E Diel, 1 Nëntor 2026

"Pendohet" anëtari i bandës së Mirditës

 

TIRANE - Tom Gjoka, një prej personave të akuzuar për ngjarjen ku ka mbetur i vrarë polici Gjon Pacuku dhe janë plagosur dy të tjerë, "pendohet" në sallën e gjyqit. Në seancën e djeshme në ngarkim të personave të akuzuar si anëtarë të "bandës së Mirditës", i pandehuri Tom Gjoka ka rrëfyer përpara palëve kronologjikisht gjithë ngjarjen e grabitjes tek parkingu në ish-SMT-në e Rrëshenit. Sipas tij, kanë qenë Nikollë dhe Tomë Syziu ata që i kishin kërkuar të shkonte me ta tek ish-SMT-ja për të vjedhur pjesët e një automjeti. Ndërsa për vdekjen e efektivit të policisë, Gjon Pacuku, ai tha se e kishte marrë vesh nga televizioni të nesërmen e ngjarjes. Gjatë përgjigjeve që dha për palët, Gjoka pranoi se polici Gjon Pacuku ishte vrarë nga granata e hedhur prej bashkë të pandehurve të tij, por nuk drejtoi gishtin drejt asnjërit prej tyre. Deklarimet e tij përpara gjykatës sollën herë-herë edhe tension tek të pandehurit e tjerë. "Atë natë po kthehesha në shtëpi në fshatin Malaj, kur takova rastësisht Nikollë dhe Tomë Syziun me furgon. Më thanë t'i ndihmoja për të vjedhur disa pjesë makine. Fillimisht nuk pranova, por pasi ata këmbëngulën hipa në furgon. Kemi zbritur deri tek ura e Ezmesë. Aty pritëm për pak kohë derisa erdhën Bardhok Syziu, Dritan Ndoi (Syziu) dhe Arjan Reçi. Aty ku ishim lamë Tomën, ndërsa ne të tjerët hipëm në makinën e Arjanit", ka treguar Gjoka për gjykatën. Sipas tij, brenda territorit të SMT-së ata janë futur duke kaluar murin rrethues. "Në momentin që ishim brenda murit rrethues, pashë që Nikollë Syziu nxori nga çanta një automatik, ndërsa Dritan Syziu kishte një pistoletë. Nikolla na tha që ata do shkonin të shihnin nëse kishte roje apo jo", tha ai. Tom Gjoka tregoi dje se sapo kishin marrë shenjën prej Nikollës, ai së bashku me Bardhok Syziun kishin shkuar tek një "Benz 240". E kishin hapur dhe po përpiqeshin të nxirrnin sedijen. Në këto momente ai ka dëgjuar krisma automatike dhe një shpërthim granate që vinte nga drejtimi i portës së parkingut. Në vijim ata ishin larguar me shpejtësi dhe ishin takuar të gjithë bashkë tek furgoni. "Të nesërmen në darkë mora vesh se tek SMT-ja ishte vrarë një polic. Vetëkuptohej se nga ne kishte mbetur i vrarë", tha Gjoka.                                ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›