Oficeri i policisë, Altin Hadëri, u qëllua me pistoletë pranë shtëpisë së tij në Fier
Atentat kreut të antikrimit të Lushnjës
Plagoset në pritë shefi i krimeve në Komisariatin e Lushnjës. Altin Hadëri është plagosur pak metra larg banesës së vet, teksa ka dalë nga një lokal ku kishte pirë kafen e mëngjesit. Rreth 9 orë pas plagosjes, policia ka mundur të identifikojë autorin e ngjarjes, që është Robert Genica, me origjinë nga Kosova, lindur dhe banues në fshatin Dërmënas të Fierit. Zyrtarisht zëdhënësja e Policisë së Fierit deklaroi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta dhe jo për shkak të detyrës. Uniformat blu janë vënë në kërkim të autorit dhe po punojnë për kapjen e tij. Në orën 06:30 të mëngjesit të së hënës, në lagjen “Apolonia”, në afërsi të vendit të quajtur “Zogu i Zi”, përballë një lokali lojërash fati, është plagosur me armë zjarri Altin Hadëri. Burimet nga vendi i ngjarjes pohojnë për “Shqip” se Hadëri ka dalë nga lokali i lojërave të fatit ku kishte pirë kafen e mëngjesit. Në rrugë, pas një automjeti të tipit furgon me ngjyrë të gjelbër atij i është bërë pritë. Nga dëshmitarët okularë mësohet se 35-vjeçari Altin Hadëri ka nisur të grindet me një person që e priste dhe më pas është qëlluar me armë zjarri. Ndërsa autori është larguar me shpejtësi, Hadëri i përgjakur ka kërkuar ndihmën e kalimtarëve. Me një makinë të rastit, ai është transportuar për në Spitalin Rajonal të Fierit, ku menjëherë i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Kur ora shënonte 06:55 është njoftuar edhe policia e Fierit, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes si dhe pranë spitalit rajonal. Hetimet e para policore thanë se shefi i krimeve, Altin Hadëri, është plagosur me një pistoletë e prodhuar në mënyrë artizanale, e cila është gjetur nga ekspertët e policisë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë nga policia janë siguruar edhe dëshmitë e para. Më pas, agjentët civilë të policisë kriminale janë shpërndarë jo vetëm në zonën ku ka ndodhur ngjarja, por në pothuaj gjithë qytetin e Fierit. Agjentët kanë mbledhur informacione të ndryshme për autorin dhe për ngjarjen. Policia ka marrë pak minuta para se Altin Hadëri të hynte në sallën e operacionit dëshminë e tij. Konfirmohet zyrtarisht nga grupi i hetimit se shefi i plagosur ka pohuar se mbante mend karakteristika të fytyrës së autorit, por nuk ka pasur njohje me të. Sipas mjekëve, plumbi i ka dëmtuar Hadërit një pjesë të zorrëve, si dhe ka qenë i pozicionuar në një nga vertebrat e shtyllës kurrizore, nga ku është hequr pas ndërhyrjes kirurgjikale. Mjekët nuk japin ende shpresa dhe kanë pohuar për “Shqip” se dëmtimet e shtyllës kurrizore janë më të rënda.
Burime nga grupi i hetimit pohojnë se motiv i mundshëm i kësaj ngjarjeje është një konflikt personal i Altin Hadërit. Shefi i krimeve një natë më parë është grindur me 32-vjeçarin Robert Genica në mjediset e një lokali lotarish sportive, të cilën e administron familja e tij. Hadëri ka vite që punon si inspektor policie pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit. Me origjinë nga Delvina, ai dhe familja e tij jetojnë në lagjen “15 tetori”, shumë pranë vendit ku dhe u plagos. Ai ka qenë në disa pozicione pune dhe dy javë më parë ishte komanduar shef i policisë kriminale pranë Komisariatit të Lushnjës. Altin Hadëri ka një dosje të pastër për afro 10 vjet punë në radhët e Policisë së Shtetit.
#