”, - tha Rama.

Vendimet
Vendimet e mbledhjes së djeshme të Kryesisë së Partisë Socialiste u bënë publike nga anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Arta Dade. Vendimi kryesor ishte ai i bojkotimit të zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit. “Kryesia e Partisë Socialiste të Shqipërisë, duke vlerësuar se zgjedhjet e 28 qershorit nuk përmbushën standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme për një vend anëtar në NATO dhe aspirant për në BE, duke e konsideruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si një vegël politike në shërbim të Sali Berishës, duke nënvizuar faktin e theksuar edhe në raportin e OSBE/ODIHR-it, se për një të tretën e kutive të votimit procesi i numërimit ka qenë i keq ose shumë i keq, duke mbajtur parasysh shkeljen flagrante të Kodit Zgjedhor, i cili sanksionon rinumërimin e votave në rast të kërkesës së 2 anëtarëve të KQZ-së, në mungesë të plotë të një reflektimi nga ana e qeverisë ndaj kërkesave legjitime të opozitës dhe popullit opozitar për të hetuar në mënyrë transparente procesin zgjedhor dhe për të hapur kutitë si një kusht për zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit: Shumica e anëtarëve të Kryesisë janë të mendimit që PS-ja të mos marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen më 15 nëntor. Partia Socialiste e Shqipërisë nuk mund dhe nuk do të behet pjesë e një tjetër procesi zgjedhor të manipuluar, jashtë standardeve, që shkel ligjin dhe deformon vullnetin e shqiptarëve”, - tha Dade. Ajo shtoi gjithashtu se Kryesia ka diskutuar edhe axhendën politike të PS-së, e cila do të jetë mjaft dinamike në periudhën tetor – dhjetor 2009. Sipas Dades, Kryesia ka diskutuar edhe mbi organizimin e zgjedhjeve në organizatat socialiste dhe ngritja e grupeve të punës për përmirësime statutore. Ajo shtoi gjithashtu se një pikë tjetër e mbledhjes së Kryesisë së PS-së është dhe riorganizimi i organizatave socialiste në emigracion.

14 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›