E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria po sorollat të persekutuarit deri sa të vdesin

19/09/2009  Të përndjekurit thirrje pushtetarëve të mos harrojnë shtresën më të vuajtur

Nga 1400 persona, u janë dhënë lekët vetëm 35 prej tyre, në kushte të rënda

Të përndjekurit politikë të Shkodrës i bëjnë thirrje qeverisë që mos i nëpërkëmbë më me premtimet boshe të dëmshpërblimit të vuajtjeve të tyre, por të mbajë premtimet dhe të zbatojë ligjin. Sipas ish të burgosurve nga regjimi komunist në Shkodër, procesi i dëmshpërblimit të tyre është kthyer në një makth edhe pse tashmë emrat e tyre kanë dalë prej muajsh në lista. Të persekutuarit e Shkodrës shprehen se qeveria po e zvarrit procesin në fjalë në pafundësi, deri në vdekjen e atyre që e kaluan rininë në burgje e internime. Më e keqja është, vijojnë të përndjekurit, se kjo situatë po krijohet prej vitesh nga qeverisja e djathtë, kur dihet se ajo ka pasur mbështetjen e ish të përndjekurve dhe të burgosurve politikë. “I jemi përgjigjur qeverisë me çdo dokument që ka kërkuar, por ajo nuk po u përgjigjet të përndjekurve, as po mban premtimet, as po zbaton ligjin”, theksojë ish të burgosurit politikë të Shkodrës. Sipas statistikave, Shkodra ka 2846 të burgosur politikë, 3 mijë të familje të internuara, 601 të pushkatuar, 136 të vdekur ndër burgje dhe 1924 të internuar politikë. Sipas ish të burgosurve politikë, lista e parë ka dalë me 1400 vetë, por nga këta kanë marrë vetëm 35 persona. “Ka 20 muaj që bëjmë letrat e shumta që na kërkohen, por pasi plotësohen, dëmshpërblim nuk na japin. Kanë kaluar muaj të tërë pa marrë asnjë lekë, ndërkohë që po marrim vesh se të parët që po kompensohen janë gjeneralët e luftës dhe të burgosurit, antikomunistë të vërtetë vetëm sa kanë emrin në lista”, shprehen të indinjuar ish të burgosurit politikë të Shkodrës. Nga ana tjetër, kjo shtresë e vuajtur gjatë diktaturës shprehet se po vijon të vuajë edhe tani. “Sikur të mos mjaftonte vuajtja nëpër burgje dhe varfëria në kohën e monizmit edhe sot po vuajmë për padrejtësinë e mosdëmshpërblimit që po na bëhet, po jetojmë mjaft keq për shkak të mungesës së të ardhurave, ndërkohë që na është dashur të shpenzojmë dhe shuma të mëdha parash për të përgatitur dosjet me dokumentacionet që na kërkoheshin për të arritur deri në dëmshpërblim”, shprehen ish të persekutuarit politikë të Shkodrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›