Ilion Lika: “Kush nuk më thërret në skuadër Iljaz, gjobitet”
Iljaz Lika, - kështu thirret Ilion Lika në skuadrën e tij çeçene, Terek Grozni. Pagëzuesi i portierit shqiptar është vetë presidenti i klubit dhe i rajonit të Çeçenisë, Kadirov Ramzan Ahmatoviç. Madje, bosi çeçen 32-vjeçar ka vendosur edhe një rregull ekstrem. Kush e thërret Likën me emrin e tij zyrtar, Ilion, ha një gjobë të majme. Lajmin e çuditshëm e ka pohuar vetë ish-portieri i Dinamos gjatë një interviste ekskluzive për televizionin informativ “Ora News”. 28-vjeçari trajtohet si një “mbret” në Grozni, pasi adhuruesi e tifozi i tij më i madh është vetë presidenti i klubit. “Mezi pret që unë të rinovoj kontratën me Terekun”, - është shprehur Lika për “Ora Sport”. Presidenti i Terek Groznit është një njeri shumë besimtar. Duke parë se Lika shkon shpesh për të kryer ritualet fetare në xhami, kanë krijuar edhe një “feeling” që kalon përmasat president-futbollist. Më parë, presidenti i Terekut i dhuroi një makinë “Land Kruizer” Likës, një dhuratë me vlerë 110 mijë dollarë.
“E vlerëson shumë anën fetare. Më trajton në mënyrë speciale dhe nga ana financiare jam shumë i kënaqur. Përveç makinës ‘Land Rover’, presidenti më ka blerë edhe një shtëpi”, - shton Lika. Ilioni, që tashmë edhe ai është mësuar me emrin Iljaz, jeton në një qytet rus dhe në Grozni shkon me një avion special çarter për ndeshje. “Nuk e di si ia kam fituar zemrën, ndoshta nga paraqitjet e mia të mira, por bashkë me presidentin kam kaluar pushime të mrekullueshme në Dubai e Mekë. Në shenjë vlerësimi do të më japë edhe pasaportën çeçene, pasi për të luajtur me Kombëtaren ruse as që bëhet fjalë, pasi edhe sikur të më ftonin nuk ka asnjë mundësi teorike pasi kam zhvilluar ndeshje me Shqipërinë”. Terek Grozni, me 35 pikë të grumbulluara në 30 ndeshje, u rendit në vendin e 10-të me 3 midis 16 skuadrave (Rubin, kampion me 60 pikë). 28-vjeçari është rikthyer në Shqipëri pas përfundimit të kampionatit rus dhe po stërvitet te Tirana.
Ujkani, përvoja “Seria A” nis nga stoli
Edhe pse në stol te Palermo, portieri Samir Ujkani po fiton eksperiencën e nevojshme në një kampionat të fortë si Seria A. Gardiani i Kombëtares U-21 dhe asaj A shqiptare po përgatitet kështu nga trajneri Balardini për të qenë në një të ardhme edhe në katërkëndëshin e skuadrës siçiliane, në vend të Amelias.
Palermo e tij fitoi 2-0 kundër Sienës (një ekip i përfolur si e ardhmja e Klodian Duros gjatë merkatos dimërore). Ujkani është shndërruar në një alternativë të besueshme në skuadër, parë edhe faktin se Alberto Fontana tashmë nuk thirret më në 18-shen e Palermos.
Cana: “Barazimi kundër Lionit, jo i keq”
Të dielën në mbrëmje, Olimpiku i Marsejës i kishte të gjitha shanset të kryesonte kampionatin francez nëse Marseja do të fitonte me Olimpikun e Lionit në “Gerland”. Marseja e kapitenit shqiptar barazoi pa gola në Lion kundër kampiones në fuqi të Francës. Edhe pse Lioni dominon prej shtatë sezonesh kampionatin francez, kundrejt Marsejës nuk ka rezultate të mëdha: në gjashtë takimet e fundit midis tyre, Marseja ka fituar dy takime, barazuar tre dhe humbur një ndeshje. Trajneri Erik Gerets në dhomat e zhveshjes dhe kapiteni Lorik Cana në fushë e udhëhoqën Marsejën drejt një rezultati pozitiv. Kapiteni olimpien Lorik Cana (25 vjeç, 15 ndeshje në kampionat për këtë sezon, 1303 minuta lojë, 4 kartonë të verdhë) e vlerëson si pozitive performancën e Marsejës: “Një barazim nuk është i keq kundër Lionit”. Faqja e njohur sportive goal.com në versionin e saj në gjuhën frënge i kishte dhënë notën 6 Lorikut. “Kapiteni e bëri shumë mirë punën e tij dhe nuk dështoi në asnjë rast”. Më i miri nga Marseja ishte portier Stiv Mandada me notën 6.5. Loriku deri tani ka zhvilluar 179 ndeshje në Ligën e parë franceze, duke shënuar në total 7 gola. Marseja, që ka dhe sulmin më të mirë në kampionat me 33 gola, vazhdon aventurën në Kupën UEFA. Për t’u rikthyer te renditja e kampionatit francez, Lioni udhëheq pas 18 ndeshjesh me 35 pikë, tri më shumë se “trioja”, Marsejë, Bordo e Paris Sën Zhermen nga 32 pikë. Rene ka 31 pikë, ndërsa Tuluzë 30 pikë. Marsejës i mungon titulli kampion qysh nga viti 1993 dhe Lorik Cana së fundi ka pohuar se do të largohet në rast se nuk do të arrijë të fitojë diçka me skuadrën e tij.
“Helmohet” Anorthosis i Arian Beqajt
Fushata e parë e Anorthosis Famagusta në Ligën e Kampioneve përfundoi javën e kaluar, por telashet te skuadra kampione e Qipros, ku militon edhe portieri Arian Beqaj, nuk kanë të përfunduar. Shtatë lojtarë të skuadrës së parë u helmuan nga ushqimi përpara ndeshjes së të dielës, të fituar 1-0 kundër AEK Larnakës. Trajneri Temuri u përball me një krizë të madhe pasi Konstandinos Samaras, Andreas Konstantinou, Georgios Panagi, Ioannis Skopelitis, Nicos Katsavakis, Klimenti Tsitaishvili dhe Sinisha Dobrashinoviç u helmuan nga ushqimi. Lajmi jepet nga faqja zyrtare e UEFA-s. Trajnerit 40-vjeçar gjeorgjian i duhej të bënte edhe me mungesën e yjeve të skuadrës, Trajano Dellas, Savio dhe portierit Arjan Beqaj. Vetëm injeksionet i sollën në vete tre lojtarët, Katsavakis, Tsitaishvili dhe Dobrashinoviç, të cilët u përdorën edhe në ndeshjen kundër AEK Larnakës, madje Dobrashinoviç shënoi edhe golin që e mbajti Anorthosisn në vendin e dytë, me dy pikë më pak se Omonia Nikosia e Klodian Duros. Për të theksuar është fakti se mesfushori Duro shënoi tre gola në fitoren 4-1 të ekipit të tij kundër APEP Kinurës.
16 Dhjetor 2008