E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demollari-Bajko: Kjo kombëtare meritonte më shumë

Besar Bozgo
Që kombëtarja shqiptare meritonte fitoren në ndeshjen e para dy ditësh ndaj Bullgarisë, kjo nuk do shumë koment, pasi të gjithë e panë se c'farë ndodhi në tapetin e blertë të "Qemal Stafës". Nëse Skela do të shënonte në rastin më të mirë të ndeshjes, atëherë gjithcka do të shpërthente në një festë të vërtetë, por sërish fati i keq vazhdon ta ndjekë sërish përfaqësuesen kuqezi. Thënia që kombëtarja shqiptare meritonte fitoren, mbizotëronte dje në të gjitha ambjentet publike. Biseda e ditës ishte vetëm ai barazim, që kurrsesi nuk meritonte Bullgaria, e cila mbetet pothuajse pa asnjë shpresë për tu kualifikuar në Kampionatin Eropian 2008.Për ndeshjen e së mërkurës, dhe faktit që përfaqësuesja kuqezi meritonte fitoren, shprehet edhe ish-trajneri i kombëtares, Sulejman Demollari. "Për ndeshjen ndaj Bullgarisë, mund të them se meritonim më shumë. Përfaqësuesja zhvilloi një lojë të mirë, duke patur shumë raste për shënim, por që nuk u shfrytëzuan sic duhet. Kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë, mbreslënëse, duke qenë zotër të fushës. Në fraksionin e dytë, u mbrojtëm mirë, deri në mometin e golit" shprehet Demollari në prononcimin e tij. I pyetur për penalltinë e humbur të fantazistit Ervin Skela në limitet e takimit, ish-trajneri kuqezi deklaron: "Janë gjëra normale në futboll. Skela ka realizuar shumë penallti, dhe nuk mund t'i vihet faj për 11-metërshin e humbur ndaj Bullgarisë. Janë momente emocionuese, që ndodhin gjithmonë". Ish-tekniku i përfaqësueses, dhe një prej legjendave të skuadrës së Dinamos, vazhdon më tej duke u shprehur se te kjo kombëtare vihet re një ngritje cilësore, si përsa i përket futbollistëve, ashtu edhe mënyrës së lojës. "Mund të them se e rëndësishme është që në ekipin tonë përfaqësues vihet re një ngritje e madhe cilësore, si përsa i përket futbollistëve, ashtu edhe mënyrës së interpretimit të lojës në fushën e blertë. Besoj se kjo skuadër do të arrijë ta ruajë vendin e katërt në grup, deri në fund të këtyre eliminatoreve" shprehet Demollari. I pyetur për cështjen e shumëdiskutuar të rinovimit të kontratës nga ana e trajnerit Baric me Federatën Shqiptare të Futbollit, Demollari shpreh mendimin e tij duke u shprehur: "Puna e një trajneri varet nga rezultatet. Unë nuk e di se cilat janë objektivat që i ka vendosur Federata trajnerit, dhe a do të rinovohet sërish kontrata e Baric. Por, e përsëris edhe një herë, që e rëndësishme është ngritja e nivelit të ekipit përfaqësues, që mendoj se tashmë ka ndodhur, dhe këtë e shohin të gjithë. Rinovimi i kontratës i takon të dyja palëve" përfundon prononcimin e tij për gazetën, ish-trajneri i kombëtares kuqezi, Sulejman Demollari. Ndërkaq, në të njëjtën linjë mendimi, është edhe një tjetër ish-teknik i përfaqësueses sonë, Neptun Bajko. Ky i fundit shprehet se kuqezinjtë meritonin të merrnin më shumë nga sfida e së mërkurës ndaj Bullgarisë. "Duhet të merrnim më tepër, ndaj një kundërshtari si Bullgaria, që në atë mbrëmje nuk ishte në atë nivel që e njohim të gjithë, dhe që nuk tregoi impenjim maksimal në këtë ndeshje. Pjesën e parë, kombëtarja luajti shumë mirë, duke krijuar raste të shumta për shënim, por që nuk u shfrytëzuan sic duhet nga futbollistët tanë. Në fund, kishim rastin më të mirë për të fituar, por që në futboll ndodhin gjëra të tilla" shprehet në prononcimin e tij për gazetën, ish-tekniku i përfaqësueses, Neptun Bajko. Burimi: Gazeta "Sot"

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›