E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtohet rezervuari i Shtodrit,në rrezik edhe Shkodra

19/09/2009  Çarja e digës një vit më parë nga reshjet. U premtua fondi, por nuk u çel

Rezervuari i Shtodrit në komunën e Postrribës së rrethit të Shkodrës rrezikon të kthehet në një rrezik serioz, jo vetëm të zonës ku ndodhet, por edhe deri në qytetin më të madh verior. Reshjet e shumta të rëna ditët e fundit, si dhe parashikimet e sinoptikanëve për ditë të tjera me reshje të dendura, ka bërë që drejtues dhe banorë të komunës së Postrribës të kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të shtetit për rikonstruksionin e digës së kanalit të rezervuarit të Shtodrit.

Dëmtimi dhe rreziku

Rreth një vit më parë, për shkak të reshjeve të shumta është dëmtuar diga e rezervuarit të Shtodrit. Kjo bëri që ujërat e shumta të dëmtojnë një pjesë të rrugës. Kalimi në aksin Postrribë-Mes u bë i pamundur. Ndërkohë edhe dje nuk është bërë riparimi edhe pse në atë kohë u premtua ndërhyrje emergjence, për vetë dëmet e pallogaritshme që mund të shkaktonte përmbytja e rezervuarit të Shtodrit që dikur shërbente mjaft mirë për vaditjen e tokave. Me rikthimin e reshjeve të kësaj vjeshte, për banorët është rikthyer dhe rreziku. Drejtuesit e komunës së Postribës, institucionit të prefektit dhe drejtorisë së kullimit kanë bërë kërkesa të vazhdueshme, por ende nuk ka lëvruar fondi prej 300 milionë lekësh që ishte premtuar. Banorët e fshatit Mesmyselim shprehen se janë interesuar pranë komunës dhe aty kanë mësuar se të gjitha procedurat ligjore janë dërguar në qeveri dhe është ajo që vendos për çeljen e një fondi emergjence me prokurim të drejtpërdrejtë, që do të mundësonte rehabilitimin e digës së çarë në gjatësi rreth 4 m dhe do të siguronte normalitetin në lëvizjen e banorëve. Edhe gjatë një takimi të zhvilluar vitin e kaluar në Shkodër në prani të drejtorit të përgjithshëm të emergjencave civile, Alfred Olli, nga drejtues të ndërmarrjes së kullimit dhe të komunës Postribë u paraqit ky problem shqetësues, por deri tani asnjë ndërhyrje serioze nuk është bërë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›