E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ngjela: Kuvendi do zhvillohet sa më afër zgjedhjeve

06/01/2005  Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Spartak Ngjela, tha dje se shtyrja e datës së mbledhjes së Kuvendit ka ardhur nga fakti se u konsiderua më e arsyeshme të zhvillohet sa më afër zgjedhjeve. Sipas tij, në vetvete nuk ka ndonjë arsye tjetër madhore, përveç faktit që orientimet bazës t'i jepen duke qenë sa më afër zgjedhjeve. "Pamë që është më mirë që Kuvendin ta zhvillojmë më afër zgjedhjeve. Kështu formohen më mirë ekipet dhe nuk kemi nevojë pse të ngutemi", tha Ngjela. Një pikë e nxehtë në Kuvendin e ardhshëm të PD-së, pritet të jenë ndryshimet në statutin e partisë. Por Ngjela mohon faktin që kjo të ketë të bëjë me ndonjë çështje të rëndësishme. "Për sa i përket statutit, drafti është në studim. Nuk do të ketë ndonjë gjë të madhe, në kuptimin që është e njëjta frymë dhe mendojmë që afrohemi më tepër drejt një partie elektorale nga nëndegë në degë për 100 zona. Kurse për sa i përket individëve, ajo është një çështje permanente e PD-së. Ajo paraqet në opinionin publik gjithmonë figura të reja. Në këto momente bisedohet për politikanë dhe këto vijnë dhe shfaqen gjithmonë pëpara zgjedhjeve”, tha Ngjela. Por, gjithsesi, shtyrja e Kuvendit të Partisë Demokratike, pavarësisht arsyes zgjedhore, kushtëzohet së tepërmi dhe nga dy faktorë të tjerë. I pari ka të bëjë me përfundimin e konferencave të PD-së në rrethet e mëdha të vendit dhe në Tiranë, nga zhvillimi i të cilave do të dalin dhe delegatët. Në shumë nga qytetet e mëdha të vendit si Shkodër, Korçë, Elbasan etj., këto konferenca nuk janë zhvilluar dhe janë në fazën e përzgjedhjes së kandidaturave për kryetarët e degëve. Ndërsa pjesa e dytë ka të bëjë dhe me përfundimin e turit paraelektoral të kreut demokrat Berisha në rrethe të ndryshme të vendit. Duket se kreu demokrat Berisha me anë të këtij turi, kërkon të testojë nga afër bazën dhe të japë orientimet e nevojshme jo vetëm në përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë, por edhe të personave që do të drejtojnë degët e partive në rrethe. Pasi të jetë mbyllur faza paraelektorale "Ditët e Shpresës" dhe të kenë përfunduar konferencat e degëve në rrethe, atëherë në gjysmën e dytë të marsit priten dhe zhvillimet e Kuvendin e PD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›