Në spital grevisti i 9 janarit, rëndë të tjerët
SHKODER- Përfundon në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës njëri prej grevistëve për tragjedinë e 9 janarit. Të dielën në mbrëmje, Ilir Xhila, u dërgua në urgjencë pasi shfaqi shqetësime serioze me shëndetin e tij. Ai mësohet se i është nënshtruar kujdesit mjekësor, pasi në këtë gjendje është e pamundur të vijojë grevën e nisur. Dje ishte dita e 10-të e kësaj greve, ndaj edhe tre personat e tjerë që janë "ngujuar" shfaqën simptoma të uljes së tensionit dhe marrje mendsh. Por ata refuzuan të dërgoheshin në spital. Në këto kushte, mjekët iu dhanë ndihmën përkatëse në ambientet ku po zhvillohet kjo grevë. Njëri prej grevistëve, Ndoc Bjeshka pohoi dje se ata janë të vendosur deri në vetësakrifikim. "Nuk po shohim asnjë hap konkret nga organet e drejtësisë, për të filluar hetimet në lidhje me këtë çështje" u shpreh ai. Ndërsa Mark Grizha, personi i fundit që u ngujua bashkë me të tjerët, akuzoi Prokurorinë e Vlorës si të lidhur me krimin. Sipas tij, ky institucion nuk i çoi gjer në fund hetimet për tragjedinë e 9 janarit. Katër grevistët vendosen të ndërmarrin një veprim të tillë pasi sipas tyre ata kishin siguruar fakte dhe dëshmi, të cilat faktojnë se zbardhja e kësaj tragjedie nuk është bërë e plotë nga organet e hetimit. Më 1 mars ata vendosen të futen në këtë grevë, në shenjë sensibilizimi të institucioneve për të rifilluar hetimin e kësaj çështje deri në zbardhjen e tragjedisë dhe gjetjen e 8 trupave, të cilët prej 5 vitesh vazhdojnë të rezultojnë të humbur. "Kërkojmë gjetjen e trupave të familjarëve tanë dhe zbardhjen e ngjarjes. Nëse kërkesat tona nuk plotësohen, ne do dalin nga ky ambient vetëm kur të kemi vdekur" u shpreh Ndoc Bjeshka. Ata pohuan se e nisën këtë grevë pas daljes së fakteve të reja për ngjarjen ku humbën jetën 28 persona. Sipas familjarëve të 8 të humburve, tetë muaj më parë ata kanë siguruar një deklaratë të shefit të krimeve të asaj kohe, Sokol Bizhga. Ai citon në deklaratën e tij se në orën 06:30 të datës 10 janar, në gjirin e Dafinës është gjetur nga një anije shqiptare një gomone me 8 trupa të pajetë në bord. Kjo gomone është rimorkuar nga anija shqiptare dhe destinacioni i saj akoma nuk dihet. Grevistët pohuan gjithashtu se pak ditë më parë janë vizituar nga një ish-efektiv i marinës në Vlorë, i cili u ka pohuar se ka informacione të pathëna më parë në lidhje me 9 janarin 2004. Ai është i gatshëm që të deponojë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi te të tjerat nuk ka besim. r.d