Mars 1997. Një tragjedi pa fajtorë
Nga Lorenc Vangjeli
Një tekst “i pafajshëm” i Historisë së shkollës së mesme, klasa XII, risjell debatin në dukje të harruar për atë çfarë ndodhi në marsin e 1997-s. Për tekstshkruesit historianë, ajo që ndodhi ishte një “rebelim komunist”, duke nënkuptuar se mbas tyre ndodhej PS-ja. Por, një komision hetimor i Kuvendit të asaj kohe konsideron se duheshin marrë në përgjegjësi individë që atëherë dhe sot janë pjesë e rëndësishme e PD-së. Askush nuk është fajësuar nga gjykata për tragjedinë e dikurshme. Kurse politika i gjen fajtorët lehtësisht në radhët e kundërshtarëve e fatkeqësisht, po me mjete politike, operojnë dhe historianët që shkruan tekstin. Patatja e nxehtë nuk gjen, edhe mbas 12 vjetësh, dorën përfundimtare ku të qëndrojë, miqtë janë bërë armiq dhe anasjelltas.
“MAPO” pozon vlerësimet e dikurshme të komisionit parlamentar të drejtuar nga Braho e Ngjela, në të cilin ka dëshmi mjaft interesante, bazuar në dokumente, që nga lëvizjet e tankeve e avionëve luftarakë dhe armatosjen me preferenca politike të rezervistëve e deri te përgjegjësitë që shkojnë tek ish-Komandanti i Forcave të Armatosura, Sali Berisha. Duke rikujtuar dhe një aksiomë të provuar historikisht, çfarë harrohet, rrezikon të përsëritet. Të shpresojmë se Shqipëria nuk do të japë një argument më shumë në këtë pikë.
Një krim i vjetër, i pandëshkuar, është gjithmonë një burim i pistë dhe shkak i mjaftueshëm për një krim të ri. Dhe kur bëhet fjalë për një krim që ndodh në sytë e gjithkujt dhe që prek gjithkënd në trajtën e viktimës, kurse “fajtori” është politika, janë të gjitha shanset që ai krim të mos ndëshkohet. Kështu ka ndodhur dhe me një të shkuar jo fort të largët shqiptare, me ngjarjet e marsit tragjik të 1997-s, me ato ngjarje që i paraprinë ato dhe me çfarë ndodhi më pas në atë stinë marrëzie kolektive. Një komision i posaçëm hetimor i Kuvendit shqiptar, i pari i ngritur me një ligj të veçantë po të Kuvendit, më shumë ngriti pikëpyetje, sesa u dha atyre përgjigje. Më pas askush nuk u quajt fajtor në kuptimin penal të fjalës, ndërsa të paktën në politikë, protagonistët e këtyre ngjarjeve ndoqën rrugë të ndryshme për t´u bashkuar vetëm në një pikë: po nga pikëpamja ligjore janë të pafajshëm.
Vetëm 12 vjet më pas, edhe historia – shkenca që shpresohet se do të japë gjykimin për gjithkënd – na jep një version të papritur të atyre ngjarjeve. Botimi i tekstit zyrtar të Historisë për nxënësit e shkollës së mesme, viti XII, hap në mënyrë të papritur një plagë të “harruar” e që rrallë rikthehet në kujtesën e shkurtër të publikut. Teksti i botuar nga tre historianë dhe i autorizuar nga Ministria e Arsimit konsideron se ajo që ndodhi në ata muaj dramatikë ishte thjesht “një rebelim komunist”. Për një ironi të fatit, kush ishte atëherë në shënjestrën e parë të kritikës jo vetëm publike, sot është në drejtim të vendit në nisje të mandatit të dytë qeveritar. Raportet e përmbysura politike, të paktën sipas gjykimit të njërit prej aktorëve të ngjarjeve, Partisë Socialiste, janë shkaku kryesor i asaj që opozita e sotme e konsideron si një shtrembërim flagrant të historisë në tekstin e sapobotuar. Fakti që dhe njëherë, në Tiranë, e vërteta ndahet me thikë qoftë dhe për ngjarje të afërta historike, nuk mund të sjellë më shumë se trishtim dhe protestë.
Revista “MAPO” siguroi transkriptimin e plotë të një seance të Kuvendit të Shqipërisë në datën 11 shkurt 1998, kur komisioni parlamentar për hetimin e këtyre ngjarjeve do të referonte për punën e tij. Në atë periudhë, opozita e dikurshme vazhdonte bojkotimin e Kuvendit dhe, si rrjedhojë, edhe dy anëtarët e saj të komisionit nuk kishin marrë pjesë në asnjë mbledhje të tij apo në përgjithësi, në veprimtarinë hetimore të komisionit. Bashkëkryetarë të këtij komisioni ishin dy Spartakët, Braho dhe Ngjela.
Në një seancë që të paktën në dukje i ngjante një dite të zakontë punimesh – ishte në rend të ditës një interpelancë me ish-ministrin e Transporteve Apostoli dhe ndryshime në disa ligje që nga një kredi që pritej të merrej nga KFW-ja gjermane për rehabilitimin e Ujësjellësit të Korçës e deri te Sigurimet Shoqërore – opozita e kohës mungonte sërish. Në fakt, ajo dukej se ishte dhe targeti kryesor i një shumice të ardhur në pushtet pas marsit të 1997-s, por që në mënyrë të çuditshme dukej më e interesuar që të vihej një kapak mbi atë çfarë kishte ndodhur për “të parë vetëm përpara dhe jo për të kthyer kokën pas”. Çfarë ndodhi më pas, vetëm se e verifikoi një “dukje të tillë”.
Raportimi në Kuvend
Dy Spartakët, që të dy juristë në profesion, me siguri e kanë dëgjuar shpesh një aksiomë cinike në jurisprudencë: “Kur një politikan apo disa prej tyre janë nën akuzë, mund të ndëshkohen nga gjykatat vetëm nëse plotësohen në të njëjtën kohë dy kushte: e para, provat për veprën penale të jenë fare të dukshme dhe të pakundërshtueshme dhe, së dyti, nëse ekziston vullneti i gjithë klasës politike për t´i ndëshkuar ato”. Por, edhe pse kushti i parë ngjante i realizuar në rastin e marsit ‘97, i dyti mungonte tërësisht. Shumica qeverisëse dukej se nuk kishte as vullnetin për ta bërë një gjë të tillë, kurse opozita, që kishte humbur pushtetin pikërisht për marsin e 1997-s, nuk ishte realisht e interesuar të zbardhej e vërteta.
Spartak Ngjela, në fillim të raportimit të tij, sipas transkriptimeve origjinale të Kuvendit, i garanton gjithë deputetët se ai nuk do të shprehte vetëm mendimin e tij vetjak, por të të gjithë komisionit dhe se ishte i “përgjegjshëm për të mos bërë publik asnjë dokument sekret nga ato që u kishin rënë në dorë gjatë hetimit”. Ai replikon me deputetët Gjinushi, kryetar i Kuvendit, Abdiu, Blushi dhe më pas rreshton pyetjet që normalisht do të shërbenin për të kuptuar realisht se çfarë kishte ngjarë dhe cilët ishin përgjegjësit e tyre. Ato pyetje nisnin që me “shkaqet që çuan në dezekuilibrimin e shoqërisë, qëndrimin e shtetit në lidhje me revoltat popullore, degradimin e tyre në përleshje me armë, mundësitë që ekzistonin për zgjidhje paqësore të situatës, domosdoshmërinë e vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme apo jo, ndërhyrjen e mundshme të shteteve të huaja e ndikimin e tyre e deri në emërimin si komandant të operacionit për të rivendosur ushtarakisht situatën të ish-kreut të ndjerë të SHIK-ut, Gazidede”. Gjithsej nëntë pyetje, të cilat, nëse sot do të kishin marrë një përgjigje shteruese, mund të kishte pasur edhe zhvillime të tjera dramatike.
Nisi nga manipulimi i zgjedhjeve
Sipas raportit të siguruar nga “MAPO”, fillesa e asaj çfarë do të ndodhte në mars 1997 kishte nisur që me zgjedhjet e manipuluara të majit 1996. “Menjëherë mbas tyre ngarkesa politike e shoqërisë mori një trajtë të acaruar. Ajo mbeti e akumuluar në potencë për të gjetur rastin e shpërthimit në momentin e krizës financiare”, - thuhet në raport. Raporti konsideron se gusht 1996 - nëntor 1996 ishte periudha më e lulëzuar e fenomenit të huadhënies dhe se një muaj më pas, në dhjetor, sistemi financiar që ato kishin krijuar dha shenjat e para të krisjes. Dhe pas tyre nisën revoltat.
Raporti rikujton faktet konkrete: revoltat në Lushnjë, Berat, Vlorë, Fier, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Tiranë e gjetkë dhe se kërkesat ishin tërësisht ekonomike me parullën “Duam paratë tona!”. Konstatohet gjithashtu se hetimi i komisionit nuk kishte gjetur prova për implikim direkt të shtetit e qeverisë në krijimin e “fenomenit banal financiar, por nënvizon inaktivitetin e saj në zgjidhjen e situatës”.
Kulmi i revoltave u realizua më 24, 25, 26 dhe 27 janar 1997. Ky është dhe momenti që, sipas raportit, revoltat marrin karakter politik dhe në krye të tyre vendosen drejtues të opozitës së kohës, ndërsa ish-presidenti Berisha “ndërmerr takime në Berat, Gjirokastër e gjetkë, për të dhënë argumente se qeverisja aktuale i ka mundësitë për të kapërcyer krizën aktuale”. Paralelisht me këto veprime Berisha merr më 26 janar nga Kuvendi i Shqipërisë autorizimin për të përdorur forcat e armatosura në ndihmë të rivendosjes së rendit publik. Ky është dhe momenti që ka një tejkalim të këtij autorizimi, Forcat e Armatosura u autorizuan të ruajnë institucionet dhe, në fakt, me urdhër të Berishës, marrin funksione policore, gjithmonë sipas raportit. Si rrjedhojë e kapërcimit të vendimit të Kuvendit, ushtrisë i bëhen kalim kapital mjete të blinduara dhe ca më shumë, një brigadë tankesh urdhërohet të lëvizë në drejtim të zonës së nxehtë të protestave, në Fier.
Raporti nënvizon se edhe ato ekuilibra krejt të brishtë në rendin publik të asaj kohe u shpërbënë në ditën e ngjarjes kundër SHIK-ut në Vlorë, moment kur nis armatosja e popullsisë. Ai gjen dhe një lidhje mjaft interesante mes vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend – qeveria “Meksi” ndërkohë kishte dhënë dorëheqjen e deri në atë moment ishte shënuar vetëm një viktimë - më 3 mars 1997 dhe armatosjes pothuaj totale të popullsisë. “... Menjëherë mbas vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme shohim se në mënyrë të rrufeshme në të gjithë territorin e Shqipërisë shpërthehen depo ushtarake dhe popullsia civile armatoset në mënyrë spontane dhe të pakontrolluar me rreth 1 milion armë...”. Dhe, për më shumë, verifikohet me dokumente se në këtë periudhë, Ministria e Brendshme, Garda dhe SHIK-u “u shpërndanë armë me preferenca politike civilëve..., çka opinioni, me gjasë, e ka konsideruar si diferencim shoqëror për situatën që po kalonte vendi”.
“Mendojmë se administrata e lartë shtetërore e ka humbur ekuilibrin në këto çaste dhe me mendjengushtësi e ka konceptuar revoltën që kishte plasur në Jug si një përplasje zonale Jug-Veri. E themi këtë edhe sepse në materialet e pjesshme që disponojmë, edhe mobilizimi i pjesshëm bëhet vetëm në zonat veriore...”, - thuhet në raportin e lexuar në Kuvend. Dhe më tej akoma raporti përfshin dhe një nga çështjet më të debatuara dikur në vend, rolin e SHIK-ut në përgjithësi dhe në ato ditë tragjike në veçanti: “Me keqardhje konstatojmë se SHIK-u ka dalë jashtë strukturës së tij ligjore... dhe ka ndjekur dhe survejuar opozitën në veprimtarinë e saj politike...”.
Përfshirja e “të huajve” në protesta
Pakkush e kujton sot deklaratën edhe dramatike, edhe qesharake të një deputeti të PD-së në atë kohë, Blerim Çela. I vënë shpesh në lojë nga shtypi i kohës për inteligjencën e tij, Çela atëherë akuzoi shërbimet sekrete amerikane dhe ato të fqinjëve se ndodheshin mbas protestave popullore. Raporti i lexuar në Kuvend pretendon se nuk ka gjetur dokumente që provojnë një pretendim të tillë.
Në fund të tij raporti nënvizon: “Personat e pyetur nën hetim dhe që na rezultojnë me përgjegjësi dhe duhen pyetur nga komisioni janë: Bashkim Gazidede, ish-shef i SHIK-ut, Agim Shehu, ish-zëvendësministër i Brendshëm, Xhafid Xhaferri, ish-komandant i Gardës, Safet Zhulali, ish-ministër i Mbrojtjes, Sheme Kosova, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm, Leonard Demi, Shaban Memia, Ali Koçeku, Halit Shamata e të tjerë...”. Askush nga këta emra nuk është marrë në përgjegjësi penale deri sot dhe një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur më kurrë, dhe jo vetëm për shkaqe ligjore e procedurale. Një pjesë e tyre janë deputetë, zyrtarë të lartë shtetërorë në administratën e vjetër dhe të re të ish-presidentit Berisha. Por të gjithë këta, të paktën sipas tekstit të Historisë që do të detyrohen të mësojnë adoleshentët e sotëm shqiptarë, do të jenë heronj që kanë përballuar “rebelimin komunist”. Por, nëse raporti i dikurshëm i Kuvendit ka pasur të drejtë, atëherë jemi dhe njëherë përpara fatalitetit të përgjithshëm: në Shqipëri nuk ka ndëshkim për krimin. Edhe atëherë kur janë “të pafajshëm”, sa kohë që avokati i tyre do të vazhdojë të jetë politika.
Si lëvizën tanket e avionët
Në transkriptimet e Kuvendit ka shumë e shumë detaje që sot ngjajnë pothuaj të harruara. “MAPO” zgjedh të sjellë njërin prej tyre lëvizjen e tankeve të ushtrisë në zonën e nxehtë: “... Më datën 3 mars, me telegram të posaçëm, është bërë lëvizja e tetë tankeve në drejtim të Fierit. Me një tjetër telegram, që i referohet vendimit të komandantit të Forcave të Armatosura (Sali Berisha), bëhet mobilizimi i pjesshëm i Forcave të Armatosura, armatosja e forcave rezerviste të organeve të rendit dhe SHIK-ut”. Ky është një telegram i firmosur nga Leonard Demi, sot deputet.
“Ka një dokumentacion të plotë për operacionet nga ajri, ashtu siç ka dhe dëshmi të plotë të urdhrit të dhënë nga Blerim Çela për armatosjen e tre helikopterëve dhe për dërgimin e tyre në Progonat”.
Marre nga revista “MAPO”
28 Shtator 2009