Thesaret e Bushatllinjve në Bibliotekën Kombëtare
Histori, filozofi, jetëshkrime... dorëshkrime shekullore, që i kanë mbijetuar kohërave. Rreth 150 njësi bibliotekare, dorëshkrime shumë të vjetra nga Biblioteka e Bushatllinjve të Shkodrës u ekspozuan dje për herë të parë në publik në mjediset e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane. “Kjo nismë vjen si realizim i një ambicieje të vjetër dhe është realizuar falë punës së palodhur të dy studiuesve orientalistë, që nuk jetojnë më, Zyber Bakiu dhe Hamdi Bushati, të cilët me studimet e tyre nxorën në dritë këto libra”, tha drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari në ceremoninë e hapjes së ekspozitës. Në këtë ekspozitë gjejnë vend vetëm disa prej njësive bibliotekare të shkruara sipas kulturës orientale. “Pjesa tjetër, ajo e kulturës perëndimore, do të jetë e zhytur në fondin e bibliotekës dhe ende nuk është bërë gati për t’u ekspozuar”, tha Plasari. Në një kënd të veçantë të Bibliotekës Kombëtare janë ekspozuar të renditura në mënyrë kronologjike libra dhe dorëshkrime të vjetra. Disa prej tyre janë Historia e Xhevdet Pashës në 12 volume, Tarihi Vasif, Tarihi Taberi, Historia e Ibni Halëdunit, e përkthyer turqisht tekste të filozofëve Ibni Sina (Avvicenna), Fahruddini Rrazi, Mahjuddini Arabi, Ibni Rushdi (Averroe), Imam Gazali, etj. Nga biblioteka e Bushatllinjve ka ardhur në ekspozitë libri i shkruar shqip prej Tahir Ef. Gjakovës me titullin “Vehbije” dhe historia turqisht e Ahmet Pashë Dukagjinit. Biblioteka e Bushatllinjve është ndër bibliotekat më të vjetrat në qytetin e Shkodrës dhe njihet ndryshe edhe si Biblioteka e Vakëfit, e ngritur në fund të shekullit 18-të nga sundimtari i atëhershëm i Pashallëkut të Shkodrës, Mehmet Pashë Plaku Bushatlliu. Pas një jete gati 200-vjeçare, një pjesë e kësaj biblioteke, u transferua në Bibliotekën Kombëtare, në Tiranë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët përgjatë 6 ditëve në kushte të larta sigurie.