E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demonstruesit kroatë përleshen me policinë

Nga Express më 26 shkurt 2011 në ora 17:41

Qindra demonstrues janë përleshur të shtunën në qendër të Zagrebit me policinë, e cila ka përdorur shkopinjtë dhe gazin lotsjellës për të mos lejuar turmën që t’i afrohej ndërtesës së Qeverisë kroate.

Në përleshje janë lënduar shumë demonstrues, të cilët nga kafenetë e afërme kanë hedhur karrige dhe tulla mbi policinë.

Deri te përleshjet ka ardhur kur një grup demonstruesish, të cilët po protestonin në sheshin “Jellaçiq” kundër, siç është thënë, përndjekjes së veteranëve kroatë të luftës, u nis drejt selisë së Qeverisë në sheshin “Marko”, ku janë ndeshur me forca të shumta policore, të cilat nuk i kanë lejuar që të hyjnë në ndërtesë.

Demonstruesit, kryesisht të rinj, kanë nisur të gjuajnë me tulla, ndërsa policia ka hedhur gaz lotsjellës dhe ka ndërhyrë me dhunë.

Pas orës 15.00, policia ka shpërndarë qindra protestues në sheshin qendror të qytetit, ndërsa forca të mëdha policore kanë vendosur kordonë në kalimet që çojnë për te selia e Qeverisë.

Në sheshin “Jellaçiq” po vazhdon protesta e qetë, të cilën e ka organizuar shoqata e veteranëve kroatë të luftës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›