E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama mbledh në Pezë Milon, Gjinushin dhe të larguarit nga LSI-ja



Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, është takuar dje me eksponentët kryesorë të së majtës, kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi, kreun e PDS-së, Paskal Milo si dhe 5 anëtarët e Kryesisë të LSI-së, përkatësisht Fatos Klosi, Pëllumb Xhufi, Ndre Legisi, Mustafa Muçi dhe Zabit Brokaj, të cilët kanë shpallur largimin e tyre nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pas marrëveshjes së kësaj të fundit për të bashkëqeverisur me Partinë Demokratike. Rama ka shfrytëzuar aktivitetin festiv që përkujtonte 76-vjetorin e themelimit të çetës së Pezës, për t’u takuar me eksponentët kryesorë të së majtës. Të pranishëm në ceremoni kanë qenë edhe deputetë të tjerë të Partisë Socialiste, si Namik Dokle, Pandeli Majko etj. Pas takimit kreu i PS-së Edi Rama shprehu kënaqësinë që bashkë me të gjendeshin edhe figurat kryesore të së majtës, si Gjinushi, Milo dhe Xhufi. “Jam shumë i kënaqur që mund ta bëj këtë përpara jush së bashku me Pëllumb Xhufin, Paskal Milon, Skënder Gjinushin dhe me të gjithë grupin e deputetëve dhe deputeteve të pranishëm. Konferenca e Pezës është një pikë e palëkundshme, që mbetet gjithmonë aktuale në referimin tonë ndaj historisë. Si një moment kur shqiptarë e shqiptare me bindje dhe përkatësi të ndryshme, por me një pikë të përbashkët referimi që kishte të bënte me atdheun, me lirinë e tij dhe me të ardhmen e tij, u bashkuan dhe i dhanë jetë një fronti antifashist që solli më pas edhe çlirimin e vendit”, - tha Rama.

17 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›