Prokurorët amerikanë akuzojnë një shqiptar për terrorizëm
Një shqiptar nga Nju Jorku është akuzuar për terrorizëm, pasi dyshohet se ka kërkuar të trajnohet nga militantët islamikë për të luftuar trupat amerikane në Irak dhe Afganistan, kanë bërë të ditur autoritetet. FBI-ja ka thënë se Betim Kaziu, qytetar amerikan dhe banor i Nju Jorkut, ka kërkuar që të sigurojë armë dhe të luftojë trupat amerikane jashtë vendit. “21-vjeçari Kaziu, i lindur dhe i rritur në Bruklin, ka udhëtuar në Kajro në muajin shkurt dhe më vonë në Kosovë, ku është arrestuar nga autoritetet kosovare në muajin gusht”, - bën të ditur FBI-ja. “Ky rast është një shembull i përpjekjeve të suksesshme ndërkombëtare për të hetuar dhe kapur ata, që do të angazhoheshin në akte terroriste dhe për të penguar komplotet e tyre”, - ka thënë prokurori amerikan Benton Kampbell. Sipas gazetës “Nju Jork Tajms”, familja, e Kaziut në Bruklin u shpreh mjaft e shqetësuar nga kjo akuzë. “Ai nuk është aspak i tillë”, - u shpreh e motra, Sihana Kaziu, e cila shtoi se vëllai i saj nuk kishte qenë kurrë i dhunshëm.
Ngjarja
Në muajin gusht Kaziu kishte lajmëruar familjen se kishte mbërritur në Kosovë dhe Maqedoni, në vendin e të parëve të tij për të takuar disa miq dhe të afërm. Më pas familja e tij nuk kishte dëgjuar nga ai për javë të tëra deri në momentin që kishin mësuar se ishte arrestuar së bashku me tre të tjerë në Kosovë. Sipas akuzës, ata po planifikonin sulme terroriste, ndërsa me vete iu gjetën armë dhe granata. Mendohet se Kaziu është takuar pikërisht me disa persona që kanë qenë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të armëve dhe që prej kohësh ishin nën survejimin e autoriteteve kosovare. Por ndërhyrja e këtyre autoriteteve është bërë me urgjencë kur pikërisht ata kanë marrë informacionin se me ta ishte duke negociuar Betim Kaziu për blerjen e një sasie të konsiderueshme armatimi për llogari të disa egjiptianëve.
Precedenti
Një rast i ngjashëm është regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në atë që u quajt si aksioni “Fort Diks”. Në fillim të muajit tetor 2008 në Nju Xhersi u zhvillua seanca e parë gjyqësore ndaj gjashtë personave, mes të cilëve katër shqiptarë nga Maqedonia, të cilët në vitin 2007 planifikonin të kryenin sulme në bazën amerikane “Fort Diks”. Në gjyq u paraqitën gjashtë të arrestuarit, mes të cilëve shqiptarët Dritan Duka, 28 vjeç; Shain Duka, 26 vjeç; Elvid Duka, 23 vjeç, të tre këta vëllezër që jetonin në Shtetet e Bashkuara, si dhe dy shtetas të huaj, të cilët dyshohen si bashkëpunëtorë të tyre. I arrestuar ka qenë dhe shqiptari tjetër, Agron Abdullahu. Ata janë akuzuar për “vrasje në tentativë të ushtarëve amerikanë të Fort Diksit, akuzë kjo që mund t’i çojë deri në burgim të përjetshëm. Juria që do të japë vendimin përbëhet nga 11 veta, tetë prej të cilëve janë femra. Arrestimi i tyre u bë pasi në bazë të disa provave dhe xhirimeve në videokaseta DVD u zbulua se ishin duke përgatitur një sulm të armatosur kundër bazës ushtarake “Fort Dix” në Nju Xhersi, ku stërviten ushtarët që nisen për në Irak. Aktpadia prej 27 faqesh, e paraqitur në Gjykatën Federale të qytetit Camden të Nju Xhersit, përshkruan aktivitetin e këtyre personave në përpjekje për të vrarë qindra ushtarë amerikanë rezervistë në bazën “Fort Diks” para se ata të niseshin për në Afganistan e Irak.
Tre të dehur fyejnë policinë, bien në pranga
Nën efektin e alkoolit, tre persona kanë nisur të shqetësojnë klientelën e një lokali dhe më pas kanë fyer e kundërshtuar me dhunë policinë. Ngjarja ndodhi në një lokal në Kavajë, kur Fatmir Vishkulli, 41 vjeç, Arben Kikrri, 27 vjeç dhe Rifat Ballshi, 43 vjeç, e kanë detyruar pronarin e lokalit të lajmërojë policinë pas incidenteve që ata po krijonin. Forcat e Komisariatit të Policisë së Kavajës mbërritën menjëherë pranë lokalit për të neutralizuar tre klientët, por janë përballur me iritimin e tyre. Vishkulli, Kikrri dhe Ballshi jo vetëm që nuk u janë bindur urdhrave të punonjësve të policisë, por kanë nisur t’i fyejnë ata dhe më pas i kanë kundërshtuar me dhunë. Pas disa minutash policia ka kryer shoqërimin e tre personave në komisariat dhe më pas u arrestuan për veprat penale të “kundërshtim me dhunë i punonjësit e policisë së rendit publik”, “fyerje për shkak të detyrës”, “prishje e qetësisë publike”, dhe “mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit e policisë së rendit publik”.
Basha takon homologun kosovar, diskutohen projektet e përbashkëta
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, priti dje në një takim ministrin e Administratës Publike të Kosovës Arsim Bajrami dhe delegacionin që e shoqëronte. Ministri Basha vlerësoi stadin e tanishëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e shkëmbimit të përvojave për mirëfunksionimin dhe fuqizimin e administratës publike në të dy vendet e ndërkohë theksoi nevojën e shtrirjes së këtij bashkëpunimi në të gjitha nivelet me qëllim përfitimin e përvojave të dyanshme. Një vëmendje të veçantë gjatë bashkëbisedimit ministri Basha u kushtoi reformave të qeverisë shqiptare për një qeverisje të vogël, moderne, të përballueshme për taksapaguesit shqiptarë, çka sjell uljen e shpenzimeve dhe kostove të panevojshme, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe në mënyrë të veçantë rritjen e transparencës ndaj publikut. Ministri i Brendshëm, Basha, rikonfirmoi në takim si një prioritet të rëndësishëm të qeverisë “Berisha”, njësimin e standardeve dhe praktikave mes Shqipërisë dhe Kosovës që do t’i shërbejnë eliminimit të barrierave mes tyre si dhe integrimit në Bashkimin Europian. “Ne do të angazhohemi për të kaluar çdo pengesë në drejtim të njehsimit të standardeve europiane në administratën tonë publike, në fushën e prokurimeve, në procesin e trajnimit dhe rekrutimeve në administratën publike për të përafruar objektivat tona për maksimalizimin e këtyre standardeve, përmirësimin e qeverisjes dhe ecjen përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ju shpreh gatishmërinë e plotë të Ministrisë së Brendshme për bashkëpunim të gjithanshëm dhe në të gjitha nivelet me administratën publike të Kosovës, - u shpreh ministri Basha.
Gjirokastër, në pranga taksisti që po sillte 100 gramë kokainë nga Fieri
Në vijim të operacioneve për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, policia e Gjirokastrës ndërmori operacionin e radhës, të titulluar “Viroi”, me rezultat sekuestrimin 100 gramë lënde narkotike e tipit kokainë. Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se nga qyteti i Fierit në drejtim të Gjirokastrës po lëvizte një automjet tip Benz i cili po transportonte një sasi kokaine, policia ndërmori menjëherë operacionin “Viroi”. Si rezultat i tij, u bë e mundur që në vendin e quajtur “Liqeni i Viroit”, të bllokohej automjeti tip Benz, targa DL 32 37 A, me drejtues 40-vjeçarin Petro Kuçin, lindur dhe banues në fshatin Bajkaj të Delvinës. Gjatë kontrollit të ushtruar, në kroskotin e këtij mjeti në një çantë të vogël që shërbente për mbajtjen e dokumenteve të makinës, brenda saj u konstatua një qese plastmasi transparente ku brenda së cilës ndodhej një sasi rreth 100 gramë lëndë narkotike e dyshuar si kokainë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike si dhe automjeti tip “Benz”, ndërsa Petro Kuçi u arrestua në flagrancë për veprën penale “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, parashikuar nga Neni 283 i Kodit Penal dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
Shoqërohet në polici i riu, plagosi me motor kalimtaren
Forcat e policisë së Krujës kanë arrestuar në flagrancë 18-vjeçarin Gjergj Fetaj, lindur dhe banues në Dukagjin të Krujës, pasi dyshohet të jetë autor i një aksidenti rrugor. Sipas burimeve policore, arrestimi i tij u bë për arsye se në rrugën e fshatit Bushnesh, në vendin e quajtur “Ura e Bushneshit” në Krujë, duke drejtuar pa patentë mjetin motor "Jamaha", me targë PZH 458, ka aksidentuar këmbësoren Nafie D., 60 vjeç, banuese e këtij fshati. Bëhet e ditur se ajo ka pësuar dëmtime në kokë dhe ndodhet në Spitalin Ushtarak të Tiranës në gjendje të rëndë shëndetësore. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Krujës për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtim motoçiklete pa leje drejtimi”, parashikuar nga nenet 290 dhe 291 të Kodit Penal.
26 Shtator 2009