“Dëmshpërbleni viktimat e policisë”
• Tre persona të kërkuar nga drejtësia hyjnë në një banesë për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë. Ata rrëmbejnë vajzën e mitur të familjes nga Berati për t’i bërë presion policisë, se nëse nuk tërhiqej, do ta vrasin fëmijën.Trazhgim SokolajTë kërkuarit e qëllojnë vajzën 7-muajshe me armë zjarri në këmbë, ndërsa po shkëmbenin zjarr me policinë. Pas disa viteve mjekim vajza humbet këmbën, ndërsa kurimi kishte kushtuar shumë për familjen e saj. Një person vdes si pasojë e keqtrajtimeve gjatë kohës që po merrej në pyetje në policinë e Korçës. Ndërsa një qytetar tjetër i pafajshëm qëllohet me armë në fshatin Lazarat, gjatë një përleshje të policisë me personat e kërkuar që fshihen në këtë zonë. Këto janë tre raste ngjarjesh të rënda të ndodhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilat janë përfshirë në një rekomandim që Avokati i Popullit ka dërguar këto ditë në adresë të Avokatit të Shtetit, Ministrisë së Brendshme dhe Drejtësisë si dhe Policisë së Shtetit. Në rekomandim kërkohet që policia t’i analizojë mirë rastet kur u ka shkaktuar dëme qytetarëve. Policisë i kërkohet të mos bëhet pengesë për dëmshpërblimin e qytetarëve që kanë pësuar nga veprimet ose mosveprimet e policisë dhe që kanë bërë padi në gjykatë duke kërkuar dëmshpërblim.AnkesatRekomandimi i Avokatit të Popullit duket se ka marrë shkas nga ankesat që qytetarët e dëmtuar kanë paraqitur në këtë institucion. Ankesat e qytetarëve janë bërë lidhur me gjyqet ku si palë e paditur ka qenë Policia e Shtetit. Kjo e fundit ka penguar gjykatat që ato të vendosin dëmshpërblim financiar për personat e dëmtuar nga policia. Sipas Avokatit të Popullit, ankesat janë trajtuar me kujdes, sepse kanë pasur të bëjnë me veprime arbitrare dhe të paligjshme të punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilësuara si shkelje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe që kanë sjellë pasoja të rënda, si vdekjen ose plagosjen e rëndë të shtetasve. Edhe në rastet kur gjykatat kanë vendosur që policia të dëmshpërblejë viktimat e veprimeve të saj, pagesat financiare mësohet se janë bërë me disa vite vonesë. Në rekomandim citohet rasti i familjes nga Berati, e cila është dëmshpërblyer për dëmin e shkaktuar vetëm gjashtë vite pasi personat e kërkuar morën peng vajzën dhe e qëlluan atë me armë zjarri në këmbë. Për kurimin e të miturës, familja e saj ishte detyruar të shiste shtëpinë dhe tokën, pasi shpenzimet ishin të papërballueshme. Një tjetër rast që përmendet në dokument është ai i Gazmend Tahirllarit. Ky person ka gjetur vdekjen si pasojë e keqtrajtimeve në policinë e Korçës. Për këtë ngjarje u dënuan penalisht pesë efektiva policie, të cilët u shpallën fajtorë. Familja e viktimës kërkoi dëmshpërblim nga policia përmes një procesi civil në gjykatë ,por gjatë procesit përfaqësuesit e rendit dhe të Avokaturës së Shtetit nuk ishin dakord me dëmshpërblimin e viktimave. “Punonjësi i policisë që ka shkaktuar vdekjen e viktimës ka qenë me shërbim dhe në kryerje të detyrave të besuara prej saj për ruajtjen e rendit, parandalimin dhe ndjekjen e krimeve e mbrojtjen e qytetarëve”, thuhet në rekomandim.KonfliktiNë tre rastet e përmendura në rekomandimin e Avokatit të Popullit, qytetarët kanë qenë në konflikt gjyqësor me policinë. Edhe në rastet kur gjykatat kanë vendosur dëmshpërblimin e qytetarëve, përfaqësuesit e policisë dhe Avokatit të Shtetit kanë apeluar vendimet, duke u bërë pengesë për dëmshpërblimin e viktimave të policisë. Avokati i Popullit citon se ky qëndrim i mbajtur nga përfaqësuesit e Avokatit të Shtetit dhe juristët e drejtorive në qarqe, që kanë përfaqësuar policinë në këto gjyqe, jo vetëm që nuk është objektiv, por është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, të njohura dhe të pranuara edhe nga vendi ynë. Nga ana tjetër, qëndrimi i mbajtur nga juristët e policisë dhe Avokatit të Shtetit ka ndikuar negativisht edhe në imazhin e këtyre institucioneve tek të afërmit e viktimave. Vajza 7-muajsheMë 4 mars 1999 në fshatin Probrat të Beratit, tre persona të kërkuar që ndiqeshin nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë hyrë në shtëpinë e Belul Dervishit dhe kanë marrë peng vajzën e vogël 7-muajshe, të quajtur J.Dervishi. Gjatë asgjësimit të personave të kërkuar nga forcat policore është plagosur rëndë në bark dhe në këmbën e saj e mitura J.Dervishi. Menjëherë asaj i është dhënë ndihma e shpejtë, duke e çuar në Spitalin Ushtarak. Asaj i është prerë këmba e djathtë dhe ka qëndruar një kohë të gjatë në spitale brenda dhe jashtë vendit, duke bërë shpenzime të mëdha për mjekimin e saj. Për këtë rast familja kërkoi dëmshpërblim nga policia, por juristët e kësaj të fundit dhe Avokatit të Shtetit kanë qenë kundër. TahirllariMë 3 janar 2003 ka ndodhur vrasja e Gazmend Tahirllarit. Viktima ishte shoqëruar në ambientet e policisë së Korçës, ku sipas gjykatës pas keqtrajtimit nga pesë punonjës policie Tahirllari gjeti vdekjen. Për këtë ngjarje u dënuan penalisht pesë punonjës të policisë së Komisariatit të Korçës. Pas dënimit të pesë policëve, prindërit e viktimës ngritën padi civile kundër organeve të policisë në Korçë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Tiranë, me anë të të cilës kërkuan shpërblimin e dëmit. Gjykata e Faktit dhe e Apelit në Korçë rrëzoi kërkesën e familjarëve, ndërsa çështja ndodhet në Gjykatën e Lartë. Edhe në këtë rast, përfaqësuesit e policisë nuk kanë qenë dakord me dëmshpërblimin e të dëmtuarve. LazaratiMë 27 tetor 2004, në fshatin Lazarat të Gjirokastrës është zhvilluar një aksion nga forcat speciale të repartit RENEA, me qëllim kapjen e personave me precedentë penalë në atë fshat. Gjatë aksionit nga policë të mbuluar me maska në fytyrë, është qëlluar me armë zjarri. Si rezultat ka mbetur i plagosur shtetasi Altin Bejko, i cili në atë moment ndodhej në lokalin e familjarëve të tij në atë fshat. Të plagosurit i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore, duke u kryer edhe operacione dhe vizita herë pas here jo vetëm në spitalin e Gjirokastrës, por edhe në spitale të tjera në Tiranë. Gjykata e Gjirokastrës pas padisë civile kundër policisë ka vendosur dëmshpërblimin e të dëmtuarit, por përfaqësuesit e Avokatit të Shtetit e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke e apeluar atë. 3 rastetë rënda kur policia u ka shkaktuar dëmtime serioze qytetarëve janë përmendur në rekomandimin që Avokati i Popullit i dërgoi kreut të Policisë100 milionelekë të vjetra janë llogaritur shpenzimet që është dashur të kryhen për vajzën e plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit mes policisë dhe të kërkuarve5 policejanë dënuar penalisht dhe janë shpallur fajtorë për vrasjen e Gazmend Tahirllarit, ndërsa më pas të afërmit e viktimës kërkuan dëmshpërblim financiar“Të ndërhyjë edhe Nishani e Alibeaj”TIRANE – Ankesa e Avokatit të Popullit është dërguar në adresë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi dhe për dijeni, ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, atij të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj si dhe Avokaturës së Shtetit. Kreut të Policisë së Shtetit i kërkohet të analizojë qëndrimet subjektive të mbajtura nga përfaqësuesit e organeve të rendit në disa raste të gjykimeve, kur qytetarët kanë kërkuar dëmshpërblim. Në rekomandim kërkohet që në të ardhmen përfaqësuesit e policisë në gjyqe me qytetarët e dëmtuar të mbajnë qëndrim ligjor. Avokati i Popullit kërkon gjithashtu që rekomandimi i tij t’u bëhet me dije edhe strukturave lokale të policisë në rrethe, që ato të jenë në dijeni të argumentimit ligjor. Po ashtu kërkohet që të ngrihen padi regresi ndaj punonjësve, të cilët duke përfaqësuar policinë në gjyqet me qytetarët kanë mbajtur qëndrime të ndryshme me përcaktimet e Kushtetutës dhe Konventave Ndërkombëtare. Shkresa është dërguar në adresë të ministrit të Brendshëm, për dijeni për shkak të varësisë që ky dikaster ka me Policinë e Shtetit. Ndërkaq, Avokatura e Shtetit gëzon varësi direkte nga Kryeministri dhe përfaqëson në gjykatë institucionet shtetërore në rastet kur ato kanë konflikte gjyqësore me shtetas apo me palë të treta. Në fakt, numri i padive të tilla të qytetarëve që pretendojnë se janë dëmtuar nga policia nuk është shumë i madh. Janë regjistruar një numër i kufizuar rastesh kur qytetarët u janë drejtuar gjykatave, duke kërkuar dëmshpërblim nga organet e policisë për veprimet e tyre.