Krimet e Rënda, “dështon” dëshmia me videokonferencë
Laureta Rryci
Drejtësia shqiptare nuk është në gjendje të sigurojë një dëshmi me videokonferencë. Pas fasadës të godinës së re, sallave me kushte bashkëkohore, sërish Gjykata e Krimeve të Rënda duket se është ende e papërgatitur për të marrë përsipër forma të ndryshme për të dhënë dëshmi në procese të bujshme. Kolegji penal që po gjykon dosjen për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas u detyrua dje të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë për arsye teknike. Në të vërtetë, kërkesa për të marrë dëshmi me anë të videokonferencës nuk është ndonjë risi për gjykatat shqiptare. Rreth dhjetë vite më parë, Gjykata e Tiranës e realizoi një dëshmi të tillë në një nga proceset më të bujshme të asaj kohe. Gjatë procesit për vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, një prej dëshmitarëve, Astrit Muldaka, dëshmoi nga Italia.
Kërkesa
Avdyl Loshaj, personi që ka deklaruar se u rrëmbye nga punonjësit e SHIK së bashku me shqiptaro-maqedonasin, Rremzi Hoxha, nuk do të mund të dëshmojë për këtë çështje përmes videokonferencës, por, vetëm me anë të letër-porosie. Në seancën e djeshme gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda është bërë e ditur se teknikisht është e pamundur të realizohet lidhja me videokonferencë nga Holanda, ku ndodhet Avdyl Loshaj. Nëse do të realizohej kjo dëshmi, do të mundësohej pyetja e drejtpërdrejtë e tij në seancë nga avokatët, prokurorët dhe trupi gjykues. Kolegji penal sqaroi se e vetmja mundësi për të marrë dëshminë e tij tashmë mbetet letër-porosia që autoritetet tona të Drejtësisë do të formulojnë me të gjitha pyetjet për ta dërguar në Holandë, prej ku do të vijnë me shkrim edhe përgjigjet e pyetjeve.
Dëshmitari
Prokurori i çështjes e ka kërkuar me ngulm dëshminë nga Holanda, duke e cilësuar si dëshmi kyçe të këtij procesi. Avdyl Loshaj është një nga personat që u rrëmbye në vitin ‘95 së bashku me Remzi Hoxhën dhe Ziso Kristopulin. Avdyl Loshaj është hedhur nga kati i tretë i godinës së SHIK-ut në Tiranë pak para se të merrej në pyetje se përse kishte ardhur në Shqipëri dhe ishte prezantuar si gazetar. Ai është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku ka gjetur sërish një mundësi të largohet. Gjatë procesit, një nga dëshmitarët shpjegoi se e kishte ndihmuar Loshajn të largohej nga Shqipëria në mënyrë të paligjshme, duke kaluar kufirin nga Kukësi për në Kosovë. Sipas dëshmitarit që ishte roje në një konvikt femrash në Qytetin Studenti, për t’i mundësuar largimin Loshajt jashtë Shqipërisë kishte hyrë si ndërmjetëse një vajzë studente, e cila është prezantuar si e fejuara e tij.
Somario
Kolegji penal sqaroi se e vetmja mundësi për të marrë dëshminë e Loshajt mbetet letër-porosia
Boc
Seanca, dëshmon ish-punonjësja e Remzi Hoxhës
Gjatës seancës së djeshme ka vijuar dëshminë një tjetër dëshmitare e thirrur nga prokurori i çështjes. Ruzho Kërcnini, punonjëse e punishtes së duraluminit “Albatros” në pronësi të biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Ajo rrëfeu se ka parë momentin e rrëmbimit duke qenë se atë ditë ishte në punë, si gjithmonë. Kërcnini tregoi se ka qenë duke hyrë në magazinën e punishtes kur ka parë se një makinë është afruar aty. Fillimisht ka menduar se ishte ndonjë nga klientët që vinin për të dhënë porosinë e radhës. Por më pas ka parë dy persona që zbritën prej saj, të cilët kanë kapur prej krahësh biznesmenin shqiptaro-maqedonas dhe e kanë futur në makinë, që më pas është larguar me shpejtësi. Ajo ka thirrur më pas një prej kolegëve të punës dhe është përpjekur të fiksojë targën e automjetit, por nuk ia ka arritur. Më pas, ajo, bashkë me kolegun e saj, të njëjtën situatë e kanë rrëfyer edhe në Komisariatin Nr. 3 në kryeqytet, ku dhe kanë rrëfyer atë që kanë parë.
Gjykata e Tiranës liron Petrit Cakrrin
Petrit Cakrri fiton lirinë. Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës urdhëroi lirimin nga burgu të Petrit Cakrrit, i njohur si një nga dëshmitarët e vrasjes së Azem Hajdarit më 12 shtator 1998. Sipas vendimit të gjyqtarit Artan Broci, Cakrri kishte mbaruar dënimin prej 10 vjet e 6 muajsh burg dhe prej 4 muajsh qëndronte padrejtësisht në qeli. Petrit Cakrri, i cili vuante dënimin në Burgun e Shën Kollit të Lezhës, kishte bërë kërkesë për lirimin e tij pasi pretendonte se i kishin kaluar katër muaj nga dita e përfundimit të dënimit. Petrit Cakrri u arratis nga burgu i Shën Kollit më 22 janar dhe më pas u arrestua më 1 maj. Cakrri u bë personazh i njohur kur dëshmoi në procesin për vrasjen e Azem Hajdarit. Petrit Cakrri, dëshmitar i vrasjes së deputetit të PD-së, Azem Hajdari, u arratis në muajin maj të këtij viti, pasi kishte marrë leje shpërblyese prej 5 ditësh. Gjatë arratisjes ai deklaroi se e ka mbaruar vuajtjen e dënimit dhe se nuk ka ndër mend që të kthehet sërish në qeli. Cakrri ishte dënuar me 6 vjet heqje lirie, dënim të cilin e kishte përfunduar me datë 15 maj 2006. Gjatë kohës që ishte duke vuajtur dënimin e parë, në datën 3 mars 2006 është dënuar për një tjetër vepër penale me 6 vjet heqje lirie për veprën e mashtrimit. Këtë dënim po e kryente në Burgun e Shën Kollit në Lezhë. Ai duhej të vuante edhe 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Policia arriti ta arrestonte disa javë më pas në Tiranë, ndërsa dje ai ka lënë qelinë.
14 Tetor 2009