Istanbul BB interesohet për Arberon Lajqin
Në muajin prill, Alberon Lajqi e kishte mundësinë që t’i demonstronte vlerat e tij tek Istanbul BB dhe ka impresionuar.
Tash, ekipi turk dëshiron ta ketë në dispozicion mesfushorin e krahut, i cili aktivizohet tek ekipi suedez Hogaborgs. Talenti 19 vjeç synon që të rikthehet tek ekipi turk, ku qëndroi për një kohë në prova.
“E kam zhvilluar një ndeshje miqësore me ekipin U-21, ndërsa jemi takuar ekipi i parë me atë të bankinës. Ndeshja kishte përfunduar 3:3, ndërsa unë shënoja gol dhe dhuroja një asistim. Shkoi mirë. Stili im i lojës ishte perfekt”, tha Lajqi për mediat suedeze.
“Trajnerët dëshironin që unë të kthehesha në ekipin U-21 këtë verë, por një lëndim në këmbë më ndali, si dhe viti i fundit në shkollën e mesme”, shtoi ai.
Lajqi luan në divizionin e dytë suedez, por sytë e tij shohin më lart. Interesimi nga Istanbul BB mbetet në opsion. “Një gjë është e sigurt, do të kthehem atje”, vazhdoi ai.
Në Suedi, Lajqi e ka takuar lojtarin suedez Emir Kujovic, i cili luan në Kayserispor. “Jemi takuar duke u rikthyer dhe kishim kohë që t’i ndërronim disa llafe. Ai më foli vetëm gjëra pozitive për futbollin turk dhe për mënyrën se si e kanë mundësinë të zhvillohen lojtarët”, përfundoi Lajqi.