E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demontimi, dëshmia:Pse u shmang Mjekësi u vendos Gërdeci

TIRANë-Dëshmitarë të tjerë të akuzës dëshmuan sot në Gjykatën e Tiranës, në seancën e radhës për çështjen "Gërdeci", e cila numëron 29 të pandehur, në pjesën më të madhe ish -drejtues të ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ushtrisë.
Kryeinxhinieri i Uzinës Ushtarake të Mjekësit në Elbasan, Stavri çipa, dëshmoi mbi një takim të gjerë të zhvilluar në 28 Shkurt të vitit 2007 me drejtues të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë lidhur me aleternativat e mundshme për realizimin e procesit të demontimit të municioneve ushtarake.
Gjatë asaj mbledhjeje, kujtoi dëshmitari, u sugjerua që një pjesë e municionit, kryesisht atij të lehtë, fishekë, të mund të demontoheshin në Uzinën Ushtarake të Mjekësit, e specializuar për këtë proces.
“Por, ky sugjerim u rrëzua nga drejtuesit e atëhershëm të Ushtrisë, i pranishëm në mbledhje dhe Luan Hoxha, me pretendimin se demontimi i fishekëve në këtë Uzinë kishte një kosto më të lartë se ai në linjën e demontimit në ish- repartin ushtarak të Gërdecit”, pohoi dëshmitari çipa.

Por pas deklaratës së Cipas, në seancë sot reagoi dhe i pandehuri Ylli Pinari, ish-drejtuesi i MEICO. Pinari theksoi se përfaqësuesi amerikan i Sac, Patrick Henry i këshilloi me anë të një emaili elektronik se në rast se municionet demontoheshin në Mjekës do kishte humbje të mëdha. “Henri tha se humbjet ndodhnin pasi mbetjet e demontimit do të digjeshin".

Seanca vijoi me dëshmitarë të tjerë të prokurorisë, disa nga të cilët ish- punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes.

Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur.

çështja “Gërdeci” konsiderohet më e madhja në historinë gjyqësore në këto vitet e fundit, me 29 të pandehur dhe mbi 300 dëshmitarë, të cilët aktualisht janë duke dhënë dëshmitë e tyre para Gjykatës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›