E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Do të dalim me kandidatët tanë në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit



Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi se do të hynte e vetme në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit, duke paraqitur kandidaturat e saj në 5 njësitë e pushtetit vendor ku do të konkurrohet. Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, i cili theksoi gjithashtu se ky vendim i LSI-së nuk cenon aspak koalicionin qeverisës me Partinë Demokratike. Haxhinasto tha se LSI-ja nuk do ta merrte këtë vendim në rast se lidershipi i Partisë Socialiste do të respektonte mandatin e saj politik dhe opozitar që i dhanë zgjedhësit më 28 qershor. “Dëshiroj të bëj publik vendimin e LSI-së për të konkurruar e vetme me kandidatët e saj në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Ky vendim i LSI-së nuk cenon aspak koalicionin qeverisës për Integrimin europian, koalicion i cili ka filluar funksionimin me rezultate të prekshme në të gjithë sektorët, veçanërisht në ata socialë. Vendimi i LSI-së është marrë duke ushtruar përgjegjësisë tona ndaj të drejtave themelore demokratike të shtetasve, të cilët duhet të kenë mundësinë të zgjedhin midis alternativave personat që do t’i drejtojnë ata në të gjitha nivelet e pushtetit. Natyrisht, ky vendim i LSI-së nuk do të ishte marrë nëse lidershipi i Partisë Socialiste do të respektonte mandatin e saj politik dhe opozitar që i dhanë zgjedhësit më 28 qershor, nëse axhenda personale e lidershipit të saj nuk do të përdorej për të shkatërruar funksionimin normal të sistemit tonë demokratik. Por, me sa duket, lidershipin aktual të PS-së nuk e lejon të marrë pjesë në zgjedhje edhe frika se historikut të gjatë të humbjeve të 28 qershorit, por edhe atyre të Ballagatit, do t’i shtohet edhe humbja në zgjedhjet e 15 nëntorit. LSI-ja do të konkurrojë në këto zgjedhje më përfaqësues të spikatur të saj, duke e konsideruar konkurrimin e 15 nëntorit edhe si një test të drejtësisë së vendimit të saj për pjesëmarrje në koalicionin qeverisës”, - tha Haxhinasto.

14 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›