E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët në Itali, kushtet për kuponin e lejes së qëndrimit

 

zirina llambro

Ndonëse afati u ka mbaruar, dispozitat për lehtësirat e emigrantëve në Itali mbeten në fuqi. Këtë konfirmon Ministria e Brendshme italiane. Ndërkaq, ambasada e shtetit fqinj në Tiranë ka përcjellë udhëzimin për përdorimin e kuponit të rinovimit apo të lëshimit të parë të lejes së qëndrimit. Për të hyrë e dalë nga shteti italian për në vendin e origjinës duhet të plotësohen një sërë kushtesh. "Ngelen në fuqi dispozitat e shpërndara më parë që u lejojnë të huajve në zotërim të kuponit postar të rinovimit të lejes së qëndrimit ose të lëshimit për herë të parë të saj për punësim, vetëpunësim apo për bashkim familjar. Ata mund  të kthehen në vendet e origjinës apo të banimit të përhershëm, duke plotësuar kushtet e vendosura", thuhet në komunikatën për mediat të Ambasadës Italiane.  Kështu dalja dhe rihyrja në Itali duhet  të bëhen nga e njëjta pikë kufitare. E domosdoshme është që udhëtimi të mos parashikojë tranzit në vende të tjera Shengen. "I huaji të paraqesë pasaportën së bashku me vizën e hyrjes, në mënyrë që të kuptohen arsyet e qëndrimit (punësim, vetëpunësim apo bashkim familjar), ose me lejen e qëndrimit për të cilën ka kërkuar rinovim (kopje ose origjinalin) si dhe faturën e postës italiane", nënvizon ambasada. Sipas rregullave të vendosura, personeli i kontrolleve kufitare duhet të vulosë dokumentin e udhëtimit (pasaportën) dhe kuponin, që do të paraqiten nga personi që i zotëron, në momentin e daljes dhe rihyrjes në Itali.
Gjithashtu bëhet me dije se afati i lehtësimit me karakter të jashtëzakonshëm, parashikuar nga Qarkorja 400/C/2008/2952, ka përfunduar 31 janarin e shkuar. Këto lehtësira ishin në favor të qytetarëve të huaj, të cilët zotëronin kuponin postar të rinovimit të lejes së qëndrimit ose të lëshimit të parë për punësim, vetëpunësim apo për bashkim familjar. Këtë dokument, si mundësi për t'u kthyer në Itali, duke tranzituar përmes territoreve të shteteve anëtare. Por deri në një afat të dytë, kur të merret një tjetër vendim, Ministria e Brendshme Italiane ka gjithsesi konfirmuar se këto lehtësira do të mbeten në fuqi.
Pyetjet e emigrantëve
Disa javë më parë ekspertë të migracionit në Ministrinë e Punës i kanë dhënë përgjigje publike për disa nga pyetjet më të shpeshta të emigrantëve shqiptarë në Itali. Një pjesë e tyre janë publikuar tashmë edhe në faqen zyrtare të ambasadës. Kështu për të gjithë ata shtetas shqiptarë që janë martuar me një shtetas italianë dhe kanë paqartësi, nëse duhet të kërkojnë apo jo leje qëndrimi, ekspertët e ministrisë kanë dhënë sqarimet. "Nëse një shtetas/e shqiptar martohet me një shtetase/s italian/e dhe mban shtetësinë shqiptare, ai mund të qëndrojë pa ndërlikime dhe telashe në Itali, duke kërkuar kartën e qëndrimit si familjar i një shtetasi të BE-së", bën me dije ministria. Për të gjithë ata që kanë paqartësi, specialistët sqarojnë se nuk është e mundur të konvertosh lejen e qëndrimit si punëmarrës në kartë qëndrimi, si familjar i shtetasit italian. Kjo sepse nuk bëhet fjalë për familjarë në ngarkim të "shkallës së parë", siç e parashikon edhe Direktiva Evropiane nr.38/2004, pra për bashkëshort/e dhe prindër dhe pasardhës/fëmijë. Këtë përgjigje specialistët ua japin të gjithë emigrantëve të interesuar, të cilët në Itali kanë shkuar në suazën e Dekret-Flukseve 2007 dhe kanë leje qëndrimi si punëmarrës. Kjo sidomos për ata familjarë të shkallës së dytë të  një shtetasi italian, nga sa përcakton ligji. Këto dhe sqarime të tjera gjenden edhe në faqen zyrtare të ministrisë.

kushtet per kuponet

Dalja dhe rihyrja në Itali të bëhen nga e njëjta pikë kufitare;
udhëtimi të mos parashikojë tranzit në Vende të tjera Shengen;

I huaji të paraqesë pasaportën së bashku me vizën e hyrjes, në mënyrë që të kuptohen arsyet e qëndrimit (punësim, vetëpunësim apo bashkim familjar),

I huaji  mund të paraqesë ose  lejen e qëndrimit, për të cilën ka kërkuar rinovim (kopje ose origjinalin) si dhe faturën e postës italiane;
   
Personeli i kontrolleve kufitare duhet të vulose dokumentin e udhëtimit (pasaportën) dhe kuponin, që do të paraqiten nga personi që i zotëron, në momentin e daljes dhe rihyrjes në Itali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›