Familjarët e gjuetarit të mbytur, në protestë për të kërkuar trupin
Fier
Palombarët e RENEA-s u detyruan të ndërprisnin kërkimet, pasi terreni ishte i vështirë
Një ditë pas mbytjes në ujërat e lumit Seman të 30-vjeçarit Erjon Korobaci, familjarët e tij, të irrituar pas ndërprerjes së kërkimeve, kanë bllokuar rrugën hyrëse në qytet. Të hënën, rreth orës 16:00, familjarët janë mbledhur pranë banesës së të ndjerit dhe kanë vendosur që të kërkojnë trupin e tij duke protestuar. Së bashku me disa automjete të tyre, të afërmit e 30- vjeçarit kanë dalë në rrugën e lagjes “Sheq i Madh” dhe janë përpjekur që të mos lejojnë të kalojë asnjë automjet, nëse shteti nuk angazhohet për gjetjen e trupit. Të afërmit nuk kanë lejuar disa automjete që të kalojnë në këtë rrugë. Në vendin e ngjarjes ka qenë edhe një furgon policie. Uniformat blu kanë ndërhyrë për të qetësuar familjarët e dëshpëruar, të cilët kanë lënë afat për gjetjen e trupit të të afërmit të tyre. Ata janë shprehur të gatshëm për të paguar shtetin, por policia ka njoftuar se do të ndërpresë kërkimet, pasi nuk ka më shpresa për gjetjen e trupit. Trupi i Erion Korobacit, 30 vjeç, u kërkua nga palombarët e forcave të ndërhyrjes së shpejtë, që kanë ardhur në Fier që nga pasditja e së dielës për të kryer kontrollin e të gjithë gjatësisë së lumit Seman. Në mbështetje të tyre kanë qenë edhe 25 uniforma blu të Komisariatit të Fierit. Kërkimet për trupin e të riut kanë nisur që nga ura e Mbrostarit, ku Korobaci u hodh për të kapur një rosë të egër dhe kanë vijuar në një gjatësi të lumit që shkon në mbi 17 kilometra. Operacioni i kërkimit është cilësuar i vështirë, pasi në gjatësinë e tij, Semani ka brigje të mbuluara nga shkurret si dhe nga sasi të mëdha inertesh. Madje, në shumë vende shtrati i lumit devijon për shkak të prishjes së argjinaturave. Ndërkohë policia ka kontrolluar dhe në tokë, duke menduar se vala e lumit mund ta ketë nxjerrë në brigje. Kujtojmë se dy vjet më parë një banore e lagjes “Sheq i Madh”, duke hedhur mbeturinat në lumin Gjanicë, ra në ujërat e tij dhe nuk u gjet më kurrë.
#