Shfrytëzonte nipin për lypësi e prostitucion, arrestohet daja
Korçë- Shfrytëzon nipin 9-vjeçar për prostitucion dhe lypës, pranga tutorit. Një ngjarje e rëndë ka shokuar opinionin publik në qytetin juglindor. Një 45-vjeçar ka përfunduar në arrest, teksa është vërtetuar pas një pune disa javore se mbante në kryeqytet dhe shfrytëzonte seksualisht kundrejt pagesës, nipin e tij vetëm 9 vjeç. Madje, sikur të mos mjaftonte dhënia e fëmijës tek pedofilët, kundrejt pagesës, ai e nxirrte atë si lypës nëpër rrugët e Tiranës.
Ngjarja
Gjithçka ka nisur në qytetin e Korçës, nga shtetasi Arben Hajdinallari, 45 vjeç, banor i lagjes 6. Disa kohë më parë, ky shtetas ka tërhequr drejt Tiranës djalin e motrës së tij, me inicialet K.M. Pas mbarimit të shkollës, daja ka marrë fëmijën në Tiranë me lejen e prindërve të tij, nën preteksin e disa pushimeve. Por askush prej këtyre të fundit nuk mund ta mendonte se ai do të transformohej në një mundësi fitimi të pistë dhe një abuzim i pamëshirshëm nga të rriturit, me klientët që i siguronte daja i tij. Në Tiranë, duke iu referuar burimeve të policisë, mësohet se Hajdinallari e jepte te klientë të ndryshëm kundrejt pagesës, të cilët abuzonin seksualisht me vogëlushin. Nga ky shërbim i çmendur, ai ka fituar plot 400 mijë lekë, shumë të cilën e kishte vënë mënjanë. Por të njëjtat burime bëjnë me dije se përveç kësaj, 9-vjeçari i dhunuar seksualisht punonte edhe si lypës, ndërsa të hollat që siguronte i dorëzonte tek daja i tij, i cili për më tepër e ka keqtrajtuar fëmijën të mos tregojë tek të afërmit e tij. Një sinjal i ardhur tek prindërit e fëmijës, kanë nxitur dyshime tek këta të fundit. Më pas gjithçka ka përfunduar në Policinë e Korçës, e cila në kohë ka vepruar duke dokumentuar dhe aktivitetin kriminal të autorit të kësaj ngjarje të shëmtuar.
Operacioni
Drejtoria e Policisë në Korçë gjatë orëve të mbrëmjes të së hënës ka bërë të mundur arrestimin e Arben Hajdinllarit. Operacioni i koduar “Porosia’ ka nisur gjatë mëngjesit dhe vetëm në mbrëmje të po kësaj dite është finalizuar me prangosjen e të lartpërmendurit. 45-vjeçari akuzohet për “Shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”, si dhe “Keqtrajtim i të miturve”, bëjnë të ditura burime të policisë lokale. I ndaluari sapo kishte mbërritur në Korçë nga Tirana, ndërsa prokuroria e Korçës ka nxjerrë urdhrin e arrestit për këtë person. Irena Vreto