E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hitzfeld e parashikoi shkëlqimin e Shaqirit

Nëse jo të gjithë, ishte një person që e dinte se Xherdan Shaqiri do të shkëlqente të martën ndaj Bullgarisë. Ai ishte selektori Ottmar Hitzfeld, i cili duke u bazuar në punën që po e bën mesfushori shqiptar, kishte parashikuar ‘shpërthimin’ e 19 vjeçarit. Dhe kështu ndodhi. Ylli i Baselit shënoi tri gola dhe e afroi Zvicrën tek Euro 2012. Mesfushori gjilanas ndihet mirë që e ka fituar besimin e trajnerit gjerman dhe që i ndihmoi Helvetikët. Nga Express më 08 shtator 2011 në ora 12:09

Selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, e kishte parashikuar para ndeshjes se Xherdan Shaqiri do të shkëlqente në përballje me Bullgarinë të martën mbrëma. “Shaqiri do ta bëjë një ndeshje të madhe”, kishte thënë trajneri gjerman në konferencë për shtyp.

Dhe ashtu doli. Mesfushori kosovar ishte hero i helvetikëve duke realizuar tri gola dhe duke ia shtuar gjasat Zvicrës që të kualifikohet në Euro 2012. Ylli i Baselit ndihet i kënaqur që Hitzfeld beson në kualitetet e tij. Ai është krenar me lojën që e bëri, por për 19 vjeçarin më me rëndësi është suksesi i grupit.

“Nëse e ka thënë këtë, mund ta shihni se sa ka njohuri për futbollin Hitzfeld. Trajneri ka eksperiencë të mjaftueshme. Ai e ka parashikuar këtë para lojës. Unë pata paraqitje të mirë, por për mua më me rëndësi ka që ne e fituam ndeshjen”, theksoi Shaqiri për magazinën zvicerane Blick.

Ndërkohë, ish trajneri i Bayern Munichut nuk ka mbetur pa e lavdëruar edhe pas ndeshjes Xherdanin e tij. “Kundërshtari mundohet ta ndalë të majtën e Shaqirit, por u pa se ai mund të shënojë edhe me të djathtën. Ai ishte mjaft i fokusuar në stërvitje, kam diskutuar me të për një kohë. Ai kishte nevojë për mbështetje. Shaqiri është lojtar inteligjent dhe ka qëndrim të fortë. Kur punoni mirë në stërvitje, sigurisht se do të shpërbleheni në fushë”, deklaroi Hitzfeld.

Për futbollistin nga Gjilani nuk munguan fjalët e mira as nga shokët e Kombëtares. “Ekziston një periudhë kur një lojtar i vendos të gjitha. Xherdani vrapon pa ndërprerë, është në një formë të shkëlqyeshme. Por, ai gjithashtu kontribuoi dhe luajti për ekipin dhe kjo iu shpërblye. Ndihem mirë për të dhe për skuadrën”, deklaroi sulmuesi i Kombëtares zvicerane, Eren Derdiyok.

Përpos Shaqirit, për Zvicrën ndaj Bullgarisë nga minuta e parë luajtën edhe tre futbollistë tjerë shqiptarë: Blerim Xhemajli, Admir Mehmedi e Granit Xhaka. Por, ylli i mbrëmjes ishte Xherdan Shaqiri, të cilin e ngritën në qiell mediat zvicerane.

Wenger humbi shumë

Xherdan Shaqiri realizoi tre gola për Zvicrën, për t’i treguar Arsene Wengerit se çka ka humbur, shkruajnë mediat angleze. Menaxheri i ‘Topçinjve’ dështoi ta transferonte 19 vjeçarin nga Baseli gjatë verës, edhe pse interesimi i ekipit londinez për yllin kosovar nuk mungoi. Tash, pasi dështoi ta bëjë të vetin, me siguri trajneri francez është pishman. Por, kjo nuk do të thotë se përfaqësuesi zviceran nuk do të jetë objektiv i Wengerit në afatin kalimtar të dimrit, ose të verës së ardhshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›