E Diel, 1 Nëntor 2026

Perspektiva e dy shteteve shqiptare në Ballkan

Mark Marku 

Dje shqiptarët kanë përkujtuar festën e pavarësisë së njërit prej dy shteteve shqiptare. Retorika patriotike, festiviteti, ceremonitë, kanë mbizotëruar ditën e 17 shkurtit, ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në pamje të parë duket se tashmë shqiptarët ndjehen mirë me dyzimin e tyre në dy shtete, të dyja të vogla dhe me mjaft probleme për momentin. Për herë të parë pas kaq vitesh, pjesa më e madhe e shqiptarëve janë të lirë, qeverisen nga qeveri shqiptare (dy), kanë shtetin e tyre (dy shtete), janë futur në rrugën e progresit dhe përjetojnë rrethana ndërkombëtare relativisht të favorshme për ta.
Megjithatë duket se realiteti i ri politik i ka gjetur shqiptarët të papërgatitur. Ky realitet i ri politik ka shtruar menjëherë problemin e parë: ç'raporte do të kenë këto dy shtete me njëri-tjetrin dhe të dyja bashkë me kombin? Prej këtej burojnë shumë pyetje, të cilave shqiptarët për arsye kryesisht politike refuzojnë t'u përgjigjen në këtë moment. Por pyetjet gjithsesi ekzistojnë dhe të formuluara pak a shumë në këtë mënyrë: A do të ketë dy shtete kombëtare shqiptare në Ballkan apo një shtet të vetëm? A mundet që realiteti politik i krijuar brenda njësive kombëtare të çojë edhe në realitete të ndryshme kombëtare? Cilën rrugë do të ndjekin në të ardhmen shqiptarët, atë të dy Gjermanive apo rrugën e Gjermanisë dhe Austrisë? E thënë shkurt, realitetet e reja politike do të çojnë drejt bashkimit apo ndarjes së shqiptarëve?
Një artific i ri si shteti i krijuar në një territor të caktuar të asaj që shqiptarët e kanë quajtur hapësirë kombëtare kërkon t'i kundërvihet një artifici të vjetër si kombi. Ky dyzim është i vështirë, sepse tek shqiptarët artifici i kombit është krijuar para krijimit të shtetit. Historiani gjerman, Friedrich Meinecke i ndan kombet dy llojesh: në kombe të shtetit dhe kombe të kulturës, koncepte këto që e kanë burimin njëri nga Russoi dhe tjetri nga Herderi. "Kombet - shprehet historiani gjerman - ndahen në kombe të shtetit dhe kombe të kulturës, në të tilla që mbështeten mbi një pasuri të caktuar kulturore që është përjetuar bashkërisht dhe në të atillë që mbështeten më së shumti në fuqinë bashkuese të një historie e të një kushtetute të përbashkët politike". Është fare e qartë se shqiptarët bëjnë pjesë në kategorinë e kombit të kulturës.
Krijimi i shtetit shqiptar në vitin 1912, ishte bashkimi i pjesshëm i njësisë kombëtare me njësinë politike për shkak se shteti i ri shqiptar shtrihej vetëm në diçka më shumë se një të tretën e territorit të bashkuar nga shqiptarët dhe kishte si shtetas të tij më pak se gjysmën e shqiptarëve që banonin në Ballkan. Pavarësisht kësaj, shqiptarët jashtë kufijve të shtetit shqiptar vazhdonin ta konsideronin veten pjesë të kombit shqiptar dhe nga pikëpamja identitare e gjenin përfaqësimin e tyre pikërisht tek shteti shqiptar dhe tek simbolika e tij. Shteti shqiptar, nga ana e tij, edhe pse i dobët nuk ka refuzuar ta pranojë atributin e përfaqësimit të shqiptarëve në botë (pavarësisht se cilësia e këtij përfaqësimi ka lënë shumë për të dëshiruar). Le të kujtojmë faktin se në jetën politike dhe parlamentare të viteve 1920-1944 elementi shqiptar i Kosovës ka patur të drejtën e përfaqësimit dhe ka qenë mjaft aktiv. Edhe më vonë shqiptarët, pavarësisht realiteteve politike të ndara kanë patur jetë të përbashkët kombëtare. Nga pikëpamja kulturore ata kanë shkuar gjithmonë drejt njesimit kombëtar dhe këtë e dëshmon periudha e pasluftës së Dytë Botërore, ku ata i sfiduan kufijtë dhe regjimet, krijuan një gjuhë të përbashkët, realizuan një komunikim kulturor të admirueshëm për kushtet në të cilat jetonin.
Pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë dhe largimit të trupave serbe, Kosova hyri në fazën e përpjekjeve për krijimin e shtetit të pavarur. Por kjo fazë u shoqërua edhe me disa përpjekje për krijimin e një kombi të ri: kombit kosovar. Përveç  ideve të hedhura në qarkullim andej e këtej kufirit, duket se në heshtje po punohet për diferencimin e dy kombeve shqipfolëse në Ballkan. A janë të atyre përmasave këto përpjekje sa të merren në konsideratë dhe a përbëjnë ato një mundësi reale për këtë diferencim kombëtar të shqiptarëve?
Nëse nisemi nga treguesit e politikës ndërkombëtare në Ballkan mund të themi se po. Po, ka aktorë politikë ndërkombëtarë që janë të interesuar që shtetit të ri të Kosovës t'i bashkëngjisin edhe një komb të ri: kombin kosovar. Presioni ndërkombëtar është i madh edhe për shkak të rrezikut fantazmagorik të krijimit të së ashtuquajturës "Shqipëri e madhe", realitet fiktiv ky i krijuar nga serbët dhe që e ka fillesën që tek libri i Vladan Gjeorgjeviçit, Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha, a ndoshta edhe më parë.
Nëse nisemi nga përvoja historike mund të themi se një gjë e tillë edhe mund të ndodhë. Në histori kemi raste kur shteti ka krijuar kombin (rasti i SHBA-së, Francës, Zvicrës), por edhe rastin kur kombi ka krijuar shtetin "Gjermania, Italia etj.".
Nëse nisemi nga treguesit konkretë, ato ekzistojnë. Simbolika është një prej këtyre treguesve konkretë. Të jemi të qartë, krijimi i simboleve të reja të ndryshme nga ato të një shteti tjetër, nga shteti shqiptar ka qenë i domosdoshëm. Problemi qëndron në faktin se kjo simbolikë është krejtësisht e re dhe qëllimshëm pa asnjë referencë kombëtare. Përpjekje të tjera janë shfaqur nga grupe dhe elementë të caktuar. P.sh., disa individë dhe grupe (për momentin pa ndonjë ndikim), kanë filluar të hedhin idenë se gjuha e Kosovës dhe gjuha e Shqipërisë nuk duhet të jenë të njëjta. Raste të tjera, ku më shumë e ku më pak shfaqen herë pas here.
Ka ardhur koha që shqiptarët dhe shtetet e tyre ta kenë një vizion për mënyrën se si do të rregullohen marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare dhe trevave të tjera shqiptare në Ballkan. Se si do të jenë pjesët në raport me kombin. Shqiptarët janë vonuar jo rrallëherë në historinë e tyre dhe kjo vonesë ka sjellë pasoja për fatin e tyre. Jo pak herë ata kanë fajësuar për këtë të tjerët. Këtë radhë të tjerët janë heronjtë pozitivë. Nëse vonohemi, këtë radhë vonohemi për fajin tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›