Demokristianët kërkojnë hartimin e aktieve nënligjore kundër dhunës në familje
Zëdhënësja Politike e Partisë Demokristiane, Erenestina Halili, deklaroi dje gjatë një konference për shtyp, se grupi parlamentar i PDK-së do t’i kërkojë Kuvendit të ndikojë fuqishëm tek qeveria për hartimin e akteve nënligjore kundër dhunës në familje. Gjithashtu, zonja Halili u shpreh “pro çdo nisme ligjore dhe civile, që do të frenojë dhe çrrënjosë dhunën në familje”. “Partia Demokristiane vëren me shqetësim se kohët e fundit është rritur ndjeshëm dhuna në familje, e pasqyruar kjo jo vetëm në dhunime fizike, sidomos ndaj grave, por deri edhe në vrasje. Situata duket qartazi sesa vjen dhe rëndohet, duke reflektuar një traumë mjaft të rëndë të shoqërisë shqiptare, ndërkohë
që PDK në programin e saj politik dhe elektoral e konsideron familjen të shenjtë”- deklaroi Halili. Sipas saj, dhuna në familje është tronditëse jo
vetëm në planin moral dhe etik, por edhe në planin edukues, pasi ajo ndikon negativisht edhe në psikologjinë e fëmijëve, ndaj PDK nëpërmjet grupit të saj parlamentar, do të kërkojë që Kuvendi të ndikojë fuqishëm tek qeveria që të hartohen aktet nënligjore që bëjnë të zbatueshëm ligjin kundër dhunës në familje. Në këtë drejtim, zonja Halili vuri në dukje se megjithëse ka një vit,
që ligji kundër dhunës në familje është miratuar nga Kuvendi, ai deri më tani është i pazbatueshëm pasi mungojnë aktet nënligjore. Në këto rrethana, znj. Halili u shpreh se me procedurë të përshpejtuar qeveria duhet të sjellë për miratim në Kuvend aktet nënligjore, me qëllim që të marrë fund spiralja e dhunës në familje. “Partia Demokristiane siguron se deputetët e saj do të votojnë pro jo vetëm ndaj këtyre akteve ligjore, por edhe ndaj çdo nisme ligjore dhe civile, e cila synon të frenojë dhe të çrrënjosë përfundimisht psikologjinë e dhunës. Ftojmë edhe forcat e tjera politike në Kuvend dhe jashtë tij, që të mbështesin fuqimisht aksionin 'Për një familje e shoqëri pa dhunë'” - tha zonja Halili.