Rezonanca pa filma, pacientët përgjigje në copa letrash
Ndër ekzaminimet më të rëndësishme që diagnostikon një gamë të gjerë sëmundjesh në trupin e njeriut. Gjithkush që ka bërë një rezonancë manjetike apo një skaner, e di fort mirë se përgjigjet e tyre dalin në filma të posaçëm. Më tej, ato lexohen nga mjekët specialistë. Por nuk ndodh kështu në spitalin "Nënë Tereza". Që prej më shumë se dy muajsh përgjigjet e Rezonancës mund t'i marrësh vetëm të shkruara në një copë letër. Njësoj si një analizë e thjeshtë gjaku. Shkak për këtë është bërë mungesa totale e filmave. Këto materiale të nevojshme për këtë lloj diagnostikimi nuk dihet kur vijnë në QSU. Pasi kanë paguar paratë për shërbimin, shumë prej pacientëve janë revoltuar për këtë mangësi. "U habita kur më dhanë përgjigje në letër, sepse kisha bërë edhe më parë rezonancë të kokës dhe përgjigjet dihet që janë specifike. Kërkova sqarim e më thanë se filma nuk ka. Po pas ca kohësh mund ta marr me CD përgjigjen. As konsultë me mjekun që me ndjek nuk munda të bëj. Kjo është jo normale. Si të gjykojë mjeku problemin me hamendje, se letra dy llafe ka", shprehej i revoltuar dy ditë më parë një pacient nga Berati. Ai theksoi se për këtë problem kishte depozituar edhe pranë Drejtorisë së QSU-një ankesë. "Prej andej përgjigjja e vetme që mora ishte se nuk ka filma dhe për këtë nuk mund të bënin dot gjë për momentin", tha pacienti.
Pas zgjidhjes së krizës së ilaçeve, duket se në spitalin më të madh në vend, nuk po merr fund ajo e kryerjes së analizave. Në laboratorë mungojnë pjesa më e madhe e reagjentëve, kontrasteve të nevojshme për ekzaminimet. Në këto kushte, të sëmurët detyrohen t'i kryejnë analizat në klinikat private, ose të marrin përgjigje të cunguara. Të paevitueshme janë edhe radhët e gjata të pritjes. Ky problem, ndonëse jo hapur, pranohet edhe nga burime të sigurta pranë Drejtorisë së spitalit. "Në farmacinë qendrore të spitalit ka pasur mungesa të filmave, por pritet që ky problem të zgjidhet shumë shpejt. Për rrjedhojë përgjigjet e analizave të tilla si rezonanca jepen ose me shkrim ose nëse pacienti dëshiron mund t'i marri në CD", sqaruan burime nga Drejtoria e spitalit "Nënë Tereza". Gjithsesi, ata nënvizojnë se krahasuar me fundin e vitit të kaluar, furnizimi me materiale i laboratorëve është përmirësuar. "Në fund të 2008 nuk mund të kryheshin as analizat më të thjeshta të gjakut. Tani një pjesë e reagjentëve ka ardhur. Sërish ka mungesa, por gradualisht këto probleme do të zgjidhen. Janë të pashmangshme", vërejtën burime nga Drejtoria e QSU.