E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Hyjmë menjëherë në Kuvend nëse garantohet transparenca e zgjedhjeve



Shaban Sulçe

Partia Socialiste ka konfirmuar edhe njëherë qëndrimin e saj për të mos u tërhequr nga bojkoti i Kuvendit në rast të mosplotësimit të kushteve të vendosura prej saj. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, tha se Partia Socialiste do të ndërpresë bojkotin vetëm në rast se maxhoranca do të marrë në konsideratë plotësimin e kushteve, veçanërisht atë që ka të bëjë me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Opozita është e gatshme që të hyjë në Kuvend menjëherë, nëse do të mundësohet transparenca e kërkuar. Një maxhorancë që e ndien veten legjitime në pushtet dhe që është e bindur në pastërtinë e zgjedhjeve, në asnjë rrethanë nuk mund ta pengojë opozitën në hetimin dhe zbardhjen e të vërtetave që ndodhen në kuti”, - tha Gjiknuri.

Kushtet
Deputeti i Partisë Socialiste nënvizoi se kushtet e vendosura nga PS-ja jo vetëm që nuk dëmtojnë imazhin e vendit, por i shërbejnë forcimit të demokracisë dhe garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në të ardhmen. “Plotësimi i kushteve jo vetën që nuk cenon imazhin e Shqipërisë, siç pretendon Berisha, por ndikon direkt në shëndoshjen e demokracisë dhe kthimin e normalitetit në lidhje me zgjedhjet në vend”, - vijoi ai. Gjiknuri shprehu shqetësimin e PS-së në lidhje me indiferentizmin që po shfaq maxhoranca për plotësimin e këtyre kushteve, ndërkohë që i bëri thirrje kryeministrit që të mos i shmanget transparencës së zgjedhjeve. “Partia Socialiste kërkon t’i bëjë të qartë opinionit publik se marrëdhënia jonë e kushtëzuar me Parlamentin e dalë nga këto zgjedhje problematike, në vetvete nuk kërkon përmbysjen e rezultatit zgjedhor, por hedhjen dritë mbi shkeljet, identifikimin e përgjegjësve, si dhe marrjen e masave që këto probleme të mos përsëriten më në të ardhmen. Kushtet e vendosura nga Partia Socialiste janë në vetvete çështje që në raport kërkohen të adresohen nga politika shqiptare”, - shtoi deputeti i Partisë Socialiste.

Raporti
Gjiknuri foli gjithashtu edhe për raportin e OSBE-ODIHR-it, për të cilin tha se është konfirmim i shqetësimeve të shprehura nga Partia Socialiste. Sipas deputetit socialist, konfirmohen shqetësimet që kanë të bëjnë me përdorimin e administratës shtetërore e në favor të PD-së, kërcënimet për largime nga puna, pabarazinë në media si dhe fakti që procesi i numërimit të votave ka qenë shumë i keq në 1/3 e qendrave të votimit. “Ky raport nuk bëri gjë tjetër, por konfirmoi edhe njëherë problemet që ka ngritur opozita shqiptare në lidhje me këto zgjedhje, duke shtruar si imperative adresimin e tyre, duke filluar së pari nga hedhja dritë e të vërtetave që fshihen në kutitë e votimit. Jo më kot ky raport konstaton përdorimin e administratës shtetërore në favor të PD-së dhe marrjen e masave për korrigjimin e tyre. Jo më kot ky raport konstaton se njerëzit janë kërcënuar e madje pushuar nga puna për qëllime elektorale, gjë që në fakt po vërtetohet dita-ditës në të gjithë vendin me anë të pushimeve masive nga puna me një sfond të pastër politik. Jo më kot ky raport konstaton pabarazinë në media dhe reformat e mbetura në mes nga qeverisja e Partisë Demokratike. Jo më kot ky raport thekson se procesi i numërimit të votave në 1/3 e vendit ka qenë shumë i keq dhe, në një rezultat shumë të ngushtë, kjo ndikon direkt në maxhorancën qeverisëse. E pra, për të gjitha shkeljet e mësipërme Shqipëria nuk i përmbushi edhe kësaj radhe standardet e kërkuara për zgjedhje të lira dhe demokratike”, - tha ai.

Pas raportit të OSBE-së, Kryesia e PS-së, mbledhje për diskutimin e bojkotit

Kryesia e Partisë Socialiste pritet të mblidhet gjatë këtyre ditëve për të marrë një tjetër vendim, i cili ka të bëjë me vazhdimin ose ndërprerjen e bojkotit të Kuvendit. Vendimi pritet të merret pas analizimit të hollësishëm që do t’i bëhet raportit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, të publikuar nga OSBE-ODIHR-i dy ditë më parë. Gjithashtu, në analizë do të merret edhe qëndrimi që ka mbajtur maxhoranca dhe qeveria ndaj kushteve të vendosura nga ana e Partisë Socialiste. Këto do të jenë dy elementet kryesore mbi të cilat do të bazohet vendimi i ardhshëm i Kryesisë për vazhdimin ose ndërprerjen e bojkotit të Kuvendit. Gjithsesi, vendimi i Kryesisë pritet të ketë vetëm karakter propozues, pasi do të jetë Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ai që do të vendosë përfundimisht në lidhje me këtë çështje. Burime nga selia rozë thanë se shumë shpejt pritet të mblidhet edhe Grupi Parlamentar, i cili do të vendosë për afatin e bojkotit të Kuvendit nga ana e Partisë Socialiste.

Koçi: “PS-ja duhet të bëjë luftën e saj politike në Kuvend”

Kryetari në detyrë i PSV ’91-shit, Petro Koçi, e ka konsideruar si plotësisht realist raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009. Koçi tha se është e vërtet se zgjedhjet patën probleme, por sipas tij, Partia Socialiste duhet ta vijojë luftën politike në Kuvend, dhe jo ta bojkotojë atë. “Raporti dëshmon se rezultati përjashtues për disa parti dhe personalitete politike nuk ka ardhur si pasojë e manipulimit të procesit, por për shkak të sistemit zgjedhor të imponuar nga marrëveshja dypalëshe, PS-PD. Raporti vërteton se PS-ja dhe një pjesë e opozitës janë bashkëpërgjegjëse për rastet e demonstruara në raport si mosplotësim i standardeve ndërkombëtare të procesit zgjedhor. Raporti në përmbajtje përbën një arsye më shumë që taktika vetëpërjashtuese e opozitës nga Parlamenti të konsiderohet si e pajustifikuar. Bojkoti duket qartazi tashmë si një veprim politik që dëmton opozitën dhe sidomos Partinë Socialiste. Mendoj se është koha për reflektim të pjekur lidhur me ndryshimet e pamenduara kushtetuese, të cilat i kanë hequr opozitës pushtetin kontrollues mbi maxhorancën dhe kanë kufizuar demokracinë, pluralizmin dhe pushtetin e qytetarit mbi partitë politike. Do ta këshilloja Partinë Socialiste të hiqte dorë nga taktika aktuale jashtëparlamentare dhe të fillojë luftën politike në Parlament”, - tha Koçi.

17 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›