Dëmtohet Kordoba, rrezikon finalen
Mbrojtësi
Fundi i sezonit të Interit komplikohet edhe më shumë. Ivan Ramiro Kordoba ka pësuar një tërheqje në pjesën e përparme të kofshës së djathtë gjatë finales së Kupës së Italisë dhe rrezikon të mos luajë në tri ndeshjet e mbetura të sezonit. Zikaltrit do të luajnë përballë Kievos dhe Sienës në kampionat dhe kundër Bajernit të Mynihut në finalen e Champions League. Mbrojtësi kolumbian ka filluar terapinë për t’u rehabilituar, por ende nuk mund të thuhet diçka konkrete rreth kohës së rikuperimit. Në stërvitjen e skuadrës së Zhoze Murinjos në “Apiano Xhentile”, Uesli Shnajder dhe Lusio kanë zhvilluar stërvitje të diferencuar nga grupi.
#