Dëmshpërblimi, më shumë se një mijë të përndjekur do të marrin paratë pas 15 tetorit
Laureta Rryçi
Ministria e Financave do të nisë shpërndarjen e parave pas datës 15 tetor për më shumë se një mijë të përndjekur. Pas vendimit të qeverisë dhe botimit në Fletoren Zyrtare tashmë ka ardhur dhe momenti që të gjithë ish-të burgosurit politikë që janë përfshirë në listën me 1400 të përndjekur të marrin këstin e parë të dëmshpërblimit. Burime pranë Ministrisë së Financave shpjeguan dje për gazetën “Albania” se specialistët kanë bërë kalkulimet për secilën dosje. Specialistët kanë dërguar listën e deshifruar në degët e Drejtorisë së Thesarit, ku do të bëhet shpërndarja e parave. Çdo emër është i shoqëruar me emrin e personit të vetëm që ka të drejtë të bëjë tërheqjen e parave si dhe shumën që i takon të marrë në këstin e parë.
Lista
Lista që sapo ka marrë formën e prerë ka më shumë se një mijë të përndjekur që jo vetëm kaluan fazat e shqyrtimit në Ministrin ë e Drejtësisë, por tani do të jenë në pritje vetëm të tërheqjes së dëmshpërblimit. Në këtë listë mësohet se ka edhe emra të përndjekurish që janë pjesë e ish-të burgosurve që kanë marrë dënim kapital. Sipas ligjit për dëmshpërblimin e ish-të burgosurve politikë, kjo kategori merr dhe dëmshpërblim më të madh për shkak të llojit të ndëshkimit që ka marrë nga sistemi i kaluar komunist. Për të përndjekurit që pritet të nisin tërheqjen e parave pas 15 tetorit është fazë e mbyllur procesi që ndodh në Ministrinë e Drejtësisë. Në varësi të vendimeve të qeverisë, të gjithë këta të përndjekur do të bëjnë vetëm tërheqjen e parave. Pas datës 15 tetor, të përndjekurit që kanë dijeni se emri i tyre është miratuar nga qeveria për t’u dëmshpërblyer për ditët e burgut duhet të interesohen te Dega e Thesarit. Në këtë mënyrë ata do të marrin edhe paratë brenda një kohe të shkurtër. Gjithnjë nëse i kanë ndjekur me korrektësi procedurat që ndiqen kur dosja mbaron fazën e shqyrtimit.
Rregulli
Të përndjekurit që janë përcaktuar në këtë listë për të përfituar dëmshpërblim duhet të deklarojnë vetëm një përfaqësues për të marrë këstet në Drejtorinë e Thesarit. Burime pranë grupit të punës në Ministrinë e Drejtësisë shpjeguan se për të tërhequr paratë duhet të njihet zyrtarisht vetëm një përfaqësues. Ky rregull është i detyrueshëm për t’u zbatuar pasi ka të bëjë me procedurën që do të ndiqet për të marrë paratë në llogaritë bankare. Të njëjtët specialistë treguan se procedurat janë të ndryshme, në varësi të personave që përfitojnë dëmshpërblimin. Në rastin kur ish-i përndjekuri jeton, atëherë llogaria duhet të jetë në emrin e tij, por në ato raste kur ai nuk jeton, atëherë trashëgimtarët duhet të përzgjedhin një përfaqësues që do të komunikojë me Drejtorinë e Thesarit.
Trashëgimtarët që mund të tërheqin paratë
Kur ish-i përndjekuri nuk jeton ose ka vdekur pas daljes së vendimit për dëmshpërblimin, atëherë paratë duhet të tërhiqen nga trashëgimtarët që njihen ligjërisht me dëshmi trashëgimie. Në këto raste, meqë personi i dënuar nuk jeton dhe që sipas vendimit ka emrin në listë për dëmshpërblim, trashëgimtarët e ligjshëm do të jenë përfituesit. Në mënyrë që përfituesit të tërheqin pagesën duhet që të depozitojnë pranë Degës së Thesarit ose pranë Ministrisë së Financave këto dokumente: certifikatë vdekje të ish-të dënuarit; certifikatë të trungut familjar; dëshminë e trashëgimisë të ish-të dënuarit politik; prokurë kur autorizohet një person për të bërë veprimet dhe numrin e llogarisë në njërën nga bankat që do të bëjë publike Ministria e Financave pasi të ketë kaluar paratë në llogaritë përkatëse. Pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit brenda një muaji. Është kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë; emër, atësi e mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare si dhe kompletimi i praktikës më të gjithë trashëgimtarët ligjorë sipas Nenit 8, pika 1, të Ligjit nr. 10111, datë 2.04.2009 “Për disa shtesa dhe ndryshime të Ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 ‘Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist’”.
Ish-i përndjekuri përfiton individualisht
Për rastet kur ish-i përndjekuri jeton, Ministria e Financave ka përcaktuar një tjetër procedurë për tërheqjen e kësteve të dëmshpërblimit. Sipas njoftimit zyrtar nga kjo ministri, pasi është siguruar që emri i ka dalë për pagesë në vendimin e Këshillit të Ministrave, i dënuari politik duhet të ndjekë njërin nga dy opsionet e mëposhtme. E para është që të depozitojë pranë Degës së Thesarit ku ata jetojnë vetëm numrin e llogarisë në emër të tyre në një nga bankat që Ministria do t’i bëjë publike në një njoftim të mëvonshëm. Në këto raste pranohet numri i llogarisë vetëm në një nga këto banka, sepse këto janë zgjedhur si kërkesë e ligjit. Ndërsa opsioni i dytë që mund të ndiqet nga ish-të përndjekurit është të dërgojnë me postë numrin llogarisë që kanë hapur në emër të tyre si dhe adresën e saktë. Ministria e
Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, Tiranë, me mbërritjen e numrit të llogarisë vijon me pagesat nga Banka e Shqipërisë në llogaritë personale të përfituesve (ish-të dënuarve). Edhe në këtë rast është kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë; emër, atësi e mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare.
Një tjetër listë është gati për t’u dërguar në qeveri
Ministria e Drejtësisë po përgatit listën e radhës me emra të përndjekurish që do të përfitojnë dëmshpërblim. Lista me emrat e përfituesve ka vetëm pak ditë që është përgatitur nga grupi i punës. Kjo listë vetëm sa mori miratimin e Ministrisë së Drejtësisë për të vijuar më tej me procedurën e mëtejshme deri në tërheqjen e parave. Aktualisht po bëhen kalkulimet me institucionet e tjera shtetërore për të mësuar nëse këta të përndjekur kanë përfituar nga ligje të mëparshme. Këto të dhëna do të ballafaqohen me të dhënat që të përndjekurit kanë shkruar në formularët e vetëdeklarimit. Mandej do të bëhen kalkulimet se sa është shuma financiare e dëmshpërblimit për secilin prej tyre. Sipas ligjit, Ministria e Drejtësisë, brenda 1 jave nga miratimi në Këshillin e Ministrave të vendimit për dëmshpërblimin, i përcjell Ministrisë së Financave kopjen e plotë të dosjeve individuale të ish-të dënuarve politikë që përfitojnë dëmshpërblim sipas këtij ligji. Ministria e Financave, sipas buxhetit të vënë në dispozicion, shpërndan, në vlerë të plotë, dëmshpërblimin për çdo të dënuar politik që përfiton sipas këtij ligji, nëpërmjet çeljes së depozitës bankare, në emër dhe/ose për llogari të tij ose të familjarëve të tij, në një bankë të nivelit të dytë. Dokumenti i çeljes së llogarisë bankare i bashkëlidhet dosjes në Ministrinë e Financave.
Për të përndjekurit me dënim kapital
Sipas specialistëve, personat me dënim kapital dhe trashëgimtarët e tyre që janë listuar në VKM-në Nr. 1699, datë 29.12.2008 do të veprojnë në të njëjtën mënyrë duke ndjekur njërin nga dy opsionet e mësipërme. Pra të gjithë trashëgimtarët e të pushkatuarit depozitojnë pranë Degës së Thesarit ku jetojnë ose dërgojnë me postë numrin e llogarisë (të hapura në një nga bankat e përmendura më lart) në adresën; Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, Tiranë. Veprimet mund të kryhen edhe në emër të një trashëgimtari të vetëm kur së bashku me numrin e llogarisë depozitohet një prokurë që trashëgimtarët e tjerë autorizojnë njërin prej tyre për kryerjen e veprimeve të pagesave. Pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit. Është kusht i domosdoshëm për
pagesë përputhja e plotë; emër, atësi e mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare.
28 Shtator 2009