Dita e Pavarësisë, Dinamo barazon me Prishtinën
Stadiumi i qytetit të Prishtinës ishte stërmbushur nga dashamirësit e futbollit që kishin vërshuar në tribuna një orë para se në fushë të dilte skuadra kampione e Shqipërisë, Dinamo e Tiranës. Kjo e fundit për nder të njëvjetorit të Pavarësisë së shtetit të Kosovës luante ndeshje miqësore me skuadrën e Prishtinës, që po ashtu është kampione. Tifozët shtuan zhurmën e tyre kur në fushë dolën futbollistët e Dinamos, ndërsa muzika patriotike përcillte nxehjen e të dyja skuadrave. Një ndeshje midis dy kampionëve, të Kosovës e Shqipërisë, por tërësisht me një sfond kombëtar kuqezi, duke sfiduar motin tejet të ftohtë në stadiumin e Prishtinës.
Vonesa
Dueli miqësor mes Prishtinës dhe Dinamos nisi me një vonesë prej 30 minuta, ndërsa pak para fillimit në tribuna u paraqit numri një i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka. Ai ishte i përcjellur nga krerët e Prishtinës dhe ata të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ndeshja në fund u mbyll pa fitues, pasi skuadrat mbyllën 90 minutat në shifrat 1-1. Tahir Ademi (76’) shënoi për Prishtinën, ndërsa për Dinamon, Ruben Çeko (64’). Ky i fundit pasi shënoi gol me kokë vendosi maskën e “Spidermanit” dhe u përshëndet përzemërsisht nga tifozët. Dueli nisi pa ndonjë kërcënim për të dyja portat. Së pari në minutën e katërt Yll Hoxha gjuajti jashtë portës së Elvis Kotorit. Kundërpërgjigjet Dinamo me anë të kapitenit Arian Pisha (11). Ky nga gjuajtja e lirë gjuan pranë shtyllës së majtë të Feim Statovcit. Takimi nisi e përfundoi me duartrokitje të publikut e përqafime midis lojtarëve, të cilët dëshmuan në praninë e presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, por edhe të dy presidentëve të federatave respektivë të futbollit, Fadil Vokrit të FFK-së dhe Armand Dukës së FSHF-së, jo vetëm “Fair-Play”, se janë skuadra të një kombi ende edhe për pak kohë të ndarë.
Takimi
Kampionia e Shqipërisë, Dinamo, shënoi e para me anë të sulmuesit argjentinas Ruben Oscar Çeko në minutën e 63-të, i cili mposhti portierin e Prishtinës, Feim Statovci nga një distancë shumë e afërt. Goli i parë i një argjentinasi në një stadium të Kosovës. Kampionia e Kosovës, Prishtina, e drejtuar nga Afrim Tovërlani barazoi me anë të zëvendësuesit Tahir Ademi në minutën e 80-të me një goditje brenda zonës së vogël së Dinamos. Ai tundi rrjetën e Dinamos, pasi u shërbye nga Azem Ahmeti. Ademi zëvendësoi pikërisht Berat Hysenin, një ish-lojtar i Tiranës gjatë sezonit 2007-2008. Kapiteni i Dinamos, Arjan Pisha në fund të takimit do të deklaronte për mediat: “Së pari i uroj popullit kosovar festën e Pavarësisë dhe mbi të gjitha krejt shqiptarëve. Ishte kënaqësi e imja të jem i pranishëm në një ngjarje të tillë, ndërsa më madhështore u bë nga tifozët në tribuna”, u shpreh Pisha pas ndeshjes.
Prishtina- Dinamo 1 - 1
Golat: Ademi 76’/Çeko 64’
Prishtina: Statovci (Blakqori), Idrizi, Shabani, B. Krasniqi, Kozhani (Haliti), Hoxha (Mazrekaj), Ahmeti (Humolli), Maliqi (Mustafa), Hyseni (Ademi), Skeraj, Fetahu (V. Krasniqi).
Trajner: A.Tovërlani
Dinamo: Kotorri (Hoxha), Sina, Daja, Pisha, Bodrushiç (Delia), Poçi (Hasa), Nezaj, Graniç, Romero (Memushi), Çeko, Bakaj.
Trajner: Sh. Muça
Stadiumi i qytetit në Prishtinë
Shikues: 13.000
Arbitra: Hasani, Fejzullahu, Krasniqi
Delegacioni
Delegacioni shqiptar ka mbërritur dje rreth orës 12:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me një avion çarter të kompanisë “Albania Airlines”. Së bashku me skuadrën e Dinamos, të pranishëm në këtë miqësore festive kanë qenë edhe drejtuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, ish-futbollistë, politikanë e biznesmenë.
Dinamo Zagreb
Në fakt, ishte parashikuar që skuadra më e suksesshme e Kroacisë, Dinamo e Zagrebit, të zbarkonte në Prishtinë më 17 shkurt. Kampionia në fuqi e Kroacisë do të vinte për nder të Ditës së Pavarësisë, për të zhvilluar një ndeshje miqësore me Trepçën ‘89. Mirëpo, në momentin e fundit drejtuesit e klubit kroat kanë anuluar vizitën. Kjo detyroi palën kosovare që të ftojë Dinamon.
Shkëlqim Muça
“Pikësëpari ishte kënaqësi për ne si skuadër që morëm pjesë në këtë aktivitet festiv. Po ashtu, mendoj se kjo miqësore i shërbeu të dyja skuadrave. Kushtet jo aq të mira për lojë ndikuan paksa në ritmin e lojës. Mund të them se ishte një ndeshje relativisht e mirë dhe besoj se rezultati i barabartë ishte shumë real”, u shpreh Muça.