E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria fajtore për zhvlerësimin e lekut, nxori jashtë vendit sasi të mëdha valute



Ervin KOÇI

Forcimi i pandalshëm i monedhës së përbashkët evropiane karshi lekut dhe zhvlerësimi i këtij të fundit, detyroi ekspertët e ekonomisë që të analizojnë situatën për të nxjerrë shkaqet. Shumë prej tyre kanë dalë në konkluzionin se një pjesë të madhe të fajit për këtë situatë e ka qeveria, e cila jo vetëm që reagoi fare ngadalë përballë kësaj situate, por edhe sepse është shkaktare për largimin e një sasie të madhe valute jashtë vendit. Importet e bollshme të energjisë elektrike gjatë viteve 2007 dhe 2008, si dhe rritja e tepruar e shpenzimeve qeveritare duket se janë shkaqet kryesore që kanë vënë në vështirësi monedhën kombëtare gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të KESH-it, Shqipëria ka shpenzuar afërsisht 350 milionë euro në dy vjet për blerjen e energjisë elektrike, ndërkohë që ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës e ka detyruar qeverinë të mbajë deficite të larta buxhetore gjatë tre viteve të fundit. Monedha kombëtare e një vendi zhvlerësohet në rast se flukset hyrëse valutore në atë ekonomi ndërpriten papritur apo vendi përballet me detyrime valutore, të cilat nuk mund t‘i përballojë. Megjithëse shumica e ekspertëve besojnë se Shqipëria nuk gjendet ende përballë një rreziku për krizë të bilancit të pagesave, të gjithë mendojnë se masat për të parandaluar diçka të tillë duhet të merren sa më parë.

Deficiti

Deficiti buxhetor për 6-mujorin e parë të vitit 2009 është rritur me 12 herë, nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por gjithashtu, deficiti buxhetor i 6-mujorit të parë të 2009-ës, që erdhi kryesisht për shkak të shpenzimeve të shfrenuara elektorale, është të paktën tri herë më i lartë se çdo deficiti buxhetor i 10 viteve të fundit. Të dhënat për këtë tregues jepen në grafikun e mësipërm, që është marrë nga raporti 6-mujor i politikës monetare të BSH-së. Në këtë raport sqarohet se “gjashtëmujori i parë i vitit është karakterizuar nga një rritje e shpenzimeve në ritme më të larta sesa të ardhurat, e për pasojë, deficiti buxhetor është rritur ndjeshëm. Në vlerë nominale deficiti buxhetor ka shënuar një nivel prej 31.6 miliardë lekësh, vlerësuar në rreth 6.2 për qind të PBB-së, kundrejt 0.5 për qind në të njëjtën periudhë të një viti më parë”.

Bilancet e pagesave

Krizat e bilancit të pagesave pasqyrojnë deformime afatgjata të akumuluara nga marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare si investimet e huaja, huamarrja e bizneseve dhe huamarrja e qeverisë. Gjatë muajve të fundit në Europën Lindore janë vërejtur kriza të të gjitha llojeve. Kështu, në Rumani e Hungari, kriza u importua në formën e kredive për bizneset dhe individët. Gjatë viteve të fundit, bankat e vendeve perëndimore, veçanërisht bankat austriake, kredituan në këto vende në valutë para që i kishin sjellë nga vendet e tyre të origjinës. Rumunët apo hungarezët, i përdorën kreditë për të blerë mallra që importoheshin nga vendet perëndimore. Në këto kushte, të dyja vendet iu drejtuan Fondit Monetar Ndërkombëtar për ndihmë për të shmangur rrezikun e një zhvlerësimi masiv të monedhave të tyre. Ndihma e FMN-së kushtëzohet me detyrimin e qeverive për të ulur shpenzimet. Ky në fakt nuk është një shembull i vlefshëm për Shqipërinë, për shkak se asnjë prej bankave që vepron në Shqipëri nuk ka sjellë kapital të huaj për të kredituar në Shqipëri. Disa vende kanë hyrë në kriza të tilla dhe janë përballur me zhvlerësim të monedhave të veta në rastet kur investitorët e huaj kanë vendosur papritur të tërhiqen prej atij vendi për shkak të rreziqeve që mbart.

Ekonomia konsumon më shumë se prodhon

Në 6 muaj, deficiti korrent i ekonomisë shqiptare ka mbërritur në 17 për qind, ose thënë ndryshe në shifra është tejet alarmante. Sipas ekspertëve të ekonomisë, nëse deficiti korrent kalon 8 për qind, atëherë një ekonomi në zhvillim është në alarm, pasi monedha e saj kombëtare rrezikon zhvlerësimin. Ndërsa niveli 17 për qind i deficitit korrent pa një zhvlerësim të fortë të monedhës vendase do të ishte një rast ekstrem. Pra, një ekonomi që konsumon shumë më tepër se prodhon, do të humbasë rezervën e saj valutore dita-ditës. Të gjithë duhet të jenë të qartë se zhvlerësimi i monedhës vendase, lekut, nuk ndodhi në një ditë, por ka filluar që në muajin e parë të vitit 2009, ndaj në këto kushte nuk mund të flitet vetëm për efekte psikologjike.

28 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›