Denoncimi i krimeve të komunizmit, paraqitet projektrezoluta nga 20 europarlamentarë
Një grup prej 20 deputetësh, anëtarë të Asamblesë së Këshillit të Europës, kanë paraqitur një deklaratë ku kërkohet miratimi i një rezolute për Luftën e Dytë Botërore dhe denoncimin e krimeve të komunizmit. “Shtatori i vitit 2009 shënon 70-vjetorin e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Pakti ‘Molotov-Ribbentrop’ dhe nënshkrimi i Protokollit sekret më 23 gusht 1939, hapi rrugën për një sulm të përbashkët ndaj Polonisë nga Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik, i cili filloi përkatësisht më 1-17 shtator të vitit 1939”, - thuhet në dokument. Sipas tyre, bashkësia ndërkombëtare denoncoi krimet e nacional-komunizmit menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, por mbeten ende për t’u dënuar krimet e regjimit stalinist, si në nivelin ndërkombëtar, si dhe nga Federata Ruse.
Dokumenti i përpiluar nga europarlamentarët, shumica e të cilëve janë nga vendet ish-komuniste të Europës Lindore, u bën thirrje shteteve pjesëmarrëse të Asamblesë që të “vazhdojnë të vlerësojë dhe të gjykojnë krimet e komunizmit nga pikëpamja ligjore, morale, politike dhe historike e parë, për një vlerësim objektiv dhe gjithëpërfshirës të së kaluarës komuniste totalitare dhe, në veçanti, krimeve staliniste, gjë që mund të çojë në një kuptim më të thellë dhe integrimin më të shëndoshë në të ardhmen e të gjitha kombeve europiane”. Drafti thotë se duhet të ndihmohet Rusia për kryerjen e një debati publik gjithëpërfshirës mbi krimet e regjimit stalinist.
Nisma e 20 europarlamentarëve u shkon për shtat kërkesave që ka shtruar KE-ja ndaj vendeve anëtare, që të marrin masa konkrete për të denoncuar krimet e së kaluarës komuniste. Pjesë e këtij procesi është edhe Shqipëria. Hapi i fundit, i mbyllur pa sukses, ishte miratimi i Ligjit të Lustracionit. Paketa e propozuar nga kreu i maxhorancës, zoti Berisha, u kundërshtua nga opozita, nga segmente të caktuara të shoqërisë civile dhe nga pjesa më e madhe e shteteve dhe organizatave perëndimore. Pas animimit të PS-së në Gjykatën Kushtetuese, tashmë pritet konsulenca e Komisionit të Venecias për të përmirësuar projektligjin për “Pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë të shtetit”.
28 Shtator 2009