Vodafone me “Paketa Ditore”, thirrje drejt çdo rrjeti kombëtar për 8.3 lekë/minuta
Komunikimi përmes Vodafone nuk mund të bëhet më i thjeshtë. Me ofertën e re “Paketa Ditore”, të gjithë klientët e “Vodafone Card” mund të flasin në çdo moment të ditës, drejt çdo rrjeti kombëtar për vetëm 8.3 lekë/minuta, përfshirë TVSH. Si gjithmonë, ofertat e Vodafone janë transparente dhe nuk përmbajnë kosto të fshehura: kostoja për çdo minutë të telefonatës është e njëjtë, pavarësisht nëse është minuta e parë apo e fundit e telefonatës. Kjo ofertë e re fantastike mund të përfitohet shumë thjeshtë, me vetëm një telefonatë tek 15116, ku një paketë prej 12 minutash kombëtare mund të blihet me vetëm 100 lek, përfshirë TVSH-në. Vlefshmëria e paketës është deri në orën 23:59 të ditës pasardhëse. Për më tepër, çdo abonent i “Vodafone Card” ka të drejtën e blerjes së një numri të pakufizuar paketash, sapo çdo paketë paraardhëse të jetë konsumuar. Kjo ofertë është tashmë e hapur dhe do te vijojë deri në datë 30 nëntor 2009.
Euro humbet 3,5 pikë ndaj lekut në tre ditët e fundit
Monedha evropiane, euro, ka humbur 3,5 pikë kundrejt monedhës shqiptare, lekut, gjatë tre ditëve të fundit në këmbimet valutore, pas forcimit që pati ditët e fundit, duke arritur dhe kuotën më të lartë të vitit në këmbimet valutore. Dje më 26 shtator një euro blihej në tregun e këmbimeve valutore mesatarisht me 133,8 lekë dhe shitej me 135 lekë, ndërkohë që tre ditë më parë (24 shtator) një euro është blerë në tregun valutor mesatarisht me 137,3 lekë dhe është shitur me 138,5 lekë. Ndërkohë, në të njëjtën ditë të vitit të kaluar, një euro është blerë në tregun e këmbimeve valutore mesatarisht me 123,7 lekë dhe është shitur me 124,2 lekë. Në fillim të këtij viti, një euro blihej me 123,3 lekë dhe shitej me 123,8, ndërsa gjatë vitit të kaluar, euro e kishte kuotën më të lartë të këmbimit ndaj lekut në muajin mars, kur blihej me 125,3 lekë.
Tregu i sigurimeve, primet rriten me 20 për qind
Primet e shkruara bruto u rritën me rreth 20 % gjatë periudhës janar-gusht 2009, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 528.037, duke shënuar një rritje prej rreth 17.5 % në krahasim 8 muajt e parë vitit 2008. Ekspertë të AMF-së thanë se rritja e numrit të kontratave gjatë vitit 2009 është shoqëruar me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet, të cilat arritën në rreth 5.479 milionë lekë. Por ajo që vlerësohet nga ekspertët mbetet fakti se tregu vazhdoi të jetë sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, që sollën rreth 91.5 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 8.5 %. Primet e shkruara bruto të Sigurimit Vullnetar zënë 46.6 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 53.3 % të totalit të tregut.
28 Shtator 2009