E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri në shkollë, plagoset rëndë me thikë 13-vjeçari

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Godet me thikë 13-vjeçarin në ambientet e shkollës, pasi grinden për lojën. Ngjarja që terrorizoi fëmijët e shkollës 9-vjeçare "Andon Xoxa" në Fier, ndodhi paraditen e djeshme.  Dy fëmijët bashkëmoshatarë, me inicialet A.M. dhe E.N., janë grindur në kalçeton e kësaj shkolle. Më pas, 13- vjeçari A.M ka nxjerrë një thikë që e kishte mbajtur të fshehur në çantë dhe goditi nga pas shokun e tij, duke e lënë të plagosur rëndë. Ngjarja shkaktoi panik te nxënësit e tjerë, pjesëtarë të lojës. Ata thirrën menjëherë mësuesit e shkollës, e këta të fundit policinë. I plagosuri u dërgua me urgjencë në spitalin e Fierit. Pas ndihmës së parë, sipas mjekëve të reaminacionit, i mituri e ka kaluar rrezikun për jetën. Drejtoria e shkollës reagoi menjëherë pas kësaj ndodhie, duke kërkuar që në ambientet e "Andon Xoxa" të punësohet një polic. Ndërsa vetë drejtori, Resmi Kalemi pohoi dje se autori i kësaj ngjarjeje nuk ishte nxënës i shkollës së tij. Vetë nxënësit pohuan se dy 13-vjeçarët ishin shokë lagjeje. Duke qenë të tillë, autori i plagosjes së djeshme ishte futur edhe herë të tjera në kalçeton e shkollës "Andon Xoxa", ku kishte luajtur futboll me bashkëmoshatarët e tij. "Gjatë lojës ata filluan të ziheshin për rezultatin. E njëjta gjë kishte ndodhur me ta edhe dy ditë më parë, kur A.M kishte ardhur në shkollën tonë. I indinjuar për humbjen, ai u konfliktua me shokun tonë. Por më pas ata u pajtuan. Ndërsa sot (dje), ata filluan të ziheshin prapë, por kësaj radhe A.M kishte pasur thikë me vete". Kështu pohuan dje nxënës të shkollës ku ndodhi ngjarja, të cilët ishin duke luajtur bashkë me dy të bashkëmoshatarët e tyre. Ata shtuan se menjëherë pas grindjes, nxënësi që i përkiste një tjetër shkolle të qytetit kishte nxjerrë thikën. Ai kishte shfrytëzuar rastin kur shoku i tij i kishte kthyer kurrizin. Në këtë moment e goditi me thikë në pjesën ndërmjet shpatullës dhe krahut. "Pamë që shoku ynë ra përdhe ndërsa e mbuloi gjaku. Ne u tmerruam dhe njoftuam mësuesit. U mblodhën shumë nxënës, ndërsa shoku jonë ra pa ndjenja përtokë" vijuan të rrëfejnë nxënësit, që dje kishin formuar ekipet përkatëse për të luajtur në kalçeton e shkollës së tyre. Në spitalin e Fierit dje mbërritën të alarmuar prindërit dhe të afërmit e 13-vjeçarit. Ata u shprehën se kjo ngjarje është e rëndë, por sipas tyre nuk i dinin rrethanat se pse kishte ndodhur. I mituri, autor i ngjarjes, pasi përfundoi në polici u mor në pyetje në praninë e psikologut. Ndërsa më pas mbërritën në ambientet e policisë edhe prindërit e tij.

Arsimorja mbledhje urgjente
Drejtori i Drejtorisë Arsimore në Fier, Tahir Kastrati thirri dje në institucionin e tij krerët e shkollës, ku iu kërkoi të dhëna mbi incidentin e ndodhur në kalçeton e "Andon Xoxa". Burime pranë Drejtorisë së Arsimit bënë të ditur se mund të merren masa ndëshkimore për drejtuesit, të cilët lejuan hyrjen në ambientet e shkollës të një fëmije të pajisur me armë të ftohtë, i cili nuk ishte nxënës i tyre. Mësohet se Drejtori i Shkollës i ka kërkuar kreut të arsimit zyrtarisht, që të vihet një polic në shkollën e tij. Incidenti i djeshëm vjen pak kohë pas "luftës" së zhvilluar përpara pak kohëve mes nxënëseve të dy shkollave në qytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›