E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ançeloti: Baloteli, talent i marrë

Nga Mario Baloteli te presidenti Berluskoni, duke kaluar nga këshilla për merkaton e Juves e duke përfunduar te tekniku i ri i kombëtares italiane, Prandeli, Karleto ka për të gjithë. Madje edhe për bosin e vet, Roman Abramoviç: “Ka hequr dorë nga shpenzimet e çmendura, blerja ime më e rëndësishme është rikthimi i Esienit”.

Sipas tij, Mario Baloteli do të ambientohej për bukuri në futbollin anglez: “Mario është një talent i çmendur. Premier Liga është ideale për të sepse te Siti rigjen Mançinin dhe gjithashtu në Angli nuk ka racizëm dhe presion mbi të rinjtë si në Itali”. Madje tekniku e donte 19-vjeçarin në skuadrën e vet, por “kushtonte shumë, 35 milionë euro”.

I gjori Ançeloti, vërtet i pafat! Te Milani nuk i plotësuan asnjë nga kërkesat, ndërkohë që Abramoviçi shtrëngon dorën pikërisht në momentin që në stol është Karleto. Ky i fundit nuk u befasua aspak nga vendimi i Hoze Mourinjos për të lënë Interin për Realin: “Nuk u habita aspak. I tillë ishte edhe te Porto, kurse në Itali nuk u përshtat dot. Mendoj se tripleta e Interit ishte meritë e tij”.

Më tej një këshillë për Juven: “Nuk do ta shisja tani Diegon. Do të kisha pritur edhe një sezon. Do t'i jepja edhe një mundësi, pasi sezonin e kaluar i tërë ekipi nuk funksionoi”. Lidhur me përfaqësuesen italiane, ku Prandeli ka zëvendësuar Marçelo Lipin pas dështimit në botëror, Ançeloti tha: “Prandeli ka një mision të vështirë”.

Në fund, edhe një mendim për Milanin “e tij”: “Alegri do ta tregojë pavarësinë e vet gjatë sezonit, por unë isha më me fat. Presidenti nuk ishte kurrë i pranishëm në ditën e parë të shkollës”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›