E Hënë, 2 Nëntor 2026

Veshje intime për një femër joshëse

03/05/2005  Sezoni i ri pranverë-verë 2005 kurrsesi nuk mund të harrojë rëndësinë që kanë veshjet intime, si një nga pjesët më të rëndësishme të garderobës. Sfilatat dhe stilistët e dy kontinenteve, Evropë dhe Amerikë, sjellin propozime të ndryshme, tendenca të reja, sa joshëse dhe provokuese, aq edhe klasike dhe fëminore.

Të qeni përherë në kërkim të detajeve të veçanta i kanë bërë veshjet e brendshme gjithmonë më të kërkuara nga femrat. Në fakt, nuk mund të flasim thjeshtë për veshje të brendshme të zakonshme, por për pjesën më të rëndësishme të garderobës, të cilat gjithmonë janë të dukshme edhe poshtë këmishave, xhaketave, fundeve apo fustaneve të mbrëmjes. Ja pse çdo fantazi, e çdo lloji, ngjyra të shkëlqyeshme, të kombinuara me pëlhura dhe materiale të çmuara apo edhe të përpunuara, janë gjithmonë e më shpesh lajtmotivi i veshjeve intime, qoftë ditën apo natën. Ajo që duket se këtë periudhë është kthyer në muzën e frymëzimit të dizenjuesve është loja e joshjes, që i ka dhënë jetë, stile të reja dhe kombinimeve origjinale. Krahas kombinimeve dhe veshjeve intime, që të lejojnë të mbash reçipeta dhe mbathje me fantazi dhe materiale të ndryshme, janë shtuar edhe të tjera, që të bazuara në ngjyra dhe detaje të vogla që rikrijojnë një efekt argëtues, por edhe joshës e seksi në të njëjtën kohë. Ngjyra të theksuara apo rripa plastikë të ngjyrosur, reçipeta me fantazi alla braziliane, apo të shoqëruara me gurë të çmuar apo bizhuteri, të cilat pa dashje duken nga pantallonat me shtrat të shkurtër apo kamishat dekolte dhe tejet të hapura, janë ndër elementët më intrigues eë veshjeve intime të kësaj pranvere.

Parisi, qyteti ku ka lindur moda, nuk kishte si të mungonte në këtë rubrikë, me idetë dhe sfilatat që ajo ka dhënë për pranverë-verë 2005. Nga Parisi po vijnë këshillat e para për veshjet intime, që duhet të kemi në garderobën tonë para se të vijë vera. Ka një shumëllojshmëri idesh, që variojnë nga ato të tipit të viteve ’60 e më pas. Veshje intime që duhet të duken nën këmishat e bardha dhe transparente, fustaneve shumëngjyrësh, që të kujtojnë festat braziliane, por edhe të thjeshta dhe me dekolte të theksuara. Parisi këtë pranverë shumë thjesht na këshillon, vishni gjithçka që të krijon magjinë e variacionit në veshje për femra shik dhe praktike. Ndërsa ndryshe vijnë sfilatat londineze këtë pranverë. Londra sjell shkëlqimin në sfilatat e saj. Veshje ultra seksi me vezullime neonesh, që shfaqen nën bluzat apo mbi pantallonat e fundet me shtrat të shkurtër, një magji e vërtetë për darkat tuaja. Vezullim dhe ngjyra të ndezura? Suksesi është i garantuar, pavarësisht se jeni bionde, kuqe ose brune, adoleshente apo 30-vjeçare. Nuk ka rëndësi, e bukura iu përket të gjithave. Ndërsa nga Majami vijnë ide krejtësisht të ndryshme. Veshje shik, kryesisht ato për në mbrëmje. Ndërsa nga Nju-Jorku vijnë propozime të tjera. Vetëm veshje sensuale. Ngjyra të çelura dhe cohëra transparente, për të ndjerë gjallërinë e pranverës në trup. Por, ndërsa propozohen modelet shik dhe klasike, stilistët nuk harrojnë as variantet trendi. Fqinjët tanë, Italia, për këtë pranverë propozojnë modelet joshëse dhe me dy ngjyra dominuese, të bardha dhe të zeza.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›