Tirana sipas urbanistëve italianë
alma mile
Gjithçka e përshkruar deri në detajet më të imëta. Ornamentet e dyshemeve, rozetat e tavaneve, harqet e shkallëve, afresket e mureve, kopshtet, shatërvanët... Janë të gjitha të arkivuara dhe tanimë bëhen të njohura edhe për një publik më të gjerë. Dje, në kuadrin e konferencës ndërkombëtare “Arkitektura e nëntëqindës në Shqipëri: Kultura shqiptare dhe italiane në perspektivat e reja të zhvillimit urban e territorial”, u hap në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar një ekspozitë me projekte ndërtesash e plane urbanistike të qyteteve të ndryshme shqiptare, të realizuara nga arkitektët italianë, gjatë viteve ’20-’40 të shekullit të kaluar. Frut i një pune studimore katër vjeçare (2005-2009) të Universitetit Teknik të Torinos dhe Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit. Organizatorja e kësaj ekspozite, prof. Maria Adriana Giusti, prezantoi përmes fotove, veprimtarinë e arkitektëve italianë në Shqipëri. Sipas saj, thelbi i këtij rrugëtimi studimor, duke filluar nga skicat, vizatimet e deri tek projektet përfundimtare, tregojnë sesa e rëndësishëm është njohja e tyre, për identifikimin historik midis dy vendeve, si dhe për t’i bërë ato pjesë të debateve bashkëkohore për zhvillimin e projekteve të ardhshme novatore dhe sipas kërkesave të kohës. Ndër të tjera ajo propozoi krijimin e një Muzeu të Arkitekturës në Tiranë, si pikë takimi ideal për sipërmarrësit e bizneset. Në më shumë se 70 stenda, fotografi, projekte e harta ofrohen zanafillat e ndërtesave të rëndësishme në Tiranë, që edhe sot mbeten si ndër më të bukurat dhe më të realizuarat në Tiranë. Shumë prej tyre mbajnë firmat e arkitektëve Armando Brasini, Gherardo Bosio dhe Vittorio Ballio Morpurgo. Është aty jo vetëm kompleksi i famshëm i ministrive, por edhe plan-projektet për stadiumin e Tiranës, Bankën Kombëtare, hotel “Dajti”, Korpusin e Universitetit, i cili në projektet e italianëve rrethohet nga statuja atletësh me trupa gjithë muskuj, për të vijuar me planimetri rrugësh, por edhe varrezash, shkollash, jetimoresh... Përveç planit urbanistik të Tiranës, i cili ofrohet në disa versione, nuk mungojnë edhe projekte për qytetin e Durrësit, Shkodrës, Beratit, madje edhe Petrelës e Milotit. Interesante janë projektet për ndërtimin e vilës së Mbretit Zog, sot Pallati i Brigadave. Jo vetëm planimetria e pallatit, por çdo kthinë, dritare, shkallë, deri tek harqet e shkallëve, basorelievet e mureve. Një rëndësi të veçantë duket se i kanë kushtuar kopshtit, i cili shtrihet në një hapësirë të konsiderueshme. Por nëse disa prej projekteve të paraqitura i shohim të materializuara, një pjesë e tyre mbetën vetëm në letër me laps plumbi dhe përmes kësaj ekspozite, vizitori ka mundësi të kuptojë se si mund të kishte qenë Tirana, nëse do vijonte zhvillimi urbanistik i menduar nga arkitektët italianë, i lënë në mes nga hovi i ndërtimeve socialiste, sipas modeleve ruse e më tej kineze. Tirana, e cila u bë kryeqytet që nga viti 1923, përftoi në pak vjet pamjen e një qyteti evropian falë një “plani shndërrimi urbanistik të realizuar me shpejtësi”, lexohet në Udhërrëfyesin e botuar nga “Touring Club Italiano” në vitin 1940. Një zhvillim për të cilin flitet në po këtë vit në Vjetarin e Mbretërisë së Shqipërisë: “Fytyra e kryeqytetit po shndërrohet sipas nevojave racionale të një plani të ri rregullues... po ngrihen Shtëpia e Fashos, Shtëpia e Rinisë fashiste Shqiptare, Shtëpia e Dopolavores (me sallën e dëfrimit dhe bibliotekën), Stadiumi Olimpik, selia e Zyrave të Mëkëmbësit të përgjithshëm të Mbretit, selia e Bankës Kombëtare të Punës, salla e “Dante Aligherit”, Shtëpia e Veprës së maternitetit të Fëmijëve, Vila e Mëkëmbësit, një hotel i madh, lote shtëpish për nëpunësit”. (Vjetari i Mbretërisë së Shqipërisë. Milano 1940, fq.65). Sipas organizatorëve të ekspozitës, roli i kulturës italiane në Shqipëri dhe i protagonistëve të saj, i gjegjet synimit të qartë për të sjellë një gjuhë të re edhe përmes një dialogu me traditën vendase, siç dëshmojnë ndërhyrjet e bëra nga Gherardo Bosio në Sheshin e Liktorit dhe nga Vittorio Ballio Morpurgo në selinë e Bankës Kombëtare të Shqipërisë në Tiranë, të paraprirë nga krijimi i një aksi monumental të menduar nga romani Armando Brasini.