E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Tiranës liron Petrit Cakrrin



Laureta Rryçi

Reforma e vërtetë në Forcat e Armatosura pritet të realizohet gjatë këtyre muajve. Drejtuesit e FA-së dhe ministri i Mbrojtjes janë në pritje të miratimit të strukturës së re nga Presidenti i Republikës. Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes shpjeguan dje për gazetën “Albania” se menjëherë pas miratimit të kësaj strukture do të nisë dhe puna për Shtabin e Përgjithshëm. Të njëjtat burime shpjeguan se brenda strukturës së FA-së pritet që të bëhet një rishikim i të gjithë bazës ligjore, rishikim i të gjitha strukturave, shpërndarje më të mirë të forcës, duke parë edhe ndryshimin e tabelave të organizimit dhe të pajisjeve. E thënë ndryshe, për secilin ushtarak do të ekzistojë një program monitorimi nga dita që bëhet pjesë e këtyre strukturave e deri në ditën kur mbush moshën për daljen në pension. Me vendosjen e këtij sistemi do të jenë njësoj të monitorueshëm si ushtari profesionist, ashtu dhe ushtaraku që mban gradën më të lartë.
Rishikimi
Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes shpjeguan se gjatë këtyre ditëve, drejtues të FA-së po diskutojnë me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, të gjitha listat e njerëzve që do të caktohen në strukturat që do të menaxhojnë buxhetet për ushtarakët. Pritet të eliminohet i gjithë personeli që nuk njeh programin e buxhetit. Kalimi në një strukturë të re i ka vënë ushtarakët shqiptarë që të hartojnë edhe legjislacion të ri. Sipas burimeve, pritet që të rishikohen dokumentet kryesore në bazë të të cilave funksionojnë Forcat e Armatosura. Kështu, rishikim pritet të ketë Strategjia Kombëtare, Strategjia Ushtarake e deri të ligji i autoriteteve, ligji i gradave, strategjia e menaxhimit të personelit etj. Por, ajo që pritet të sjellë më tepër impakt do të jetë reformimi i personelit. Gjatë rishikimit, të gjithë ata persona për të cilët do të konstatohet se janë në një pozicion jashtë gradës që mbajnë, do të preken nga reforma.
Vërejtjet
Forca e Armatosur shqiptare është në ndjekje të vazhdueshme dhe të monitoruar nga komandat kryesore të NATO-s. Është Komanda e Transformimit (ACT) në Norfolk (Virxhinia) të Amerikës; është Komanda Operacionle (ACE) në Mons të Belgjikës; është Komanda e Napolit, e cila ka në kujdestari direkte dhe ndjek ecurinë e reformave. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm ndjek në vazhdimësi ecurinë e këtyre reformave duke hartuar plane konkrete përsa i përket menaxhimit të personelit, stërvitjes, operacioneve dhe pajisjeve që duhet të blihen. Gjatë konferencës së pak ditëve më parë, përfaqësuesit e NATO-s fillimisht vlerësuan pozitivisht ecurinë e reformave, megjithatë, gjatë fjalimeve që mbajtën nuk kursyen edhe vërejtjet duke nxjerrë në pah pikat e dobëta të Ushtrisë shqiptare. Të gjithave këtyre vërejtjeve u sugjeruan që t’u jepej përparësi nga ushtarakët shqiptarë për t’i zgjidhur në një kohë sa më të afërt. Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes sqaruan dje se bashkë me ekipet e NATO-s, që morën pjesë në këtë konferencë, është përpiluar një plan i detajuar për të gjitha problemet kryesore. Një nga këto probleme është menaxhimi i personelit. Aktualisht, menaxhimi i personelit është i ndarë në disa struktura. Në lidhje me këtë çështje, madje, është hartuar edhe struktura e re. Në strukturën e re pritet të bëhen të gjitha përpjekjet që të centralizohet menaxhimi i personelit. Problem tjetër që është evidentur nga të huajt është menaxhimi i fondeve, ose e thënë me fjalë të tjera: programimi i buxhetit dhe harxhimi i fondeve në mënyrën e duhur. Kërkohet përdorimi më mirë i njerëzve të kualifikuar në kurset e menaxhimit të burimeve të Mbrojtjes, që të vendosen në ato struktura që kanë të bëjnë me programimin dhe buxhetin.
Fondet për blerjen e pajisjeve të reja duket se janë një tjetër problem për drejtuesit e Forcave të Armatosura. Përfaqësuesit e NATO-s kanë konstatuar se të gjitha fondet që janë caktuar për blerjen e pajisjeve të reja deri tani kanë rezultuar që shtyhen muaj pas muaji.

Si do të zgjidhet çështja e municionit të tepërt

Asgjësimi i këtij municioni të tepërt është edhe një nga objektivat kryesore të Forcave të Armatosura. Aktualisht po punojnë agjenci të NATO-s, në bashkëpunim me grupin e punës së CUBIC-ut që është në vendin tonë. Janë aktivizuar dy fabrikat ushtarake për demontimin e municioneve, ajo e Mjeksit në Elbasan dhe atë të Poliçanit. Tani është në proces aktivizimi i fabrikës së tretë, ajo e Gramshit. Është vënë një limit për asgjësimin e këtij municioni, dhe afati është deri në vitin 2014.

14 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›