Nesër sadon afati i komisionit për reformën zgjedhore, palët bien dakord për një mandat shtesë
Deputeti i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Spiro Peçi, deklaroi dje se ndonëse mandati i komisionit për reformën zgjedhore përfundon së shpejti puna e tij do të vijojë me një mandat tjetër shtesë. “Puna për reformën zgjedhore do të vazhdojë dhe nuk ka arsye pse të mos vazhdojë, megjithëse më 17 dhjetor përfundon mandati i tij, i dytë shtesë”-u shpreh zoti Peçi. Sipas tij aktualisht, komisioni ndodhet në fazën e rrahjes së mendimeve dhe grumbullimit të propozimeve lidhur me çështjen e sistemit, si dhe nën sugjerimet e grupeve të monitorimit. “Përfaqësuesit e partive parlamentare në komision kanë hedhur idetë dhe shfaqur obsionet rreth sistemit elektoral. Pavarësisht se mund të duket që puna në komision ecën ngadalë apo është
në 'pasivitet' kjo nuk do të thotë se nuk po punohet për reformën zgjedhore. Në procesin e reformimit të Kodit Elektoral partitë politike kanë preferencat
e tyre dhe çështjet për të cilat po punohet kanë nevojë të debatohen dhe duan kohën e tyre”- theksoi Peçi, ish-ministër i Drejtësisë. “Reforma zgjedhore
do të kryhet dhe realizimi i saj kalon përmes debatit”- shtoi ai. Ngritja e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore u miratua me një vendim të posaçëm të parlamentit më 17 maj 2007. Sipas këtij vendimi, komisioni kishte detyrë përgatitjen e amendamenteve të nevojshme të kuadrit ligjor,
për arritjen e standardeve në zgjedhjet politike dhe administrative. Komisioni, të cilit iu caktua një mandat tremujor pune, ka 18 anëtarë, 9 nga shumica dhe 9 nga opozita. Ai drejtohet nga dy bashkëkryetarë, përkatësisht nga PD dhe PS. Komisioni i posaçëm e ka zgjatur punën e tij me një mandat tremujor shtesë të miratuar në shtator në parlament, ndërkohë që data 17 dhjetor shënon dhe përfundimin e këtij afati. Ashtu sikurse ka ndodhur edhe për çështje të tjera të rëndësishme, parlamenti, sërish me konsensus, do të shtyjë punën për reformën zgjedhore edhe me muaj të tjerë shtesë. Çështja e zgjedhjes së sistemit zgjedhor dhe ndryshimi i pragut elektoral janë dy problemet më
të rëndësishme të kësaj reforme, që pritet të marrin zgjidhje nga komisioni zgjedhor.
Ceka: Reforma zgjedhore në rrugë të mbarë/Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, u shpreh se do të ketë një shtyrje të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. “Do të ketë një shtyrje të mandatit të komisionit, por kjo nuk është shtyrje e detyruar, kjo është një shtyrje në vazhdimësi, tradicionale, i komisioneve të Kuvendit. Asnjë komision i Kuvendit nuk ka mbaruar menjëherë punë në afatin e caktuar fillimisht, pra kjo nuk përbën ndonjë përjashtim”, tha zoti Ceka. Sipas tij, puna e komisionit është në rrugë të mbarë dhe janë formuluar në përgjithësi mendimet, në lidhje me sistemin elektoral dhe madje ka kaluar dhe në detaje, përsa i përket kodit zgjedhor të sistemit. Kreu i PAD-së u shpreh optimist në lidhje me përfundimin së shpejti të punës së këtij Komisioni Parlamentar. Duke theksuar se mbeten ende çështje të tjera të diskutueshme në këtë drejtim, zoti Ceka tha se “sigurisht që ka çështje të tjera të diskutueshme, por çështjet për të cilat u krijua Komisioni mbyllen. “Prandaj, ne nuk jemi për hapjen e çështjeve të tjera siç janë çështja e pragut. Ndryshimet që janë propozuar në kodin elektoral e përmbyllin në përgjithësi detyrën, për të cilën ishte caktuar Komisioni i posaçëm parlamentar” - tha Kryetari i PAD-së. Edhe nënkryetari i Partisë Social Demokrate, Engjëll Bejtaj, konfirmoi dje se për aq kohë sa nuk është mbaruar misioni i Komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore, mandati do të shtyhet. “Këtu nuk është çështja a mungon mandati, apo do të shtyhet mandati, por nëse do ta bëjmë reformën apo jo. Shtyrja e mandatit është një akt vetëm formal. Komisioni në radhë të parë kërkon vullnet politik, të cilin ne e kemi shprehur, ato ndryshime që ka marrë përsipër të bëjë komisioni nuk kanë nevojë për një kohë të gjatë dhe as për studime të stërzgjatura, të hollësishme”. “Është një alternativë ky sistem që kemi me korrigjimet për të evituar ‘Dushkun’ dhe alternativë tjetër është vendosja e një sistemi më proporcional, por gjithsesi pa humbur dhe imazhin e maxhoritarit, pra është ajo që ne jemi shprehur tashmë, proporcional individual”- sqaroi më tej Bejtaj, ndërsa shtoi se në këtë rast nuk do kohë shumë, mund të zgjidhen në pak ditë, por ai që ka munguar dhe vazhdon të mungojë është vullneti politik dhe vetëm ekzistenca e këtij vullneti politik do ta zgjidhte problemin. Këtu nuk është çështje afati, mund të vësh afate sa të duash, nëse nuk ke ndërmend ta bësh ai afat përsëri do mbarojë. Duke iu referuar qëndrimit të PSD-së mbi reformën zgjedhore, zoti Bejtaj tha se “ne kemi qenë të qartë dhe ngelemi të tillë deri në fund dhe duke menduar që kontributi jonë ka qenë i qenësishëm, ne i kemi dhënë të gjithë opinionet tona se çfarë mendojmë dhe si duhet vepruar”, duke uruar që dhe të tjerët të ishin në këtë pozicion. Ndërsa, duke iu referuar bashkëpunimit mes forcave politike mbi këtë çështje, ai tha se “bashkëpunimi nuk kondicionohet nga zgjatja e mandatit, pra ne kemi qenë gjithë kohës bashkëpunues në këtë komision”. “Për hir të së vërtetës, duhet të pranojmë që nuk kemi qenë ne pengesë, përsa i përket bashkëpunimit dhe mendoj që nëse ka ndonjë gjë që duhet të shikohet, është se dikush duhet të shohë pozicionin e vet” - u shpreh nënkryetari i PSD-së.
Madhi: Shpresoj që shtyja e mandatit të reformës zgjedhore të rezultojë produktive/Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi, u shpreh dje se “do të ketë një shtyrje nga Kuvendi për afatin e Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe shpresoj që do të vazhdohet përsëri me axhendën”. Në një prononcim për mediat Madhi tha se është i njohur problemi si çështja e këmbënguljes së partive të vogla, qoftë të spektrit të majtë, apo të djathtë, të cilat pretendojnë të ruajnë në radhë të parë një prag elektoral në nivelin e sistemit në fuqi. Sipas tij, ajo ç’ka është e rëndësishme është fakti se këto parti kanë kërkuar që lista e kandidatëve për deputet në sistemin proporcional të jetë fillimisht e hapur, ç’ka nënkupton që kjo shprehet në preferencën e tyre për secilin nga kandidatët me votimin e tyre, ç’ka do të thoshte më pas që për vendet që do të fitonte në Parlament secila nga këto forca politike, në bazë të sistemit propocional, të mos caktoheshin deputetë fillimisht të përcaktuar nga kryesitë e partive, por këto deputetë të vinin, sipas preferencave që kanë bërë vetë votuesit shqiptarë. “Pikërisht këtu qëndron debati i pazgjidhur midis forcave të mëdha, PS dhe PD dhe forcave të vogla politike”- theksoi kreu i Grupit Parlamentar të PR-së. Ai theksoi se “unë besoj dhe shpresoj se do të gjendet gjuha e mirëkuptimit, që në mënyrë konsensuale të kapërcehen dhe këto pengesa të krijuara në diskutimin e këtij kuadri dhe më pas, unë shpresoj që dinamika e punës së këtij komisioni të zgjedhjeve të jetë rezultative dhe nuk do të ketë probleme që do të lidhen më me interesat e partive politike, por do të jenë thjesht të një kuadri teknik”.