Dëmshpërblimi, Bode kundër Alibeajt për shtimin e listës së ish-të përndjekurve
BLEDAR HOTI
Nisma e deputetit të PD-së, Astrit Bushati për ndryshimin e ligjit “Për ish të përndjekurit politikë” përplas ministrin e Financave, Ridvan Bode dhe të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Ministria Financave është kundër shtimit të skemës së përfituesve të ish të përndjekurve politikë, ndërsa dikasteri që drejtohet nga Alibeaj është pro shtyrjes së afatit dhe zgjerimit të skemës së përfituesve. Nisma e deputetit të Shkodrës, Bushati për amendimin e ligjit, duke kërkuar përfshirjen në skemën e dëmshpërblimit të motrave dhe të vëllezërve, për atë të ish të përndjekurve që s’kanë të afërm të tjerë, ka qenë objekt i debateve të ashpra në komisionin e Ligjeve, ndërmjet opozitës dhe maxhorancës. Debati më i ashpër ka qenë ai ndërmjet kryekomisionerit Rusmali dhe socialistit Pandeli Majko. Pavarësisht këtyre përplasjeve, komisioni i Ligjeve ka kërkuar që Ministria e Financave të shprehet zyrtarisht në lidhje me këtë nismë të demokratit Bushati.
Kontestimi i Bodes
Ministria e Financave hodhi poshtë propozimin e deputetit të PD-së, Astrit Bushati për të ndryshuar ligjin e “Dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë”, për shkak të rritjes të faturës financiare, si dhe bllokim të këtij procesi. Drejtoresha e buxhetit pranë Ministrisë së Financave, Mimoza Dhëmbi ka vlerësuar si të papranueshme ndryshimin e skemës së dëmshpërblimit, pasi mund të rrezikojë djegien e fondit për 2009-ën. “Shqetësimi kryesor i Ministrisë së Financave lidhet me zbatimin e ligjit në fuqi, pasi ne intensivisht kemi filluar punën për vlerësimin e dosjeve dhe të dëmshpërblimit. Kjo iniciativë e ndërpret procesin dhe e shtyn atë, të paktën një vit”, deklaroi Dhëmbi. Ajo theksoi se “në buxhet kemi vendosur një shumë prej 2 miliardë lekësh, i cili ndahet në anë të barabartë mes gjithë të dënuarve”. “Në amendim është propozuar shtyrja e afatit për pranimin e kërkesave. Kështu që ne duhet të presim sa të mblidhen kërkesat edhe 6 muaj të tjerë, të vlerësohen dosjet dhe pastaj të ndahet shpërblimi, ata që ndoshta mund të kalojë edhe vitin buxhetor, pra të ngelet pa u përdorur”, deklaroi drejtoresha e Buxhetit. Shtimi i numrit të familjarëve në skemën e dëmshpërblimit u kundërshtua nga drejtoresha Dhëmbi, për shkak se ka një kosto në buxhetin e shtetit. “Shqetësimi i dytë ka të bëjë me koston suplementare që lidhet me zgjerimin e listës së përfituesve. Kur është ndërtuar ligji dhe vendosur masa e dëmshpërblimit, është mbajtur parasysh familja në rrethin e parë të trashëgimtarëve të saj. Kështu që zgjerimi i kësaj liste, ndryshon koston financiare, gjë që sjell efekte suplementare për buxhetin e shtetit”, deklaroi Dhëmbi.
Ministria e Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë ka pranuar nismën e paraqitur nga ana e deputetit demokrat, duke sugjeruar realizimin e ndryshimeve. Drejtoresha e kodifikimit e kësaj ministrie, Marsida Xhafellari, ka bërë të ditur se edhe pas skadimit të afatit ligjor janë depozituar kërkesa të tjera nga ana e ish të përndjekurve. Ministria e Drejtësisë mësohet se është e gatshme të kontribuojë në përmirësimin e draftit të paraqitur nga deputeti i PD-së, Bushati. “Nisma synon zgjerimin e listës së veprave penale politike të përcaktuara në nenin 5 të ligjit aktual. Në Ministrinë e Drejtësisë janë paraqitur rreth 50 kërkesa nga ish të dënuarit për veprat penale që propozohen të shtohen dhe ky ndryshim është pozitiv për këtë kategori”, deklaroi Xhafellari.
Në Ministrisë së Drejtësisë janë paraqitur rreth 460 kërkesa, nga shtetas me këtë lidhje me ish të dënuarit (motra, vëllai, nipi apo mbesa) dhe ky ndryshim është pozitiv për ta. Së fundmi, Ministria e Drejtësisë sugjeron të saktësohet nëpërmjet kësaj nisme dokumentacioni provues për të internuarit në kampe me rrethim me tela me gjemba. Sugjerohet që dokumentacioni i kërkuar nga ligji aktual “vendim administrativ politik internimi që tregon edhe veprën penale politike” të thjeshtohet, duke u zëvendësuar me “akt administrativ apo dokument zyrtar që provon internimin në kamp me rrethim me tela me gjemba”.
debati ne komisionin e ligjeve
Pandeli Majko: Jam dakord me faktin që të shtohen motrat vëllezërit, bile dhe nipërit dhe mbesat, sepse në regjimin komunist, që të merrej një e drejtë studimi duhej të vije dhe gjyshin ku e ke pasur...
Ilir Rusmali: Zoti Majko, mos i futemi përmbajtjes e kërkesës procedurale.
Pandeli Majko: Të vazhdoj unë zoti Rusmali se ca gjëra nuk dimë edhe aq mirë as unë dhe as ti. Mendoj se propozimi është shumë me vend, kështu që në parim duhet të shprehemi dakord. Se ku do t’i gjejë paratë kjo qeveri apo ajo tjetra, kjo është një histori tjetër nuk i takon as Ministrisë së Financave dhe as Ministrisë së Drejtësisë. Ne po flasim për të drejtën, nuk po flasim për buxhetin.
Ilir Rusmali: Të lutem zoti Majko, ka rregulla Parlamenti
Pandeli Majko: Më lër të vazhdoj, më lër të vazhdoj
Ilir Rusmali: Zoti Majko, fjala nuk merret me forcë, mos krijoni incidente, nuk është e hijshme për ju!
Pandeli Majko: Ju lutem më lini të flas!
Ilir Rusmali: Zoti Majko ka rregulla komisioni, unë jam i detyruar që të shqyrtoj kërkesën procedurale ...
Pandeli Majko: Or ti Rusmali, më lër të vazhdoj, më lër të flas..
Ilir Rusmali: Nuk kemi kaluar në diskutimin në parim (i fik mikrofonin Majkos). Pushim, kërkoj pushim 10 minuta, ju lutem dilni pak përjashta, media
Pandeli Majko: Për çfarë?
Ilir Rusmali: Sepse nuk po respektoni autoritetin e kryetarit dhe të komisionit të Ligjeve.
Arjan Madhi: Nuk është nevojshme që ky projekt i ardhur nga deputeti të ketë një raportim dhe një rregullim më të plotë juridik, i cili mund të vijë si dhe nëpërmjet një projekti të përbashkët, pas zgjerimit të projektit nga ana e nismëtarit. Unë mendoj që qeveria me zotimin e saj dhe me programin që ka parashtruar dhe me vullnetin që do t’i japë një zgjidhje përfundimtare të kësaj çështjeje, mendoj se nuk mund të sjellë pengesë për procedura të shpejta.
Bashkim Fino: Edhe unë jam i këtij mendimi. Maxhoranca dhe qeveria kanë të drejtën të vendosin për një ligj të tillë, pasi mendoj se ka probleme ligjore dhe duhet një faturë financiare.
Ilir Rusmali: Hedhim në votim kush është për shtyrjen e shqyrtimit të këtij projektligji..
Spiro Peçi: Më fal kryetar besoj se nuk ka nevojë për votim, pasi Kushtetuta e ka të shprehur qartë se për çdo nismë duhet të shprehet Qeveria për faturën financiare
665 kërkesa
Në Ministrinë e Drejtësisë janë paraqitur, pas afatit të përcaktuar në ligj 19/12/2008 rreth 665 kërkesa, me tendencë në rritje. Ky ndryshim u jep të drejtën e përftimit të dëmshpërblimit financiar edhe këtyre aplikuesve.
5 muaj
Nisma e deputetit të PD-së shtyn afatin e depozitimit të kërkesave deri në datën 01 korrik 2009. Në bazë të ligjit aktual, në nenin 19 afati ishte gjer në datën 19/12/2008. Kjo lidhet për mundësinë e depozitimit të kërkesave të reja.
Nga privatizimet, 10 për qind
Fondi i ish-të përndjekurve pritet të shtohet dhe nga të ardhurat e privatizimet e ndërmarrjeve shtetërore. Privatizimi më i fundit ishte ai i shitjes së paketës shtetërore në AMC, në vlerë prej 43 milionë eurosh. Për ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët pritet të kalojnë 10 për qind e fondit të krijuar nga procesi i shitjes së aksioneve të AMC-së. Janë 4.3 milionë euro që do të shkojnë për fondet e dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve dhe të ish-pronarëve. Ndërsa janë përfshirë në procesin e privatizimit edhe sektorë të tjerë, si paketa e aksioneve të Albtelekomit dhe OSSH-së.
Bode: Ish të përndjekurit, fondi është 30 milionë USD
BLEDAR HOTI
Fondi për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë për vitin 2009 do të jetë 3 miliardë lekë. Një shifër të tillë e ka bërë publike Ministri i Financave, Ridvan Bode gjatë emisionit televiziv “Opinion” në TV Klan. Ministri i Financave ka bërë të ditur gjithashtu se “fondi i vitit 2008, i parashikuar në buxhetin e shtetit për këtë shtresë, do t’i bashkëngjitet për këtë vit, duke bërë që fondi të ketë rritje të ndjeshme”. Në buxhetin e sivjetshëm, qeveria ka parashikuar një fond prej 2 miliardë lekësh. Bode theksoi se këtij fondi do t’i bashkëngjitet ai i vitit të kaluar, duke bërë që shuma për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve të rritet ndjeshëm. Për të mos djegur fondin e 2008, qeveria ka përfshirë në atë të vitit 2009, duke bërë që të ketë një numër të konsiderueshëm të ish-të përndjekurve që do të përfitojnë nga shpërndarja e fondit. Ministri i Financave ka bërë të ditur gjithashtu se “së shpejti pritet të nisë procesi për shpërndarjen e fondeve për ish-të përndjekurit dhe familjarët e tyre”. Ministri i Financave ka theksuar se shpërndarja e fondit do të nisë brenda muajit shkurt. Bode, gjithashtu ka bërë të ditur se qeveria ka vendosur që 10 për qind nga fondet e privatizimeve që do të realizohen gjatë këtij viti do t’i shkojnë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politik. Ai ka përjashtuar fondet që shteti ka krijuar nga privatizimi i “ARMO”-s, pasi është një proces që është realizuar vitin e kaluar. Gjitha fondet që do të kalohet nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore do të shkojnë për ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët. Disa javë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi një listë me personat që kanë aplikuar për marrjen e dëmshpërblimit dhe që plotësojnë kriteret ligjore. Sipas informacioneve të Ministrisë së Drejtësisë, deri më tani kanë aplikuar një numër i konsiderueshëm personash. Ministria e Drejtësisë, në një njoftim për median, bën të ditur se si autoritet i njohur nga ligji për trajtimin e kërkesave në zbatim të ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist” ka përfunduar trajtimin në mënyrë të suksesshme të për mbi 1.400 kërkesave, të miratuara edhe nga Këshilli i Ministrave dhe për të cilat do të shpërndahet dëmshpërblimi financiar.
Votimi i ligjit
“Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist” u miratua në nëntor të vitit 2007. Në të parashikohej dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve të burgosur dhe ata që janë vrarë nga viti 1945 gjer më 1990. Afati i fundit i paraqitjes së dokumenteve pranë Ministrisë së Drejtësisë ka qenë 19 dhjetori i vitit 2008. Pas kësaj date, Ministria e Drejtësisë nuk ka pasur detyrimin ligjor për të pranuar kërkesa të tjera nga ana e shtresës së ish-të përndjekurve dhe të persekutuarve politikë. Ndërsa në ligj është parashikuar që shpërndarja e parave të nisë që nga janari i vitit 2009.