Dëmshpërblimi, 8 familjet e pallatit të shembur hyjnë në grevë urie
GJIROKASTËR – Ashtu siç e kishin paralajmëruar, tetë kryefamiljarë të pallatit të shembur në Gjirokastër hynë dje në grevë urie për shkak të moszgjidhjes së problemit të dëmshpërblimit. Ata kërkojnë nga qeveria që t’u jepen fonde për shtëpitë e tyre të humbura nga shembja e pallatit 5-katësh një muaj më parë. Greva nisi ditën e hënë, në orën 12.00. Banorët u ngujuan në një garazh që gjendet pak metra larg gërmadhave të pallatit të shembur. Aktualisht janë 8 kryefamiljarë që kanë hyrë në grevë, por mësohet se edhe të tjerë do të bëhen pjesë e kësaj proteste. “Qeveria dhe pushteti lokal janë të papërgjegjshëm”, - thanë banorët, duke shtuar se asgjë nuk është bërë deri tani për ta. Pesëmbëdhjetë familjet që humbën shtëpitë kërkojnë dëmshpërblim 100 për qind për banesat e tyre. Ata ngrenë edhe shqetësimin e mungesës së transparencës në shpërndarjen e lekëve të dhëna nga donatorët për ta. Aktualisht këto familje jetojnë në shtëpi me qira dhe në hotele. Më 7 nëntor u shemb një pallat si pasojë e gërmimeve që po bëheshin për ndërtimin e një pallati tjetër pak metra më tej, gjë që solli vdekjen e tre personave dhe plagosjen e tre të tjerëve. Për këtë tragjedi janë vënë nën akuzë 10 persona, ku tetë prej tyre ndodhen në qeli, pasi gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”. Dy të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Përveç dy pronarëve të firmës së ndërtimit “Arti Sh.p.k.”, janë në proces edhe zyrtarë të tjerë lokalë të Inspektoratit të Ndërtimit dhe Zyrës së Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë së Gjirokastrës.
Qytetarët e prekur nga tragjeditë në vendin tonë vetëm me atë të protestës dhe grevës mund të dëmshpërblehen. Kështu ndodhi edhe me banorët e Gërdecit, të cilët protestuan duke bllokuar rrugën nacionale për të marrë paratë e kompensimit nga shteti.
16 Dhjetor 2008